SHËRBIMI SEKRET NËN TRYSNI
Shërbimi Sekret, i cili mbron presidentët amerikanë, kandidatët për president dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë, është vendosur në epiqendër të vëmendjes që kur ndodhi atentati i parë ndaj ish-Presidentit Trump.
Sulmi i parë solli dorëheqjen e drejtores së këtij shërbimi, Kimberly Cheatle. Shërbimi Sekret shtoi masat e sigurisë për ish-Presidentin Trump pas sulmit të 13 korrikut, gjatë të cilit autori u vra nga agjentët e sigurisë.
Agjencia “ka nevojë për më shumë ndihmë”, përfshirë ndoshta më shumë personel, u tha Presidenti Biden gazetarëve të hënën, duke shtuar se: “Falenderoj Zotin që (ish)presidenti është OK”.
Nënpresidentja Harris shkruajti në rrjetin social X: “Dhuna nuk ka vend në Amerikë”.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, i cili ka krijuar një grup pune dypartiak që kur ndodhi atentati i parë, i tha kanalit të lajmeve Fox News gjatë një interviste se Kongresi do të shqyrtojë edhe incidentin e fundit.
“Na duhet llogaridhënie”, tha zoti Johnson, duke bërë thirrje për më shumë burime për të mbrojtur ish-Presidentin Trump. “Duhet të kërkojmë që kjo të realizohet”.
Ronald Rowe, zëvendësuesi i drejtores së dorëhequr të Shërbimit Sekret, udhëtoi drejt Floridas pas tentativës për vrasje, raportuan disa media. Zoti Rowe, i cili mori përsipër drejtimin në korrik, i tha Kongresit më 30 korrik se ndjehej “i turpëruar” nga mangësitë e sigurisë në atentatin e mëparshëm.
Zoti Rowe ka qenë pjesë e Shërbimit Sekret për 25 vite, thuhet në biografinë e tij zyrtare, dhe ishte emëruar zëvendësdrejtor përpara se t’i lihej drejtimi i përgjithshëm në muajin korrik.
I DYSHUARI ËSHTË SIMPATIZANT I UKRAINËS
Zoti Routh ishte mbështetës i fortë i Ukrainës dhe pati udhëtuar drejt këtij vendi pas sulmit të filluar nga Rusia në vitin 2022. Ai ishte përpjekur të rekrutonte luftëtarë të huaj.
Profilet me emrin e tij në rrjetet X, Facebook dhe LinkedIn përmbajnë mesazhe mbështetjeje për Ukrainën, si dhe deklarata ku përshkruhet ish-Presidenti Trump si rrezik për demokracinë.
Disa prej këtyre profileve iu hoq qasja për publikun pak orë pas incidentit të së dielës.
Nënpresidentja Harris dhe drejtues të tjerë demokratë e kanë paraqitur ish-Presidentin Trump si një rrezik për demokracinë amerikane, duke përmendur përpjekjet e tij për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020, të cilat çuan në sulmin ndaj Kapitolit në 6 janar 2021. Zonja Harris ka premtuar mbështetje të palëkundur për Ukrainën, nëse zgjidhet presidente.
Ish-Presidenti Trump ka shprehur skepticizëm për volumin e ndihmave që Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës dhe është zotuar t’i japë fund luftës menjëherë, nëse rizgjidhet. Vitin e kaluar, ai i tha agjencisë së lajmeve Reuters se Ukrainës mund t’i duhet të lëshojë territor për të arritur paqen.
Elon Musk, pronari miliarder i rrjetit X, fillimisht publikoi dhe në vazhdim fshiu një mesazh nga media sociale të dielën, ku ngrinte pyetjen se përse askush nuk ishte munduar të vriste Presidentin Biden apo Nënpresidenten Harris. Me një postim pasues të hënën, zoti Musk, i cili ka dhënë mbështetje për kandidaturën e zotit Trump, tha se kishte bërë shaka./VOA
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co