Drejtori i Arkivave, njëherësh pedagogu Ardit Bido, ka reaguar lidhur me incidentin e sotëm, ku pas tensionimit të situatës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, një nga qytetarët ka pështyrë prefektin e Himarës Vangjel Tavo.
Në një postim në rrjetet sociale, Bido shkroi se ajo që ndodhi në mbledhje tregon se ka një përplasje ideore mes shtetasve shqiptarë që duan begatinë e vendit dhe pështyrësve të ligji.
Mbi faktin që Blerina Bala, kryetare e bashkisë e komanduar deri në zgjedhjet e ardhsme, u votua si nga përfaqësues të PS e PL, ashtu edhe nga ata të Rithemelimit dhe PD zyrtare, tregon se forcat politike e duan ligjin dhe përballë tyre janë “agimartasit që qimen ndërrojnë por ideologjinë neonaziste nuk e harrojnë”.
Postimi i plotë:
Pështyrësit dhe ligji
Çka ndodhi sot në qytetin e Himarës, në jug të Republikës së Shqipërisë, dëftoi më së miri atë që them prej kohësh: këtu nuk ka asnjë kundërshti as mes shqiptarësh e as mes shumicës dërrmuese me vetidentifikim shqiptar dhe pakicës paqësore me vetidentifikim grek. Këtu ka një përplasje ideore mes shtetasve shqiptarë pa dallime që duan begatinë e këtij vendi dhe nuk duan pengmarrjen e tij dhe pështyrësve të ligjit që shëmtojnë fytyrën e vetë më keq se e shëmton gëlbaza fizike që hedhin sepse kanë pështymën njerëzore të akumuluar në masakrat e MAVI-t, në përçundimin e simboleve kombëtare dhe në përdorimin e mekanizmave agimartase për t’u imponuar me qëllime antishqiptare brenda shtetit shqiptar! Këtu, kemi të bëjmë me përplasjen mes pështymës dhe ligjit. Fakti që sot pamë se ligjin e do edhe PS, edhe PD (zyrtare dhe e rithemelimit), edhe PL, edhe çdo forcë tjetër politike reale që përfaqësohet me votat e himarjotëve në Këshillin Bashkiak rrëfen me dritën e paerrur nga asnjë pështymë se kush është përballë: agimartasit që qimen ndërrojnë por ideologjinë neonaziste nuk e harrojnë!
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co