Përtej fasadës së fillimvitit shkollor!

pertej fasades se fillimvitit shkollor





































NGA QEMAL ÇEJKU Qemal Cejku

Jemi në fillim të vitit mësimor 2024- 2025, në të gjitha ciklet e arsimit parauniversitar. Gjithë ajo propagandë që bëhet nga kryeministri, kimistja industriale (ministrja jonë e Arsimit), ‘share’-t e ‘like’-t nga të gjitha shkollat, drejtuesit e mësuesit, përsëri nuk mbulojnë dot diellin e së vërtetës as me syze të errëta, as me sitën e turpit. Shkolla fillon duke hapur klasat bosh pa asnjë laborator, edhe pse u shpenzuan 5-fishi i vlerave fillestare të ndërtimit nga Banka Botërore jo më shumë se 12 vjet më parë. Arsimi matet me produktin, por jo për një vit, por për 10 vite. Rezultati pas 10 vitesh reforma e provëza me tekste anonime, me mësues të denigruar, me bojna e fasada ndërtimesh, me llojlloj gatimesh “paçavure”, deri sa arritëm në vendin e fundit në PISA.

Ndërkohë reformat vijojnë sipas propagandës. E fundit ishte reforma me emrin e bujshëm “Programi i Zhvillimit Profesional të Mësuesve” me fokus trajnimin e mësuesve, por që sikur u shua si çdo reformë apo nismë tjetër, duke lënë vetëm fotot apo ‘share’-t e zonjës, se sigurisht ajo ka më shumë rëndësi, fasada. Suksesi i gjithë këtyre viteve ishte ngritja e rrogës së drejtuesve, duke thelluar hendekun me 30 mijë lekë më shumë se paga e mësuesit. Të mos harrojmë se sukses është edhe ristrukturimi i organikës. Ndryshim emërtimi nga DPAP në AKAP, nga ZVAT në DART, kalim specialistësh nga këtej andej sipas asaj shprehjes “hiqja Lenës, venja Prenës”, hartime urdhrash, udhëzimesh me ndryshime aq të shpeshta sa nuk arrihet të thahet vula e njomë mbi letër, pa llogaritur dhe hapjen e vendeve për koordinatorët e cilësisë, që me gjithë emrin e bujshëm që kanë, me siguri do ta çojnë cilësinë e arsimit në një tjetër nivel.

Të gjithë ne që flasim nga jashtë sistemit, njohim vetëm gjysmën e gjësë, por flasim dhe mbytim mësuesin me perceptimin negativ në shoqërinë sonë. Ama kur shikojmë që kemi mbyllje klasash dhe shkollash në zonat urbane dhe shkretim total në zonat rurale e rrethe, kemi të drejtë të kërkojmë llogari ku po shkojmë dhe çfarë duhet të bëjmë shpejt, por me mend në kokë. Larg politikave që prodhojnë demotivim, fiktivitet për shkak të garave të pandershme të tipit “Kartë e performancës”, rrjedhje të fondeve në drejtime të paditura pa arritur të çojmë “ujë në çezmat e mësimdhënies”.

Mësuesi dhe sistemi na mbushin me informacione e sugjerime. T’i hapim veshët për t’i kapur këto informacione e të reflektojmë sa jemi në kohë dhe jo t’i mbysim sugjerimet me frikën e degdisjes për mësuesin që hap gojën, duke rikujtuar shprehjen e famshme “Si është arsimi sot është e ardhmja nesër”. Të mendojmë pra sot sa jemi në kohë që të mos vijë dita kur nuk do të kemi më as mësues as nxënës.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →