Një magazinë e vjetër e braktisur, e cila përmbante kartosera, fuçi vaji, dhe solari, është përfshirë nga flakët disa minuta më parë në fshatin Lavdan të Bashkisë Mallakastër, pranë ish-KPTHN Ballsh.
Lajmi është konfirmuar nga shërbimet zjarrfikëse dhe kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Sipas Ismailajt, magazina kishte materiale të ndryshme dhe kishte mbetur e hapur, por gjithashtu kishte mbetje të ndryshme si fuçi vaji dhe solari. Magazina kishte dy pronarë, një nga Buzmadhi i Cakranit dhe një tjetër nga Drizari, të cilët e kishin braktisur atë prej disa muajsh.
Për të shuar zjarrin, janë angazhuar zjarrfikësit e Bashkisë Mallakastër, të cilët janë ndihmuar edhe nga një automjet zjarrfikës i kompanisë Albpetrol. Pasi zjarrfikësit kanë hasur vështirësi në përdorimin e ujit për të shuar flakët, ata kanë përdorur lëndë të posaçme zjarrfikëse për të neutralizuar zjarrin.
Pranë magazinës ndodhen një banesë dhe një fabrikë vaji ulliri. Zjarrfikësit janë në gatishmëri të plotë për të parandaluar përhapjen e zjarrit në këto objekte.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co