Propozimi për krijimin e Shtetit të Urdhrit Bektashi, Berisha: Thikë e madhe pas shpine ndaj kombit, Kushtetutës dhe besimtarëve shqiptarë

propozimi per krijimin e shtetit te urdhrit bektashi berisha thike e madhe pas shpine ndaj kombit kushtetutes dhe besimtareve shqiptare





































Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar thikë pas shpine ndaj kombit Kushtetutës dhe besimtarëve shqiptarë, propozimin e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti sovran të Urdhrit Bektashi.

sali berisha

Gjatë fjalës së tij, Sali Berisha është shprehur se, skenari i Shtetit Bektashi është një sulm jo vetëm ndaj besimeve fetare, por edhe ndaj myslimanëve shqiptarë që njëlloj si besimtarët e tjerë i luten një Zoti.

“Shqipëria ka qenë dhe do mbetet vendi i harmonisë së shkëlqyer fetare”, theksoi Berisha gjatë tubimit qytetar.

“Fetë e shqiptarëve janë ushqimi shpirtëror i tyre”, tha Berisha, ndërsa shtoi “le t’i themi Edi Ramës se asnjë projekt, ngado që ta marrësh, nga Beogradi apo tjetër kush, kurrë nuk të shpëton ty”.

Pjesë nga fjala e tij

Të dashur miq, Edi Rama i damkosur nga shqiptarët si hajduti më i madh jo i dekadave, por i shekujve të këtij vendi. I damkosur si një antishqiptar që nuk mendoi kurrë tjetër veçse si të largojë dhe dëbojë me një gjenocid të mirëfilltë, me kushte të kalkuluara shqiptarët nga Shqipëria.

Për të mbuluar vjedhjet e tij të qindra e qindra milionë eurove, varfërinë e frikshme në rritje të pandalshme të qytetarëve shqiptarë, rrënimin e ëndrrave të të rinjve të këtij vendi, për të ndërtuar në Shqipëri folenë e të ardhmes së tyre, për të mbuluar cinizmin ekstrem, pashpirtësinë me mashtrimin që iu bëri pensionistëve, të cilët me pensionet më të ulëta në Europë dhe ndër më të ulëta në botë, në një kohë kur blejnë në dyqane nga 10 deri në 250 përqind ushqimet më të shtrenjta krahasuar me mesataren e BE-së.

Për të mbuluar damkosjen e tij si tradhtar i kombit me qëndrimet që ka mbajtur ndaj Kosovës. Mos harroni miq, se sot një vit kur terroristët serbë shkrehën breshëritë mbi gjoksin e dëshmorit të kombit Afrim Bunjaku, Edi Rama me mesazhin që mori nga Beogradi, nuk ngushëlloi familjen Bunjaku, por vrapoi të kërkojë konferencën ndërkombëtare me praninë ruse për të ndihmuar vëllain Vuçiç.

Për të mbuluar denoncimet e mëdha në Europë dhe në botë si kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në kontinent. Për të mbuluar serialin e dështimeve të njëpasnjëshme. Për të gjitha këto, ai shpalosi këto ditë propozimin e një shteti të Islamit të moderuar, kryekëput një thikë e tmerrshme pas shpine për besimtarët myslimanë shqiptarë, për të gjithë besimtarët e Zotit.

Një thikë e madhe pas shpine ndaj kombit shqiptar. Një thikë e madhe pas shpine ndaj Kushtetutës dhe rendit të saj. Të dashur miq, nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot, ka pasur një parim, një shtyllë kryesore mbi të cilën është ndërtuar: feja dhe shteti janë të ndara dhe të pavarura nga njëri-tjetri.

Fetë e shqiptarëve janë ushqimi shpirtëror i tyre. Ndaj le t’i themi Edi Ramës se asnjë projekt, ngado që ta marrësh, nga Beogradi apo tjetër kush, kurrë nuk të shpëton ty. Shqipëria  ka qenë dhe do mbetet shteti, vendi i harmonisë së shkëlqyer fetare.

Do mbetet shteti laik që respekton besimin e tjetrit. Fetë e shqiptarëve, myslimanët, të krishterët, janë gurra të pashtershme hyjnore që ushqejnë dhe pasurojnë shpirtrat e shqiptarëve, por jo shpirtrat e katranove si Edi Rama, që përdor edhe fetë për qëllime mafioze, për qëllime antishqiptare.

Edhe njëherë, ju përshëndes nga zemra. Le të vazhdojmë ne betejën dhe t’i themi Edi Ramës se vrimë miu nuk do gjesh për këto të zeza që iu bën shqiptarëve. Se nuk ka një të dytë përveç Enver Hoxhës si ti, që prodhoje lajme më të këqija për vendin dhe kombin tënd.

Prandaj, miqtë e mi, protesta, revolta, mosbindja civile është thirrja për të shpëtuar kombin shqiptar. Është kushtrimi i shqiptarëve për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e demokracisë. Për të dalë me shpejtësi nga varfëria. Për të rikthyer shtetin ligjor. Për të shndërruar pasuritë përrallore të shqiptarëve në mirësi dhe të mira për qytetarët e këtij vendi. Ndaj dhe, ju falënderoj shumë për këtë prani këtu, për këtë protestë.

Ju garantoj se forcë në botë që t’i rezistojë vrullit, hovit, zemërimit, revoltës popullore opozitare të shqiptarëve kundër regjimit nuk ka dhe nuk mund të ketë. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria. Fitore, fitore, fitore!

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →