Policia e Kosovës sekuestron para nga një degë bankare në veri

policia e kosoves sekuestron para nga nje dege bankare ne veri































Policia e Kosovës njoftoi se i ka sekuestrua disa mijëra euro dhe dinarë nga një kasafortë në një degë bankare serbe në Mitrovicën e Veriut të mërkurën.

dinari serb

Në një njoftim për media, policia tha kasaforta në fjalë ishte kontrolluar më 20 maj, gjatë aksionit kur autoritetet kosovare i mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë, por zyrtarët e saj nuk kishin arritur ta hapnin atë në atë kohë “në mungesë të personit përgjegjës i cili kishte çelësat”.

Policia tha se e identifikoi të mërkurën menaxheren përgjegjëse të degës së bankës “Narodna Banka” në rrugën “Knjaz Millosh” në Mitrovicën e Veriut dhe se e mori atë në pyetje “në cilësinë e të dyshuarës”.

“Në këtë rast janë sekuestruar mjetet monetare si në vijim: 152.290 dinarë serbë, 4.580 euro dhe 940 franga zvicerane”, thuhet në njoftim.

Gjatë aksionit të 20 majit, policia tha se konfiskoi në përgjithësi mbi 2.2 milionë euro – në mesin e tyre edhe dinarë, franga dhe dollarë amerikanë e australianë.

Aksioni i autoriteteve kosovare u dënua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, të cilat thanë se ai i përshkallëzon tensionet në zonën e banuar me shumicë serbe.

Ai aksion u krye një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se kishte përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani.

Rregullorja i ka rritur fërkimet mes Kosovës dhe partnerëve të saj perëndimorë, të cilët kërkuan pezullimin e saj derisa komuniteti serb – i cili prej vitesh pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga Serbia – të përshtatet me praktikën e re./REL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →