Klubet e Premier Ligës kanë shpenzuar 247 milionë paund në total këtë muaj dhe e kanë thyer që tani rekordin e merkatos së dimrit të një viti më parë (90 milionë paund), edhe pse duhet edhe një javë nga mbyllja e merkatos së janarit.
Sipas të dhënave të “FootballTransfers.com”, Mançester Siti është klubi që ka shpenzuar më tepër këtë muaj, rreth 125 milionë paund, më shumë se të 19 klubet e tjera të Premier Ligës së bashku. Por shifrat e kësaj merkatoje mbeten gjithsesi larg rekordit historik të vitit 2023, kur në total u shpenzuan 815 milionë paund. Liga e Parë është kampionati i dytë europian që ka shpenzuar më tepër këtë muaj, 106 milionë paund, edhe pse gjysma e kësaj shifre është regjistruar nga transferimi i yllit të Napolit, Kviça Kvaratskhelia për 59 milionë paund nga PSG.
Klubet e Championship-it kanë shpenzuar 44 milionë paund, duke e lënë në hije La Ligën spanjolle, e cila ka shpenzuar vetëm 2 milionë paund deri tani. Në fakt, edhe klubi i Ligës së Parë në Angli, Hadërsfilldi ka shpenzuar më shumë (4 milionë paund) sesa të 20-ta klubet e La Ligës. Merkatoja në Angli do të të mbyllet në orën 23:00 të së hënës (3 shkurt).
PSE PO SHPENZOHET – Mbrojtja e dobët e titullit të Premier Ligës nga Mançester Siti e ka ritkthyer në merkato klubin e “Qytetarëve” dhe Pep Guardiola ka bërë tre blerje me shifra të konsiderueshme, duke lënë të hapur mundësinë për shumë të tjera në të ardhmen. Siti ka nënshkruar me sulmuesin e Frankfurtit Omar Marmush (59 milionë paund), mbrojtësin e Palmeirasit, Vitor Reis (29.6 milionë paund) dhe qendërmbrojtësin e Lensit, Abdukodir Khusanov (33.6 milionë paund) këtë muaj. Ata nuk kishin bërë më parë një blerje të rëndësishme në janar që nga transferimi i Ajmerik Laportes për 57 milionë paund në 2018. Pol MekDonald i “FootballTransfers.com” tha i cituar nga “BBC”: “Në janar 2023, u shpenzuan 815 milionë paund dhe kjo përfaqësonte 28.4% të të gjitha tarifave të transferimeve të shpenzuara në atë sezon, më e larta e çdo viti në dekadën e kaluar. Por vetëm Çelsi ishte përgjegjës për 286 milionë paund të shpenzuara.
Ne dëshmuam gjithashtu një ndjenjë dëshpërimi në skuadrat e kërcënuara me rënie, Lidsi, Sauthemptoni, Lestëri, të cilat në fund do të rrëzoheshin dhe Bornmëthi shpenzoi mbi 200 milionë paund mes tyre për të shmangur rënien. Por viti 2024 pa një ndryshim të plot me vetëm 96 milionë paund shpenzime, vetëm 3,9% e totalit të shpenzimeve të sezonit, pasi skuadrat u shfaqën të kënaqura me fatin e tyre dhe më e rëndësishmja, ishin të vetëdijshme për kufizimet e reja të limiteve të shpenzimeve dhe zgjodhën të ruanin çdo fuqi shpenzuese për merkaton e verës”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL