Me 25 vota pro, 293 kundër dhe 27 abstenime, ligjvënësit spanjollë kanë refuzuar një nismë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Spanja.
Nisma u paraqit para Parlamentit spanjoll nga partia Junts per Catalunya (Së bashku për Katalonjën), që udhëhiqet nga Carles Puigdemont, dhe disa ditë më parë u mbajt edhe një debat parlamentar për të.
Në letrën që kjo parti dorëzoi në Parlament, ishte përmendur vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila në vitin 2010 kishte deklaruar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Gjithashtu ishte përmendur fakti se Kosova njihet nga më shumë se 100 shtete.
“Refuzimi spanjoll për ta njohur një shtet që shfrytëzoi të drejtën legjitime për vetëvendosje është një pengesë për politikën evropiane të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Dhe ky refuzim është një faktor destabilizues në këtë zonë, në një kontekst të shënuar nga luftë në Ukrainë të cilën kjo pjesë e Evropës e përjeton me ankth të veçantë”, thuhej në propozim.
Spanja është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk njeh pavarësinë e Kosovës.
Arsyeja kryesore për mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Spanjës besohet se lidhet me qëndrimin spanjoll karshi aspiratave të rajonit verilindor të saj, Katalonjës, që të shpallet i pavarur.
Ky rajon ka pasur disa përpjekje të pasuksesshme që të ndahet nga Spanja, ndërsa Madridi zyrtar e ka kundërshtuar ashpër këtë lëvizje./REL
Burimi informacionit @Gazeta Shqiptare Online: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co