Gjykata e Fierit mori sot (2 shtator) vendimin për të liruar me kusht nga burgu Fredi Belerin, duke pranuar kështu kërkesën e tij.
Fredi Belerit i kishin mbetur edhe 6 javë për të përfunduar dënimin.
Ndërkohë mësohet se pasi të lërë qelinë, Fredi Beleri do t’i drejtohet qytetit të Himarës, ku edhe do të mbajë një fjalim para mbështetësve të tij.
“Gjykata pranoi kërkesën tonë, urdhëroi lirimin para kohe. I kishin mbetur 6 javë për të bërë. Respekte për gjykatën. U tregua e pavarur. I kishin mbetur edhe dy muaj. Pronari që i ka çelësat e burgut dha leje pas zgjedhjeve që të dali”, tha avokati i tij, pas vendimit.
Ish-kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, ndodhej në qeli që prej 12 majit të vitit 2023, dy ditë para zgjedhjeve, pasi u akuzua për korrupsion në zgjedhje.
Kujtojmë që në muajin korrik, miratoi kërkesën duke i dhënë leje Fredi Belerit për të shkuar në Strasburg për t’u betuar si eurodeputet.
Rrugëtimi i Fredi Beleri në burg
Beleri, i cili u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të fundit lokale në Shqipëri me akuzën e blerjes së votave, u gjet fajtor nga Gjykata e Posaçme dhe dënimi ndaj tij u konfirmua në Apel.
Edhe pse i arrestuar Beleri fitoi zgjedhjet në Himarë në maj 2023 dhe qe kryetar i zgjedhur i bashkisë deri në korrik 2024, kur pas vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Posaçme të Apelit, Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve e shpalli mandatin e tij të pavlefshëm.
Për shkak të arrestimit Beleri nuk kreu dot betimin si kryebashkiak dhe gjykata refuzoi ta lejonte atë të merrte mandatin.
Gjatë kohës që Beleri përballej me akuza në Shqipëri ai mori mbështetje nga Athina zyrtare dhe partia e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis e kandidoi në listën e saj për deputetë të Parlamentit Europian. Beleri u shpall fitues, ndërsa ishte dënuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Shqipëri.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co