NGA AKADEMIK PROF. ANASTAS ANGJELI
“Vendet në zhvillim po përballen me krizën më të rëndë të borxhit në histori. Shpenzimet për shëndetësinë dhe arsimin po shkurtohen, sepse pothuajse gjysma e buxheteve përdoren për të paguar kreditorët”. Kur kriza e pandemisë shpërtheu dhe ndikimi i saj në ekonomi në të gjitha vendet e prekura prej saj po i çonte ato drejt një recesioni dhe krize ekonomike, shoqëruar me rënie të rritjes ekonomike, rritje të papunësisë dhe falimentimin e shumë bizneseve, ishte ish-Presidenti i BQE, Mario Draghi që në emër të “mbrojtjes së ekonomisë” bëri thirrje për “rritjen e deficiteve buxhetore dhe të borxheve publike”, për të injektuar në ekonomi qindra miliardë euro të domosdoshme për përballimin e shpenzimeve. Dhe në fakt, për momentin, për përballjen e kësaj krize, borxhi publik ishte i vetmi instrument (“shkopi magjik”) që mund dhe u përdor në atë situatë, edhe pse u konsiderua si “thyerje e tabuve të traktatit të Mastrih’tit”, i cili nuk lejonte që borxhi të kalonte vlerën e 60% të GDP. Por, edhe propozuesi i këtij instrumenti dhe të gjithë ekspertët, analistët dhe vetë institucionet ekonomike e financiare ndërkombëtare ishin të ndërgjegjshëm për rrezikun e një krize të re të borxheve, që mund t’u kanosej vendeve në zhvillim. Dhe ja ku jemi sot:
VENDET NË ZHVILLIM PËRBALLEN ME KRIZËN MË TË RËNDË TË BORXHIT NË HISTORI
Vendet në zhvillim po përballen me krizën më të rëndë të borxhit në histori, me pothuajse gjysmën e buxheteve të tyre që shpenzohen për shlyerjen e kreditorëve. Në raportin e hartuar nga grupi i fushatës “Debt Relief International for Norwegian Church Aid”, thuhet se më shumë sesa 100 vende po luftojnë për të përballuar borxhet e tyre, gjë që i ka detyruar të bëjnë shkurtime të investimeve në shëndetësi, arsim, mbrojtje sociale dhe masa për ndryshimet klimatike. Përballimi i borxhit po përthith 41.5% të të ardhurave buxhetore, 41.6% të shpenzimeve dhe 8.4% të PBB-së mesatarisht në 144 vende në zhvillim, sipas studimit. Në raport theksohet se, pa veprime urgjente, këto problemet do të vazhdojnë të përkeqësohen deri në vitet 2030 dhe se presionet ishin më të mëdha sesa ato gjatë krizës së borxhit të vitit 1982 në Amerikën Latine dhe të krizës së borxhit të viteve 1990. Kjo e fundit nxiti marrjen e masave lehtësuese përkatëse nëpërmjet Iniciativës për Vendet e Varfra të Ngarkuara me Borxhe (HIPC). Në vitin 2020, grupi G20 i vendeve kryesore të zhvilluara dhe i atyre në zhvillim nisi kornizën e përbashkët, një skemë e krijuar për të përshpejtuar dhe për të thjeshtuar procesin e lehtësimit të borxhit. Megjithatë, progresi ka qenë shumë më i ngadalshëm sesa pritej, duke nxjerrë në shesh faktin se tani vendeve të varfra një pjesë të madhe të borxhit ua kanë Kinës dhe aksionerëve privatë.
Në këtë raport thuhet se korniza e përbashkët po dështonte “duke mos sjellë rezultatet e pritshme në kuptimin e kohëzgjatjes, të pjesëmarrjes së kreditorëve dhe të shkallës së lehtësimit të ofruar”. Vendet do të paguanin ende mesatarisht 48% të të ardhurave të tyre buxhetore për përballimin e borxhit pas lehtësimit dhe, si rrjedhojë, pak syresh po aplikonin për t’u bërë pjesë e procesit. Ndër sugjerimet e bëra në këtë raport janë që lehtësimi i borxhit të jetë:
– I disponueshëm për vendet e të gjitha niveleve të të ardhurave dhe rajoneve dhe i përshtatshëm për nevojat e tyre.
