Papa Françesku lëshoi të mërkurën një apel të ri për paqe në Gaza dhe Ukrainë, duke dënuar vrasjen e punonjësve të ndihmës në një sulm ajror izraelit dhe duke nderuar një ushtar ukrainas që vdiq në luftën kundër Rusisë.
Shtatë persona që punonin për shoqatën bamirëse World Central Kitchen (WCK) u vranë të hënën në Gaza në atë që kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka quajtur një incident të paqëllimshëm dhe “tragjik”.
Papa 87-vjeçar ka qenë në gjendje të keqe shëndetësore javët e fundit, duke kufizuar fjalimet e tij në publik ose duke anuluar disa angazhime gjatë javës së Pashkëve, por të mërkurën ai mori pjesë plotësisht në audiencën e jashtme.
Ai rinovoi thirrjet për një armëpushim “të menjëhershëm” të Gazës, lirimin e të gjithë pengjeve izraelitë të rrëmbyer nga militantët palestinezë Hamas, akses të plotë në ndihma humanitare dhe paralajmëroi kundër çdo zgjerimi rajonal “të papërgjegjshëm” të konfliktit.
Duke iu kthyer Ukrainës së “martirizuar”, Françesku u tha turmave në sheshin e Shën Pjetrit se mbante në duar një kopje të Testamentit të Ri dhe një grup rruazash që i përkisnin një ushtari të vrarë 23-vjeçar ukrainas. Françesku tha se ushtari, të cilin ai e identifikoi vetëm si Oleksandr, vdiq në Avdiivka, një qytet lindor i Ukrainës i pushtuar nga rusët në shkurt.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co