Rezultatet për Himarën/ Tavo “goditi” në Lukovë, thelloi Horë Vranisht dhe tkurri rezultatin në Himarë fshat. Krahasimet me 2023 dhe ku gaboi opozita

rezultatet per himaren tavo goditi ne lukove thelloi hore vranisht dhe tkurri rezultatin ne himare fshat krahasimet me 2023 dhe ku gaboi opozita

Vangjel Tavo kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Himarës, fitoi zgjedhjet përballë Petro Gjikurias, kandidatit të mbështetur nga PD, PL, PBDNJ dhe OMONIA, me një diferencë prej rreth 1500 votash. Pavarësisht akuzave për manipulime, blerje, intimidime apo mos lënien e votues me dokumente të skaduara identifikimi të votojnë, rezultati i Himarës ishte një rrudhje totale për opozitën, e cila nuk arriti as të mbronte votat që në maj të 2023 kishte marrë Fredi Beleri. Pikërisht kjo shpjegon diferencën e madhe të zgjedhjeve të 4 gushtit në Himarë, ku Tavo ka regjistruar ndoshta fitoren më të thellë në këtë njësi vendore.

Referuar të dhënave zyrtare nga KQZ-ja, Tavo ka regjistruar rezultatet absolutisht më të larta në kutitë e votimit në Lukovë dhe Horë Vranisht, që i garantuan jo thjesht fitoren, por edhe përmbysjen e madhe. Rezultatet për kutitë e Himarës ishin në favor të Petro Gjikurias, me një diferencë prej 300 votash, por e papërfillshme për atë që kishte ndodhur në dy zonat e tjera, atë të Lukovës dhe Horë Vranisht.

Nëse krahasojmë rezultatet e 14 majit 2023 me ato të zgjedhjeve të mbajtura më 4 gusht, shohim se kandidati socialist Vangjel Tavo ka rikuperuar vota në pothuajse çdo kuti votimi, madje duke përmbysur në jo pak raste rezultatet në qendrat e votimit ku Fredi Beleri mundte Jorgo Goron mbi 1 vit më parë.

Në 14 Maj 2023, Fredi Beleri fitonte Bashkinë e Himarës me 19 vota diferencë përballë Jorgo Goros, ndërsa hambari i votave në atë kohë për kandidatin e propozuar nga OMONIA që nuk arriti të bënte betimin pasi u arrestua dhe dënua me akuzën e korrupsionit zgjedhor ishte Himara dhe Lukova.

Por në gusht 2024, skema e Belerit u përmbys dhe një tjetër kandidat, Petro Gjikuria, i propozuar po nga OMONIA, i mbështetur nga të njëjtat parti apo subjekte, madje ndoshta më në favor referuar faktit se vulën e PD-së e kishte Sali Berisha, regjistroi një nga humbjet më të thella për Bashkinë e Himarës në të paktën 20 vitet e fundit të zgjedhjeve.

Gjikuria humbi me 1477 vota diferencë nga Tavo, i cili duket se ka rikuperuar për socialistët në total rreth 1500 vota, nëse nisemi nga diferenca 19 votash që Beleri fitoi ndaj Goros në 14 maj 2023.

Nëse analizojmë 3 njësitë e Bashkisë Himarë (Horë Vranisht, Lukovë dhe Himarë) do të shikojmë se Tavo ka fituar terrenin në Lukovë, ka thelluar rezultatin në Horë Vranisht dhe ka ngushtuar diferencën e votave në Himarë, krahasuar me zgjedhjet e 14 majit 2023.

Rezultatet në Horë Vranisht

Në zgjedhjet e zhvilluara më 4 gusht për Bashkinë e Himarës, rezultati më i thellë është ai në Horë Vranisht. Vangjel Tavo ka fituar me një diferencë prej 1054 votash. Më konkretisht nga numërimi i votave rezultoi se Tavo ka pasur 1165 vota, ndërsa Gjikuria 141 vota.

Krahasuar me zgjedhjet e 14 majit 2023, Tavo ka thelluar diferencën me pothuajse 273 vota.

Më konkretisht në 14 maj 2023, Jorgo Goro merrte 972 vota, ndërsa Fredi Beleri 191 vota, me një diferencë prej 781 votash.

  • foto galeri
  • foto galeri

Rezultatet në Lukovë

Goditjen më të madhe kandidati i opozitës, Petro Gjikuria, e ka pasur në Lukovë. Në 1 vit nga zgjedhjet e kaluara kur në garë ishin Goro i PS dhe Beleri i opozitës, ky i fundit e humbiste Lukovën me 70 vota, shifër kjo plotësisht e rikuperueshme, nga votat e Himarës.

Por Tavo në 4 gusht të 2024 e ktheu Lukovën në një hambar votash për PS-në duke marrë pothuajse 800 vota më shumë se Goro i 2023-it. Më konkretisht Tavo ka fituar në Lukovë 1725 vota, ndërsa Gjikuria 942, me një diferencë 783 votash.

Një vit më parë Goro fitonte në Lukovë 1270 vota, ndërsa Beleri 1200, me një diferencë 70 vota.

Duke krahasuar shifrat, Tavo ka 11-fishuar diferencën e votave në Lukovë mes tij si kandidat dhe atij të mbështetur nga opozita, Petro Gjikuria.

  • foto galeri
  • foto galeri

Rezultatet në Himarë

Himara fshat rezultoi fituese për Gjikurian me një diferencë prej 300 votash në krahasim me Tavon. Numërimi i votave nxorri se në favor të Gjikurias ishin 2462 zgjedhës, ndërsa Tavo kishte 2132 vota.

Por nëse krahasojmë rezultatet e 4 gushtit 2024 me ato të 14 majit 2023, rezulton se sërisht Tavo ka rikuperuar rreth 600 vota krahasuar me Goron që mbështetej në atë kohë po nga PS.

Sipas shifrave zyrtare, në 14 maj 2023, Fredi Beleri fitonte 2446 vota në Himarë fshat, ndërsa Jorgo Goro 1576 të tilla, një diferencë prej 870 votash. Pra 1 vit më parë, PS humbte Himarën fshat me 870 vota, ndërsa në 4 gusht 2024, humbi me 300 vota, duke rikuperuar plot 570 vota.

  • foto galeri
  • foto galeri

Pikërisht analizimi i shifrave për 3 njësitë administrative të Bashkisë së Himarës tregon edhe diferencën e madhe që Tavo fitoi Bashkinë e Himarës përballë Gjikurias. Shifrat janë kokëforta, Tavo rikuperoi humbjet e votave të Goros dhe thelloi rezultatet pozitive, duke garantuar fitoren. Dhe nëse do të lejoheshin për të votuar 500 apo 600 zgjedhësit që nuk kishin dokumentet korrekte të identifikimit, dhe të gjithë ata të ishin pro Gjikurias, sërisht Tavo rezulton fitues, ndoshta nuk do të ishte me 1500 vota, por do të ishte me 900 ose 1000 vota përpara.

  • foto galeri
  • foto galeri
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →