Nga Agron Gjekmarkaj
Si dy “panepirotë të ndezur” unë lezhjan me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe dhe Flamur Noka nga Novosela e Kukësit ja bëhëm në Himarë! Medemek ne qenkemi gushëbardhë e jo gushëkuq?!
Rrugës mu kujtua shakaja e Hilë Mosit kur tek sekretari i tij Jorgo në Ministrinë e Arsimit paraqitej herë njëri herë tjetri si patriot i ndezur, i flaktë, i zjarrtë dhe ai nga frika mos i merrte flakë binaja e Ministrisë i thotë Jorgos aman beji shurren ministrisë se do na digjet e mbesim batall.
Një i tillë adet duhet dhe për ata që na bënë ne “panepiriotë të ndezur” megjithëse shkuam për të mbështetur shqiptarin nga Dhërmiu Petro Gjikuria, ish i persekutuar politik qysh më 1945 edhe nënshtetas amerikan si kantidat i Opozitës për Bashkinë e Himarës.
Nëse do ishte grek prapë njesoj mjafton të jetë i pa vese dhe i ndershëm.
Se ne nuk jemi naziste që i ndajme grekët si dikur hebrenjtë me yllin e verdhe të Davidit në krah, por shqiptar që mburremi me të drejtë për vlerat e bashkëjetesës e harmonisë për besë e bujari!
Nashi edhe për standarte demokratike e të drejta robit!
Në parim birinxhi po yçklat nuk kanë të sosur!
Aferim do thotë ndonjë deri këtu!
Petët e lakrorit hapen më vonë.
Pas reagimeve fillova të ndihem në ankth! Mos jemi gjë në luftë me Greqinë dhe po ndihmojmë ushtritë pushtuese?
Kufijtë na i rrezikon gjë? Në NATO a jemi bashkë? Qiejt tanë a i mbrojnë avionet grekë? A i kemi andej 700-800 mijë shqipo që të marrin gjak në vetull me një e dy pasaporta? Mos po na marrin Himarën me buldozer dhe e çojnë në Kretë? Ndoca heronj të revolucionit a qenë arvanitas?
Zoti nuk më la me kaq !
Me Flamur Nokën shkuam në Borsh për të takuar një tahmaqar të punëve të kombit!
Evlati kishte qënë patriot i madh. Na dha një leksion të mirë atdhedashurie sa mu duk vetja tradhëtar në shërbim të Greqisë! Gjynah që nuk na rrahu paq, ku na dhëmb e ku na djeg! Një dajak do na bëhej mësim.
Nga biseda me të mesova sa shumë e urreja Shqiperinë dhe sa e doja Greqinë. Unë kam mbeshtetur Fredi Belerin tha që është shqiptar se Beleri emer grek ska , por hiqet si grek ! E kapa shpejt u distancova sapo pas fitores kenduan këngen e Spiro Milos. Aty ishte derdhur shishja, s’kishte mbajtur më.
Po e shihja me admirim teksa mendoja nuk shprishet jo gjaku i arbërit. Ky më dukej si pasardhës i luftëtarëve legjendarë të Sopotit qe as shitej as blihej po fli ama bëhej për dhe të vet!
Petro Gjikurinë tha nuk e mbështes se është pjesë e lobeve greke kundër Shqipërisë dhe Himarës bën pjesë tek një shoqatë. Nuk ja prisha qejfin ti tregoja që edhe prifti Karavella që doli në resme Kryeministri ynë kur kërkonte vaksinat ‘Faizer’ bën pjesë në të njëjtën, madje Petrua me dorë të tij u kishte bërë resmen!
Madje edhe Karluço këshilltar i Trampit po aty. More i uruar i thamë është shqiptar por edhe sikur të ishte grek se fjala grek nuk është fjalë e pistë, na ke dëgjuar tek themi jemi vëllezër, jemi gjitonë!
Ai nëse është “grek” nga Himara vendali jo nuk e mbështes po i eksportuar nga grekët e Dropullit po! Himara ka luftuar kundër Osmaneve, ka nxjerrë kanun e kapedanë e meriton një bir të vetin.
Unë jam nacionalist tha e dua vatanin do votoj Vangjel Tavon. U habitem vallahi.
Po ay është greku i vërtetë i thamë se ka mohuar kurrë edhe pse zëvendësi i Goros në krah të tij në fshatrat e Lumit të Vlorës ka thënë të votojmë Tavon që të mos flitet më greqisht në Himarë.
Medet, po si ta privojmë Tavon nga gjuhe e nënës?
S’ka gjë gugati ai e ka tradhëtuar Greqinë ndaj e dua, Petro shqiptari që bën lojën e grekut haram i qoftë, Vangjo greku që bën lojën e Shqipërisë hallall i qoftë.
Aty më lindën ndoca pikëpyetje! Po si po qysh do renegatet, atdhemohuesit megjithëse se di në Tavo është i tillë?!
Shumë shumë ka mohuar Ilir Metën e LSI dhe ka harruar akuzat ndaj Ramës kur ishte kantidat për deputet se nuk lejonte emigrantët të kalonin kufirin për ta votuar po kaq! Kjo është pakogjë!
Kur pa mbaruar llafin aty ja bëhu vetë Vangjua me një sejmen nga pas erdhi e ngjatëtoi posaçe patriotin e ngapak dhe ne të tjerëve!
Qerratai! Dola prej aty i bërlykur. Desh ja dhashë vajit. Flamuri me tha mbahu, je axhami në punë patriotizmi duhet të nxesh!
Sevdaja për Atdhe mësohet ku nuk ta pret mendje! Si ka thëne Lame Kodra “e dua Shqipërinë për një stan në Trebeshinë”! Ja ky është bari i interesave kombëtare dhe i këtij stani me bulmet.
U ndjeva i pagdhendur. Tjetri pa asnjë interes për idealizëm të pastër, pa asnjë ofertë, me zë të qëruar në emer të nacionalizmit, i bërë tel i skuqur nga inati për kënget kushtuar Spiro Milos të 1914 e kishte bërë hasha shqiptarin Petro në emer të patriotit Shqiptar minoritarit grek Vangjel!
Mejtova ta shkruaj këtë rrëfenje se më la pa mend e gojë e nuk po ja gjej fillin!
Mbase ndokush me ndihmon të kuptoj?!!
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co