Një ditë në stërvitjen e Kombëtares është diçka e veçantë për çdo tifoz shqiptar, aq më tepër për ata që jetojnë jashtë vendit dhe kanë më pak mundësi për të qenë afër kuqezinjve. Kampi bazë ndodhet 20 kilometra larg qendrës së Dortmundit, ku mund të aksesohej shumë lehtësisht me tren dhe për 30 minuta mbërrije në destinacion.
Në hyrje të kompleksit sheh tifozë që qëndrojnë prej orësh, me shpresën se futbollistët mund t’u përgjigjen thirrjeve të tyre për të bërë foto apo dhënë autografe. Kumbulla është ai që shkon i pari dhe pozon me tifozët që nuk u mungojnë simbolet kombëtare. Më tej i bashkohet edhe Ernest Muçi. Hoteli është përballë me restorantit dhe sallën e argëtimit të lojtarëve, aty ku mund t’i shohësh teksa luajnë ping-pong apo bilardo.
Pas konferencës për mediat, ku dje foli Kristjan Asllani, stërvitja ishte programuar në orën 16:30. Pak metra larg hotelit, ndodhej edhe fusha ku futbollistët zhvilluan seancën stërvitore. Fillimisht ishte Silvinjo me ndihmësit e tij, Zabaleta dhe Doriva, që shkuan në fushë për të bërë gati planin e stërvitjes. Më pas ishin Daku, Hoxha, Mihaj, Simoni, Ramadani dhe Asani.
Ngjitur me fushën ishte edhe palestra, ku lojtarët punonin ushtrime të lehta për t’u bërë gati. Kur seanca nisi, në fushë zbritën lojtarët që mendohet se do të jenë në stol kundër Italisë si Kumbulla, Mihaj, Daku, Hoxha, Aliji, Balliu, Muçi, Abrashi, Gjasula, Kastrati dhe Medon Berisha.
FRIKA NGA “SPIUNËT” DHE TITULLARËT – Trajneri brazilian shikon me detaje çdo gjë dhe frika nga “spiunimi” i formacionit apo strategjisë që do të ndjekë kundër Italisë është prezente. Kur mediat u larguan, pasi plotësuan 15 minutat e para të lejuara nga UEFA, Silvinjo zhvilloi seancën me pjesën e mbetur të lojtarëve, të cilët pritet të jenë edhe titullarë.
Në këtë grup u përfshi edhe Rei Manaj, Qazim Laçi, Arlind Ajeti dhe Tomas Strakosha. Silvinjo është munduar të mbajë çdo gjë sekret sa i përket formacionit, duke preferuar një stërvitje hermetike për shkak se do të punonte edhe për strategjinë e lojës kundër Italisë. Aktualisht kemi dy formacione që trajneri mund të provojë kundër kampionëve në fuqi të Europës.
I pari është me një mesfushë, Asllani-Ramadani-Bajrami dhe në sulm Asani-Broja-Seferi, ndërkohë varianti i dytë është me Qazim Laçin titullar në mesfushë dhe kalimin e Bajramit në krah, duke zënë vendin e Seferit, që mund të lihet në stol dhe të përdoret në pjesën e dytë. Kështu mund të shtohen forcat mbrojtëse, ndërsa Bajrami dhe Broja mund të godasin në kundërsulm Italinë.
Sa i përket pjesës tjetër të lojtarëve titullarë, Ajeti është në balotazh me Ismajlin, por ky i fundit duket më i avantazhuar për ta nisur nga minuta e parë. Ndërkohë, edhe për portën ende nuk është vendosur se kush do të luajë, por mendohet do t’i besohet eksperiencës së Berishës. Ajo e djeshmja ishte stërvitja e fundit në kampin bazë, ndërsa sot seanca do të zhvillohet në stadiumin e Dortmundit, ku nesër sfidojmë Italinë.
Nga i dërguari ynë në Gjermani, KRISTI SEJATLLARI
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co