NGA DAVID WISNER
Zoti President, shumë fale minderit për fjalët tuaja dashamirëse! Zonja Kryetare e Kuvendit, Shkëlqesi, të nderuar të ftuar, miq – faleminderit që na u bashkuat për të festuar 248-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara! Dua ta filloj duke falënderuar sponsorët tanë bujarë sonte, të cilët ishin vendimtarë për realizimin e kësaj mbrëmjeje dhe më e rëndësishmja, po bëjnë punë të shkëlqyer këtu për t’i sjellë më pranë të dyja vendet tona. Lista e tyre është në ekranin pas meje.
Për amerikanët, Dita e Pavarësisë është një ditë e shenjtë. Teksa veshim ngjyrat tona të kuqe, të bardhë dhe blu dhe mblidhemi me familjen e miqtë, nderojmë edhe historinë tonë. Ne përsiatemi mbi frymën e lirisë dhe të patriotizmit që na bën të fortë. Mbrëmja e sotme është shumë e veçantë për të gjithë ne amerikanët këtu që ta ndajmë këtë frymë me ju, miqtë dhe familjen tonë shqiptare. Lidhjet që bashkojnë dy vendet tona janë forcuar gjatë 102 viteve të fundit. Kemi shumë të përbashkëta – që nga shqiponjat që fluturojnë mbi vendet tona, te dashuria jonë për lirinë, te pasioni për futbollin (sado të ndryshme që janë!), tek amerikanët që vizitojnë dhe jetojnë në Shqipëri dhe komunitetet e mëdha e të talentuara të diasporës shqiptare në SHBA, të ekspozuara këtu sonte. Këtë mbrëmje dëshirojmë të na bashkoheni për të nënvizuar një lidhje të veçantë që na lidh – atë të përkushtimit ndaj shërbimit publik.
Ndonjëherë dëgjoj se shqiptarët kanë rezerva ndaj shërbimit publik, duke kujtuar ngjyrimet që ky koncept kishte gjatë periudhës së errët në historinë e Shqipërisë. Gjatë vitit tim këtu, kam parë se realiteti është pak më i ndryshëm dhe në fakt, më bën të kem më shumë optimizëm. Gjyqtari i shkëlqyer i Gjykatës së Lartë të SHBA-ve dhe kryqtari kundër korrupsionit, i ndjeri Louis Brandeis, ka thënë: “Zyra më e rëndësishme politike është ajo e qytetarit të thjeshtë”.
Ju lutem, bashkohuni me mua për të menduar mbi këtë për një çast! Shumë prej jush po i shërbeni vendit tuaj në mënyra të rëndësishme dhe ndërsa hedh sytë përreth, shoh shumë shembuj frymëzues. Shoh Këshillin tonë Rinor dhe Ambasadorët e Natyrës, që u mësojnë bashkëmoshatarëve të tyre të bëhen qytetarë aktivë dhe të angazhuar, mësime vendimtare për të ndërtuar demokracinë e Shqipërisë. Shoh mësues dhe përkthyes të gjuhës së shenjave nga Instituti i Nxënësve që nuk Dëgjojnë që i përgatisin nxënësit e tyre të kenë sukses, duke u bërë shembull për mundësi të barabarta për të gjithë. Shoh punonjës nga të gjitha degët e qeverisë që ofrojnë shërbime thelbësore në komunitetet e tyre dhe punojnë për t’i bërë ato më të forta. Shoh biznesmenë dhe sipërmarrës që bëjnë novacione, ofrojnë produkte e shërbime të reja, të cilat përmirësojnë jetën dhe krijojnë vende pune, në përpjekje për ta bërë Shqipërinë një vend ku të rinjtë të duan të ndërtojnë jetën e tyre.
Shoh përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave të pavarura që marrin përsipër rreziqe dhe mbështesin nevojat e atyre që nuk kanë zë, ndërsa organizojnë qytetarët për çështje të rëndësishme për ta dhe për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë. Shoh gjyqtarë, prokurorë, hetues, avokatë dhe shumë të tjerë që punojnë shumë për të reformuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe për të luftuar korrupsionin, në mënyrë që të gjithë të jenë me të vërtetë të barabartë përpara ligjit. Teksa NATO i afrohet ditëlindjes së 75-të, shoh anëtarë të ushtrisë shqiptare që po mbrojnë demokracinë dhe vlerat tona të përbashkëta prej atyre që kërkojnë t’i shkatërrojnë ato. Me pak fjalë, shoh një komunitet njerëzish që kjo Ambasadë është thellësisht krenare t’iu qëndrojë krah për krah si miq, partnerë dhe aleatë.
Më lejoni ta mbyll duke ndarë një shprehje të urtë nga shkrimtarja e pakrahasueshme amerikane, Toni Morrison. Në diskutimin e dokumentit tonë themelor, Deklaratës së Pavarësisë, Morrison donte tha se do të donte “që Xhefersoni të mos kishte përdorur frazën ‘rendja pas lumturisë’, si e drejta e tretë… do të doja të kishte shkruar jetën, lirinë dhe rendjes pas diçkaje kuptimplotë ose integritetit ose së vërtetës… ju nxis, ju lutem mos u kënaqni me lumturinë. Nuk është mjaftueshëm e mirë. Sigurisht që ju e meritoni atë. Por nëse kjo është gjithçka që keni në mendje – lumturinë – dua t’ju sugjeroj se suksesi vetjak i zbrazët nga të qenit kuptimplotë, pa një përkushtim të qëndrueshëm ndaj drejtësisë sociale, është më shumë se një jetë shterpë, është një jetë e rëndomtë. Është të dukesh mirë në vend të bësh mirë”.
Morrison vazhdoi: “Ti vetë mund ta shkruash rrëfimin e një jete të denjë”. Pra, tek festojmë sonte, le të ripërtërijmë angazhimin tonë për një jetë të denjë, për të bërë mirë dhe për ta bërë atë së bashku. Le ta mbështesim njëri-tjetrin, ndërsa vazhdojmë të bëjmë punën e rëndësishme që i bën të dy vendet tona më të mira dhe më të forta dhe që i jep kuptim të gjithë jetës sonë. Në fund, më lejoni të vlerësoj personelin fantastik të ambasadës sonë për festën e sotme. Ky aktivitet ishte një përpjekje e vërtetë në ekip, por më lejoni të falënderoj veçanërisht Michael Heise, John Johnstone dhe Andrea Broggi për drejtimin e kësaj përpjekjeje. Gëzuar Ditën e Pavarësisë së Amerikës dhe për shumë vite të tjera miqësie amerikano-shqiptare! Faleminderit dhe kalofshi bukur!
* Fjala përshëndetëse në ditën e Pavarësisë së SHBA-ve
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co