Nxënësit e shkollës “Musine Kokalari” mësojnë në kushte të reja dhe bashkëkohore, pas rindërtimit nga Bashkia e Tiranës, me mbështetjen e programit “EU4Schools”, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNDP Shqipëri.
Në përurimin e shkollës morën pjesë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, Shefi i Bashkëpunimit pranë BE, Hubert Perr, Zv. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP Albania, Monica Merino, si dhe përfaqësues të institucioneve qendrore dhe vendore.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se Kombinati është transformuar totalisht me një buqetë shkollash me standardet më të mira.
“Ky është një projekt, të cilin e kemi pasur shumë për zemër. Më vjen mirë që Kombinati është transformuar totalisht. Tani do hedhim shortin për banesat e reja tek lagjja e re. Fakti që sot kemi shkolla si “Musine Kokalari”, “Myslym Keta”, që i kemi bërë me BE dhe miqtë e PNUD-it, kemi “Lasgush Poradecin”, “Betim Muçon”, krejt papritur i kanë zili edhe ish Blloku dhe qendra e Tiranës. Presim të nisim punë për shkollat “11 Janari” dhe “Petro Nini Luarasi”, të cilat vërtet janë në ish Bllok, por janë ndërtuar në vakt, e sigurisht janë amortizuar.
Papritur, Kombinati ka shkolla shumë më të mira se qendra e Tiranës dhe mund të themi më të mirat në Republikë. E vetmja aspiratë që kemi është të shohim rezultatet. Sa më lart të dali shkolla në rezultate, edhe BE, edhe miqtë e PNUD-it, edhe ne të bashkisë, edhe Ministria, thonë: Ia vlejti stresi, sherri, shamataja, ato debatet e vogla, cic-micet e politikës. kur shohim që fëmijët kanë rezultate spektakolare”, u shpreh Veliaj.
Shefi i Bashkëpunimit pranë European Union in Albania, Hubert Perr tha se është shumë i lumtur që po dorëzojnë një godinë të re për 750 fëmijët e shkollës “Musine Kokalari”. Ai vlerësoi partneritetin me qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës, për realizimin e projektit.
“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu për t’iu dhënë një shtëpi të re, fantastike, 750 fëmijëve që meritojnë të mirëpriten në një ndërtesë kaq të bukur, me standardet e Bashkimit Europian. Kjo është pjesë e programit të BE-së “EU for schools” dhe unë dua të falënderoj partnerin tonë, UNDP-në, për punën fantastike që kanë bërë për të zbatuar këtë program, si edhe partneritetin me qeverinë shqiptare dhe bashkinë, që në këtë rast e bëtë këtë projekt realitet. Kjo është një nga 7 shkollat që kemi rindërtuar në Tiranë”, deklaroi Rupert.
Nga ana e saj, përfaqësuesja e UNDP, Monica Merino falenderoi kryebashkiakun dhe Bashkinë e Tiranës, duke theksuar se pa mbështetjen e tyre, kjo shkollë nuk do të ishte mundësuar.
“Jam shumë e lumtur që ndodhem sërish këtu sot, për të dorëzuar një tjetër shkollë në Tiranë. Ne jemi shumë krenarë që dorëzojmë këto shkolla kaq të bukura dhe mendoj se kjo tregon menaxhimin domethënës të BE-së për gjeneratat e reja në Shqipëri. Gjithashtu dua t’i shpreh mirënjohjen Bashkisë së Tiranës, kryebashkiakut dhe ekipit të tij, sepse pa mbështetjen e tyre kjo shkollë nuk do të ishte mundësuar”, deklaroi Merino.
Kjo shkollë është një investim nga programi EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP. Me rindërtimin e kësaj shkolle nxënësit, fëmijët dhe mësuesit kanë lënë pas mësimin me dy turne dhe e kanë nisur vitin e ri shkollor në “shtëpinë e tyre” në mjedise tërësisht bashkëkohore dhe dinjitoze për zhvillimin e procesit mësimor sikurse në vendet e Bashkimit Evropian.