Prezenca e dy boksiereve transigjinore në Lojërat Olimpike “Paris 2024” ka sjellë debate të forta. Imane Khelif nga Algjeria dhe Lin Yu-Ting nga Tajvani, një vit më parë përjashtoheshin nga Federata Ndërkombëtare e Boksit (IBA) për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, për shkak se konsiderohen biologjikisht burra.IBA bënte të ditur se testet e ADN-së kanë treguar sportistet kishin kromozome XY. Megjithatë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka vendosur që t’i lejojë që të garojnë në “Paris 2024”, një vendim që nuk është pritur aspak mirë, ndërsa ka pasur reagime të forta. Në Itali kjo është bërë çështje shtetërore në ditën e fundit, pasi siç dihet algjeriania Imane Khelif do të përballet sot në orën 12:20 me boksieren axurre, Angela Carini, në duelin e peshave – 66 kg.
Vetë Carini nuk ka dashur të polemizojë, teksa pyetjes për përballjen me boksieren transgjinore i është përgjigjur kështu: “Më duhet të përshtatem me atë që ka vendosur IOC, kështu që nesër (sot) do të shkoj në ring dhe do të jap gjithçka”, është shprehur 25-vjeçarja napolitane. Për lejimin e transgjinoreve në Olimpiadë ka reaguar edhe vetë ministri i sportit në Itali, Andrea Abodi, i cili ka shprehur shqetësimin e tij: “E kam të vështirë të kuptoj se nuk ka përafrim në parametrat e vlerave minimale hormonale në nivel ndërkombëtar, ku përfshihen pra kampionatet europiane, botërore dhe Olimpiada. Në rast se përfaqëson vlerat më të larta të sportit, duhet të garantohet siguria e sportistëve dhe sportisteve si respektimi i konkurrencës së ndershme nga pikëpamja konkurruese, por nesër (sot) për Angela Carinin nuk do të jetë kështu”, është shprehur Abodi.
“Çështja e sportistëve transgjinorë është një çështje që duhet të gjurmohet në kategorinë e respektit në të gjitha format e saj, por ne duhet të dallojmë praktikën sportive nga shpirti konkurrues që duhet të na lejojë të garojmë në kushte të barabarta, në siguri të plotë. Është mjaft e qartë se dimensioni i identitetit gjinor në fushën konkurruese ngre problemin e mundësive të barabarta apo të njëjtave mundësi. Nuk është rastësi që shumë disiplina sportive kanë vendosur kufizime të nevojshme për atletët transgjinorë, për t’i lejuar ata të konkurrojnë në të njëjtat kushte. Në këtë rast jemi dëshmitarë të një interpretimi të konceptit të gjithëpërfshirjes që nuk merr parasysh faktorët parësorë dhe të domosdoshëm”, përfundoi Abodi.
QËNDRIMI I IOC Një temë e nxehtë që ka sjellë gjithashtu edhe reagimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Zëdhënësi i IOC, Mark Adams, theu heshtjen dhe u përpoq të shuante dyshimet për identitetin e Khelif dhe hijet mbi rregulloret. “IOC është krejtësisht i qetë në lidhje me rregullat në fuqi për Lojërat Olimpike që nga ‘Rio 2016’ dhe ‘Tokio 2020’. Nuk duhet të ketë një ‘gjueti shtrigash” kundër dy boksiereve plotësisht të kualifikuara (Khelif dhe Lin Yu-Ting). Ato janë gra në pasaportat e tyre dhe ato kanë konkurruar për shumë vite”, deklaroi zëdhënësi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Në “Tokio 2024”, algjeriania u mund në çerekfinale nga irlandezja Kellie Harrington, e cila më pas fitoi medaljen e artë. Ndërsa YuTing e Tajvanit, dy herë kampione aziatike, u eliminua në raundin e 16-të.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co