Bashkëpunimi mes bujqësisë dhe turizmit mund të sjellë një ekonomi më të larmishme dhe të qëndrueshme. Ilir Pilku, ekonomist bujqësor dhe njëkohësisht menaxher në Studion e Financimit Alternativ që operon si konsulente në sektor, vlerëson se intensiteti i mbështetjes së bujqësisë dhe blegtorisë duhet të rritet për t’i bërë ato konkurruese si në konsumin vendas, edhe në turizëm.
Sipas z. Pilku, zbatimi i një serie masash që nisin nga identifikimi i produkteve me kërkesë të lartë në turizëm dhe eksport, te certifikimi i produkteve, hapja e tregjeve lokale me akses për turistët apo promovimi do të shërbejnë në përfitimin e një shkalle më të gjerë të ekonomisë, sidomos asaj rurale.
Turizmi shihet si një mundësi për të përfituar të gjithë, përfshirë fermat e vogla ku kostot dhe sfidat janë më të mëdha.
Shqipëria po përjeton vitet e fundit disa nga vitet më të mira të saj historike në turizëm. Vendi po preferohet gjithmonë e më shumë nga të huajt, duke dhënë ndikim edhe tek industri të tjera mbështetëse ai ajo detare apo agroturizmi. Pse bujqësia apo blegtoria nuk po përfiton nga ky bum turistik, por po ecin në drejtim të kundërt, duke u tkurrur?
Aktualisht vërehet një mungesë bashkëpunimi midis institucioneve për të maksimizuar përfitimet ekonomike nga industria e turizmit. Harmonizimi është një proces kompleks dhe i vazhdueshëm që kërkon planifikim strategjik, qeverisje efektive dhe përkushtim ndaj zhvillimit të qëndrueshëm.
Nxitja e sinergjisë midis sektorëve, ekonomive prodhuese, rajoneve (bregdetare dhe malore) apo vlerave kulturore dhe historike, do të krijojë një kornizë ekonomike më elastike dhe më të fuqishme që përfiton ekonomia vendase në tërësi.
Fokusi i politikëbërjes duhet të jetë në arritjen e një stabiliteti të ekuilibruar të shumë sektorëve në vend që të kontribuojnë në marzhinimin e përfitimit ekonomik të vendit, p.sh. Turizmi, bujqësia, industria dhe shërbimet janë shpesh të ndërvarura, dhe harmonizimi duhet të synojë përmirësimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Ofrimi i produkteve vendase autentike të prodhuara këtu vlerësohet si një nga elementet që vizitorët apo turistët pëlqejnë më shumë, por që ne po e humbasim si pikë plus. Pse prodhimi vendas nuk po arrin të jetë fitimprurës për bujqit apo blegtorët? Cilat janë arsyet?
Rentabiliteti i prodhimit vendas për fermerët apo blegtorët mund të ndikohet nga faktorë të ndryshëm. Ndërsa shumë vizitorë dhe turistë vlerësojnë produktet autentike vendase, disa sfida mund të pengojnë suksesin ekonomik të prodhuesve të vegjël vendas.
Fermat e mëdha industriale shpesh përfitojnë nga ekonomitë e shkallës, duke i lejuar ata të prodhojnë mallra me kosto më të ulët për njësi. Prodhuesit e vegjël vendas kanë më pak fuqi negociuese në lidhje me çmimet e shitjes me shumicë ose shitësit me pakicë.
Kjo mund të rezultojë në marzhe më të ulëta fitimi për produktet e tyre në krahasim me furnizuesit më të mëdhenj. Prandaj prodhuesit e vegjël që prodhojnë produkte tradicionale duhet të përdorin instrumente që i japin një vlerë të shtuar, siç janë emërtimi i origjinës së mbrojtur (PDO) dhe treguesi gjeografik i mbrojtur (PGI).
Këto emërtime u japin një vlerë të veçantë produkteve tradicionale në krahasim me produktet komerciale të industrisë përpunuese.
Prandaj kërkohet të nxiten nisma agroturistike, ku turistët mund të marrin pjesë aktive në aktivitete bujqësore, të tilla si vjelja e rrushit, prodhimi i rakisë, kujdesi për kafshët ose përpunimi i ushqimit. Kjo ofron një përvojë gjithëpërfshirëse për vizitorët, ndërkohë që i përfshin ata drejtpërdrejt në zinxhirin e vlerës bujqësore.
Zbatimi i programeve nga ferma në tryezë (objektiv edhe i FAO-s) që lidhin fermerët vendas me restorantet, hotelet dhe bizneset e tjera të lidhura me turizmin do të jetë një mbështetje e prodhimit bujqësor lokal, por promovon edhe përvojat e kuzhinës vendase për turistët, duke ofruar produkte të freskëta, me burime tradicionale.
Si mund të nxitet bujqësia apo agrobiznesi për të qenë pjesë e zinxhirit të vlerës, duke u mbështetur nga turizmi, por edhe duke e mbështetur këtë të fundit. Cilat janë masat rregullatore apo nxitëse që mund të krijojnë një model të qëndrueshëm për bujqësinë dhe agrobiznesin dhe cili duhet të jetë roli i qeverisë për të forcuar këto ura ndërlidhjeje mes sektorëve?
Bashkëpunimi midis bujqësisë dhe turizmit mund të krijojë një ekonomi më të larmishme dhe më të qëndrueshme, duke rritur përvojën e përgjithshme për turistët, duke mbështetur fermerët dhe agrobizneset vendase. Tashmë është domosdoshmëri krijimi dhe promovimi i tregjeve ushqimore lokale ose tregje fermerësh pranë destinacioneve të njohura turistike.
Turistët mund të eksplorojnë dhe blejnë produkte të freskëta vendase, duke mbështetur komunitetin përkatës, duke shijuar produkte autentike dhe rajonale.
Rritja e prodhimit vendas dhe përmbushja e standardeve dhe certifikimeve rregullatore mund të jetë një sfidë për prodhuesit në shkallë të vogël.
Pajtueshmëria me rregulloret e shëndetit dhe sigurisë, certifikatat organike dhe standardet e tjera mund të sjellin kosto shtesë që mund të ndikojnë në përfitimin e përgjithshëm, prandaj nevojitet mbështetja financiare nga shteti.
Disa konsumatorë mund të mos e kuptojnë apo vlerësojnë plotësisht vlerën e produkteve vendase. Prandaj nevojiten instrumente për edukimin e konsumatorëve për përfitimet e mbështetjes së prodhuesve vendas, si freskia, varietetet tradicionale, produkte organike, si pjesë e qëndrueshmërisë dhe mbështetjes së komunitetit rural, mund të kontribuojë në rritjen e kërkesës dhe përfitimit financiar.
Duke pasur parasysh skemat mbështetëse të aplikuara në bujqësi nga ajo e naftës për fermerët tek ajo kombëtare, a mendoni se nevojat janë identifikuar siç duhet për t’i mbështetur dhe efekti i tyre ka qenë i plotë? Si mund të përmirësohet ky aspekt?
Mendoj se intensiteti i mbështetjes së sektorit bujqësor dhe blegtoral duhet të jetë në një shkallë më të lartë, në mënyrë që të jemi konkurrues në tregje, por edhe për të plotësuar kërkesat e konsumatorit vendas dhe turizmit gjithashtu.
Përpos rritjes së buxhetit të financimit direkt të sektorit bujqësor, nevojiten edhe një sërë ndërhyrjesh të tjera si p.sh.:
a). Kryerja e studimeve të plota të tregut për të identifikuar produkte me kërkesë të lartë si në tregun e eksportit, ashtu edhe në atë të turizmit, pra përcaktimi i avantazheve tona konkurruese;
b). Zbatimi dhe respektimi i standardeve ndërkombëtare të cilësisë për produktet bujqësore. Certifikime të tilla do të rrisin reputacionin e produkteve, duke i bërë ato më konkurruese si në tregjet e eksportit, ashtu edhe në atë të turizmit:
c). Inkurajimi apo adoptimi i teknologjive moderne bujqësore për të përmirësuar produktivitetin, efikasitetin dhe cilësinë e produktit nëpërmjet sistemeve të avancuara dhe praktikave të zgjuara bujqësore do të rrisin konkurrencën e sektorit bujqësor;
d). Mbështetja e investimeve në industrinë përpunuese për t’i shtuar vlerën produkteve bujqësore. Pra rritja e produkteve të përpunuara dhe të paketuara jo vetëm që kanë potencial më të lartë eksporti, por gjithashtu do të plotësojnë kërkesat e sektorit të turizmit;
e). Promovimi i produkteve bujqësore në tregjet ndërkombëtare përmes panaireve tregtare, ekspozitave dhe fushatave të marketingut. Një vlerë e shtuar do të ishte rritja e aftësive negociuese dhe sigurimi i marrëveshjeve të favorshme tregtare për të lehtësuar aksesin në treg për eksportet bujqësore.
Ndërhyrjet efikase kërkojnë një përpjekje bashkëpunuese që përfshin institucionet politikëbërëse, aktorët e sektorit privat dhe komunitetet lokale, pa lënë mënjanë sistemin bankar.
Të gjitha këto elemente të lartpërmendura lidhen me hartimin dhe zbatimin e politikave mbështetëse, stimujve dhe skemave të subvencioneve, që nxisin eksportet bujqësore dhe bashkëpunimin me sektorin e turizmit.
Duke përafruar strategjitë, duke u fokusuar në cilësi dhe duke krijuar sinergji midis bujqësisë dhe turizmit, rajonet mund të krijojnë një avantazh konkurrues në të dy sektorët./Monitor
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co