– I ofrueshëm në mënyra të tilla që shpien në zvogëlimin e shpenzimeve për përballimin e borxhit në më pak se 15% të të ardhurave buxhetore.
– I ofrueshëm me shpejtësi dhe me pezullime të menjëhershme të pagesave kur një vend aplikon për lehtësim.
– Përfshirës për të gjithë kreditorët.
– Garantues i mbrojtjes ligjore për debitorët nga mashtrimet dhe paditë në të gjitha qendrat financiare kryesore.
– Garantues i mbrojtjes ligjore për debitorët nga mashtrimet dhe paditë në të gjitha qendrat financiare kryesore.
Matthew Martin, një nga autorët e raportit, i bënte thirrje qeverisë së re për hartimin dhe miratimin e legjislacionit për parandalimin e të ashtuquajturave fonde grabitqare – fonde që blejnë borxhin me çmim të ulët dhe më pas kërkojnë të nxjerrin fitime prej tij – nëpërmjet shfrytëzimit të gjykatave të Mbretërisë së Bashkuar për paditjen e vendeve të varfra. “Ne tani kemi krizën më të rëndë të borxhit në histori, kryesisht sepse gjithnjë e më shumë vende kanë hyrë në tregjet ndërkombëtare të obligacioneve dhe kanë zhvilluar tregjet vendëse të obligacioneve për të financuar zhvillimin e tyre”, – vinte në dukje Martin. Dagfinn Høybråten, sekretari i përgjithshëm i Ndihmës së Kishës Norvegjeze (Norwegian Church Aid), thoshte: “Një barrë e lartë borxhi është një ngarkesë e madhe për ekonominë e një vendi dhe godet pjesët më të varfra të popullsisë, së pari nëpërmjet shkurtimeve të shpenzimet për ndihmën sociale, arsimin ose për shëndetësinë, për të paguar borxhet”. “Një krizë borxhi është paralizuese dhe minon të gjitha përpjekjet e tjera për zhvillim. Kriza e vitit 1982 zgjati mbi 20 vjet dhe shkaktoi shumë vuajtje përpara sesa të zgjidhej përfundimisht në vitin 2005. A ka sot një brez të aftë për t’u përballur me këtë krizë të re borxhi që po afron”?
PO SHQIPERIA?
Nëse rreth 100 vende, pas krizës së pandemisë po tronditen thellë nga kriza e borxheve, vendi ynë po performon pozitivisht në menaxhimin e këtij problemi. Kjo, falë performancës ekonomike në vend dhe njëherësh zbatimit të një politike monetare “vigjilente”. Sipas deklaratës për shtyp të Misionit të fundit të FMN (korrik 2024) në vendin tonë… “Ekonomia shqiptare u rrit me 3.5 per qind ne vitin 2023, kryesuar nga nje konsum privat i qendrueshem, me forcim te konsiderueshem te turizmit dhe ndertimit. Performanca e sektorit fiskal dhe e sektorit te jashtem ka tejkaluar pritjet, me suficit primar dhe deficit te llogarise korrente perkatesisht 0.7 per qind dhe 1 per qind te PBB-se. Presionet inflacioniste jane ulur dhe inflacioni shenoi vleren 2.1 per qind ne qershor, si pasoje e renies se c’mimeve te lendeve te para. Ekonomia pritet te ruaje vrullin e saj pozitiv kete vit, me nje rritje te parashikuar ne rreth 31D 4 per qind. Inflacioni pritet te kthehet gradualisht ne objektivin prej 3 per qind”.
