PESHËNGRITJE/ Enkielda Carja dhe Kristi Ramadani shkëlqejnë në kampionatin kombëtar

peshengritje enkielda carja dhe kristi ramadani shkelqejne ne kampionatin kombetar

Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka zhvilluar të shtunën aktivitetin më të rëndësishëm vjetor, kampionatin kombëtar për të rritur. Siç është bërë “traditë” tashmë prej disa vitesh, FSHP e ka larguar shtangën nga pallatet e sportet, duke zgjedhur palestra private, teksa këtë herë eventi u zhvillua në ambientet e një hoteli në Durrës.



Në kampionat ra në sy pjesëmarrja e ulët e sportistëve, vetëm 51 gjithsej, 20 vajza dhe 31 djem, ndërsa në tri kategori peshash për vajza u garua me vetëm një sportiste. Gjithashtu mungonin dy emrat e mëdhenj të shtangës shqiptare, “veteranët” Briken Calja dhe Erkand Qerimaj, të cilët e kanë “snobuar” aktivitetin, duke menduar më shumë për garat e radhës ndërkombëtare.

Duke kaluar te rezultatet, protagonistja e madhe në radhët e vajzave ishte Enkileda Carja, e cila mbron ngjyrat e skuadrës së Teutës. Carja meritoi vlerësimin e peshëngritëses më të mirë të kampionatit, duke treguar një formë të shkëlqyer në kategorinë e peshave 64 kg, teksa realizoi me sukses pesë nga gjashtë provat e sajë. Carja regjistroi 95 kg në stilin e shkëputjes dhe 113 kg në shtytje, duke e mbyllur dygarësishin me 208 kg, për të fiksuar 3 rekorde kombëtare në këtë aktivitet. Për sa i përket titullit ekipor, kampione për femra u shpall skuadra e Tiranës.

Në radhët e djemve konkurrenca ishte disi më e fortë, ndërsa çmimi i sportistit më të mirë u fitua nga Kristi Ramadani i Tiranës. Ramadani spikati në kategorinë e peshave 81 kg. Shtangisti i talentuar i skuadrës bardheblu regjistroi 161 kg në shkëputje, 196 kg në shtytje dhe 357 kg në dygarësh, për më të merituar kupën e më të mirët të kompeticionit me tri rekorde kombëtare sipas FSHP-së.

Edhe te djemtë, triumfi ekipor shkoi për Tiranën, me skuadrën e drejtuar nga Sokol Bishanaku që bëri dopietë, duke fituar trofetë për të dyja gjinitë. Të tjerë sportistë që spikatën ishin Ertjan Kofsha i Shtërmenit, i cili realizoi një total 361 kg, duke treguar përmirësim të vazhdueshëm. U dallua Antonino Mullisi i ekipit Veriu i Shkodrës, me një total prej 273 kg. Rilind Hysa fitoi vendin e parë në peshat e rënda me 362 kg, duke dhuruar një performancë shumë të mirë. Në tabelë pasqyrohen kampionët për secilën peshë.FDHH

PANORAMASPORT.AL

dsaadmin

Learn More →