
Historia e braziliani Ronaldo mund të kishte qenë shumë më ndryshe, nëse Barcelona nuk do të kishte vendosur ta shiste te Interi por t’i qëndronte besnike akordit që kishte me sulmuesin për rinovimin e kontratës. Këtë e ka zbuluar vetë “Fenomeni” në një intervistë të gjatë në You Tube me ish-partnerin e tij të sulmit te Brazili, Romario.
“Barcelona dhe brazilianët janë ndarë gjithmonë në raporte të këqija. Unë kisha zhvilluar një sezon spektakolar dhe pranova që të rinovoja kontratën. Por pesë ditë më vonë më thanë që nuk ishte e mundur të vazhdohej dhe më transferuan te Interi. Ishte një grusht në stomak, pasi e dashuroja atë qytet”, tregoi braziliani i cili te Interi kaloi vitet më të mira të karrierës.
“Ronaldo iku për një zënkë, Ronaldinjo e Nejmar gjithashtu. Shih historinë që ka shkruar Barcelona me kaq shumë brazilianë të suksesshëm por në fund raporti është përkeqësuar dhe ka përfunduar shumë keq”, tha Ronaldo gjatë intervistës së tij.
PANORAMASPORT.AL