
Klub Bryzhi ishte befasia e madhe e mbrëmjes së sotme. Kur të gjithë prisnin revanshin e Atalantës, në Bergamo ndodhi ajo që më pak parashikohej. Belgët përmbysën planet e Gasperinit që në minutën e 3-të, kur Talbi e dërgoi topin në rrjetë. Në minutën e 27 ishte përsëri Talbi ai që shënoi në portën e Atalantës, ndërsa sekondat e fundit të pjesës së parë Jutgla trefishoi rezultatin për Bryzhin.
Gasperini aktivizoi Lukmanin në pjesën e dytë të takimit dhe vetëm pak sekonda pas nisjes së lojës nigeriani e ndali topin në rrjetë. Lukmani pati mundësinë të ngushtonte shifrat në 2-3, por gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Një gabim që ndoshta do t’i mbetet peng për një kohë të gjatë, pasi ndeshja mund të kishte marrë një rrjedhë tjetër. Pavarësisht tentativave të shumta, bergamaskët nuk mundën të shënonin sërish. Atalanta eleminohet kështu nga Liga e Kampionëve me rezultatin e përgjithshëm 2-5. Kjo është hera e dytë në historinë e Klub Bryzhit që kualifikohet mes 16 më të mirëve të Europës./Sport Ekspres/
Burimi informacionit @Gazeta Sport Ekspres: Lexo me shume ne : Gazeta Sport News gazeta sport news