Edicioni i 33-të Lojërave Olimpike do të startojë zyrtarisht mbrëmjen e sotme me ceremoninë e hapjes që do të mbahet përgjatë Lumit të Senës në Paris.Përveç emocioneve dhe spektaklit që garanton si gjithnjë evenimenti më madhor global i sportit, një ndër kuriozitet mbetet edhe çmimet për medalistët në Lojërat Olimpike. Vlera e medaljes për një sportist mbetet e paçmuar, për gjithçka që ajo mbart, por ajo gjithashtu ka edhe një çmimi financiar, që varion sipas shteteve. Prandaj, Lojërat Olimpike Verore premtojnë jo vetëm lavdi sportive, por edhe çmime shumë të ndryshme nga shteti në shtet për sportistët që arrijnë të ngjiten në podiumin.
Ndërsa lavdia e fitimit të një medalje olimpike është universale, çmimet e ofruara ndryshojnë shumë dhe janë të vendosura sipas komiteteve olimpike të shteteve apo nga qeveritë e secilit vend. Shqipëria është në kërkim të medaljes së parë olimpike në historinë e saj dhe do të konkurrojë në “Paris 2024” me tetë sportistë. Por sa vlerësohet financiarisht një ngjitje e mundshme në podium për sportistët tanë në Lojërat Olimpike? Sipas legjislacionit në Shqipëri fituesi i medaljes së artë në Olimpiadë shpërblehet me 100 milionë lekë të vjetër. Medalisti i argjendtë me 70 milionë, ndërsa ai i bronztë me 50 milionë. Ndërsa që një rekord olimpik shpërblehet me 150 milionë lekë. Por VKM-ja nuk parashikon shpërblime financiare vetëm për medalistët, pasi në zona e shpërblimeve mbërrin deri në vendin e tetë. Kështu vendi i katërt olimpik paguhet nga shteti shqiptar me 30 milionë lekë të vjetër, i pesti me 20 milionë, i gjashti me 10 milionë, i shtati me 8 milionë dhe i teti me 4 milionë.
SHPËRBLIMET NËPËR BOTË
Nëse kalojmë përtej Adriatikut, Komiteti Olimpik i Italisë (CONI) ofron 180 mijë euro për medalistët e artë, 90 mijë për argjendin dhe 45 mijë për bronzin. Italianët fituan 40 medalje në “Tokio 2020” (10 ari, 10 argjendi, 20 bronzi), me një total prej 2.43 milionë eurosh të shpërndara për sportistët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat dominuan në tabelën e medaljeve në “Tokio 2020” me 113 medalje (39 ari), çmimet ishin më modeste: 35 mijë euro për arin, 21 mijë euro për argjendin dhe 14 mijë euro për bronzin. Vende të tjera ofrojnë çmime më të mëdha, si për shembull Arabia Saudite, e cila e shpërbleu karateistin Tereg Hamedi me 1.2 milionë euro për një medalje argjendi në Tokio. Ndërsa Hong Kongu ofron rreth 700 mijë euro për një medalje ari, falë mbështetjes së sponsorëve vendas.
Singapori, i financuar nga organi kombëtar i lotarisë, ofron çmime deri në 1.8 milionë euro për ekipet fituese. Në Tajvan, atletët marrin 550 mijë euro për medaljen e arit dhe një pension mujor prej rreth 3700 euro. Ndryshe ndodh në Indi, ku qeveria ofron rreth 83 mijë euro për një të artë, ndërsa Shoqata Olimpike Indiane i shton kësaj shume edhe 110 mijë euro. Ndërkohë disa vende nuk ofrojnë çmime në para: në Indonezi, fituesit e medaljeve mund të marrin lopë, shtëpi të reja dhe madje edhe restorante. Në Kazakistan, atletët marrin apartamente të madhësive të ndryshme bazuar në ngjyrën e medaljes. Në Kinë, sportistët e shpërblyer kanë marrë apartamente nga kompanitë e pasurive të paluajtshme, si dhe çmime të rëndësishme monetare. Ndërsa në vende të tjera si Britania e Madhe, Suedia dhe Norvegjia, nuk ofrojnë çmime monetare për sportistët e tyre olimpikë. Megjithatë, garantojnë mbështetje dhe financim për përgatitjen dhe zhvillimin e sportistëve.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co