Ky performim i mirë i ekonomisë së vendit tonë, orientimi i drejtë i politikës fiskale dhe asaj monetare (forcimi i monedhës sonë kombëtare, Lekut, në raport me USD dhe Euron, kur dihet që rreth 70% e borxhit të huaj është në monedhën Euro), edhe pse u përball me efektin e tri krizave, atë të Pandemisë, të pasojave të tërmetit dhe krizën e çmimeve dhe të inflacionit nga lufta e Rusisë në Ukrainë ka ndikuar pozitivisht edhe në situatën e financave publike, veçanërisht në menaxhimin e borxhit publik dhe deficitit buxhetor. Kështu, borxhi i huaj ka ndjekur një trajektore rënëse prej vitit 2015; me përjashtim të vitit të pandemisë. Raporti i borxhit të huaj ndaj PBB-së është pakësuar ndjeshëm, duke zbritur nga 74.4% në fund të vitit 2015, në 46.8% në tremujorin e parë të vitit 2024. Ndërkaq, raporti i borxhit të jashtëm pritet të bjerë gradualisht në periudhën afatmesme, i mbështetur nga rritja e PBB-së, angazhimi i politikës fiskale drejt reduktimit të borxhit publik dhe përmirësimeve në sektorin e huaj të ekonomisë shqiptare.
Gjithashtu, borxhi publik ka ndjekur një trajektore rënëse prej vitit 2015 – me përjashtim të viteve të pandemisë – e mbështetur nga ndjekja e një politike fiskale konsoliduese dhe rritja e shpejtë e aktivitetit ekonomik në vend. Borxhi Publik në vitin 2023 u vlerësua në 58.9% të PBB-së, me një rënie prej 5.5 pikësh përqindje nga një vit më parë. Gjithashtu, një ndikim pozitiv ka pasur edhe ecuria mbiçmuese e monedhës vendëse, e cila ka ulur peshën e borxhit të huaj ndaj totalit në 26.9% të PBB-së. Në fund të vitit 2023, borxhi i brendshëm përfaqësonte 32.1% të PBB-së ose 54% të borxhit publik në total.
GRAFIK 1. BORXHI PUBLIK NDAJ PBB-SË SIPAS MONEDHËS DHE MBAJTËSVE KRYESORË
Tendenca e politikes se kujdesshme për ruajtjen e nivelit të borxhit po vazhdon edhe këtë vit. Në tremujorin e parë të vitit 2024, raporti i borxhit publik ndaj PBB-së shënoi një tjetër ulje në 57.9%, duke faktorizuar jo vetëm faktorët e sipërpërmendur, por edhe suficitin fiskal të krijuar gjatë vitit. Ecuria e mirë e të ardhurave dhe kryerja e pakët e shpenzimeve ka ndikuar në rritjen e suficitit fiskal gjatë gjashtëmujorit të parë, i cili rezulton rreth 51 miliardë lekë. Politika fiskale synon një trajektore në rënie të borxhit publik çdo vit dhe një bilanc primar jo më pak se zero – sikurse përcaktohet në Ligjin Organik Buxhetor duke filluar nga viti buxhetor 2024 dhe për çdo vit pasardhës. Sipas kuadrit makroekonomik afatmesëm, pritet që deficiti fiskal për vitin aktual të jetë rreth 2% lehtësisht mbi nivelin e realizuar në vitin 2023, ndërsa raporti i borxhi publik ndaj PPB-së pritet të bjerë në 56% në fund të vitit 2024.
Kjo situatë pozitive e financave publike dhe e matur në menaxhimin e borxhit publik duhet të na tërheqë vëmendjen, nga ana tjetër, për përdorimin më efektiv të shpenzimeve, sidomos për investime dhe njëherësh të përdorimit të suficitit (51 miliardë lekë), i cili duhet të destinohet në mënyrë të ekuilibruar për uljen e mëtejshme të borxhit dhe financimit të investimeve dhe politikave sociale. Fakti që edhe 5 muaj na ndajnë nga përfundimi i këtij viti dhe në 1 janar 2025 do të hymë në vit elektoral (ku bllokohet kryerja e investimeve) mendoj se kërkohet më shumë iniciativë për përdorimin me efikasitet të burimeve financiare të siguruara, të shpenzimeve buxhetore për investime dhe në përgjithësi të financave publike, me qëllim që të garantohet më mirë në vazhdimësi, zhvillimi dhe rritja ekonomike në vend.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co