Presidentja e Kosovës takim me ambasadorin Hovenier, Osmani: Heqja e masave të BE-së e bën të barabartë dialogun në Bruksel

presidentja e kosoves takim me ambasadorin hovenier osmani heqja e masave te be se e ben te barabarte dialogun ne bruksel



































Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë gjatë një takimi me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, se heqja e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, do ta kishte bërë të “barabartë tryezën e dialogut” në Bruksel.

osmani hovenier

Osmani pati takim të rregullt me Hovenierin në zyrën e saj në Prishtinë të hënën, njoftoi Presidenca e Kosovës.

“Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet në dialogun me Serbinë”, thuhet në njoftim.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të takohen të martën në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Takimi i tyre vjen një javë pas takimeve të ndara të Bruksel të liderëve të Kosovës, Albin Kurti, dhe të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Kosova është nën masa ndëshkuese të Bashkimit Evropian prej verës së vitit 2023, të cilat blloku i vendosi si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë, nisën detyrën e tyre në komunat në veri.

Muajin e kaluar, Radio Evropa e Lirë mësoi se BE-ja pritet t’i heqë pjesërisht dhe gradualisht masat ndaj Kosovës.

Më 19 qershor në Komitetin për politikë dhe siguri të BE-së (PSC), ku morën pjesë përfaqësuesit e shteteve anëtare, u diskutua për heqjen e masave kundër Kosovës.

Sipas burimeve, shumica e shteteve të BE-së ishin në favor të heqjes së plotë të masave, siç edhe ka rekomanduar përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, në raportin që u dorëzoi vendeve anëtare më 18 qershor, lidhur me hapat që Kosova ka ndërmarrë për uljen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.

Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimorë (WBIF) nuk janë paraqitur për shqyrtim në bordin e këtij fondi. Kontratat e reja ku autoritetet e Kosovës janë përfituese tash për tash janë të ndalura.

Autoritetet në Kosovë disa herë kanë insistuar se kanë përmbushur kërkesat për heqjen e masave dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar, serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave dhe tash, sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa./rel

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →