“Prishtina ka të drejtë ta mbrojë territorin e saj”- Zyrtari i lartë amerikan: Veriu i Kosovës, në mesin e rreziqeve për sigurinë në Ballkanin Perëndimor!

prishtina ka te drejte ta mbroje territorin e saj zyrtari i larte amerikan veriu i kosoves ne mesin e rreziqeve per sigurine ne ballkanin perendimor
prishtina ka te drejte ta mbroje territorin e saj zyrtari i larte amerikan veriu i kosoves ne mesin e rreziqeve per sigurine ne ballkanin perendimor

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i tha agjencisë serbe të lajmeve Tanjug se veriu i Kosovës dhe kërcënimet për shkëputjen e një pjese të Bosnje e Hercegovinës, janë rreziqet kryesore për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.



Por, theksoi ai, forcat paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë dhe ato të EUFOR-it në Bosnje janë të gatshme “t’i pengojnë grupet e vogla lokale që të shkaktojnë dhunë”.

“Jam i inkurajuar gjithashtu që ka pasur bashkëpunim të mirë me autoritetet serbe, me autoritetet e Kosovës, në përpjekje për t’i trajtuar rreziqet e dhunës dhe të rritjes së përplasjeve në veri të Kosovës. Mendoj se me këtë kemi një shans për procesin politik, që është dialogu [i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian], plani [evropian] i rritjes ekonomike dhe gjërat e tjera për t’i trajtuar shkaqet e dhunës”, tha O’Brien, sipas agjencisë së lajmeve Tanjug.

I pyetur pse SHBA-ja mbështeti një tranzicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe pse Prishtinës iu lejua të blejë dronë, kur “sipas Rezolutës 1244, KFOR-i është e vetmja forcë e armatosur e lejuar në Kosovë”, O’Brien tha se rezoluta vendosi “një proces politik për të diskutuar të ardhmen e Kosovës”.

“Ai proces çoi në pavarësinë e Kosovës. Kosova ka të drejtë ta mbrojë territorin e saj”, tha O’Brien, duke nënvizuar se ajo “po e bën këtë në një proces transparent dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, si një mënyrë për të siguruar mbrojtjen e saj, por pa kërcënuar fqinjët e saj”.

“Mendoj se, në përgjithësi, është një lëvizje drejt qëndrueshmërisë në rajon. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim”, tha diplomati amerikan.

Ai ritheksoi, po ashtu, mbështetjen për bisedimet Kosovë-Serbi dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Janë rreth 400 asociacione të komunave në të gjithë Evropën dhe ne mendojmë se ky do të ishte një i tillë”, tha ai, duke nënvizuar se bisedimet janë rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt integrimeve evropiane./REL

Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →