Nga BESNIK DIZDARI
Kështu mund ta përcaktoj Kombëtaren e Shqipërisë, e cila me ndeshjet e mira që zhvilloi në këto finale të EURO 2024, u largua me nder nga Gjermania. Kjo ishte njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes është se Kombëtarja nuk fitoi asnjë ndeshje, mori vetëm 1 pikë dhe u rendit e fundit në grupin e saj. E, nëse duam të punojmë më përsëmbari, vetvetiu na duhet t’i shohim, madje t’i analizojmë të dy anët e medaljes.
Dhe ja tek na shfaqet Kombëtarja e Shqipërisë që kryesisht vjen nga Zvicra:
Armir ABRASHI:
Ka luajtur 2 ndeshje me Zvicrën “U17”, 20 ndeshje me Zvicrën “U19”, 18 ndeshje me Zvicrën “U21”, 4 ndeshje me Zvicrën Olimpike.
Arlind AJETI:
7 ndeshje me Zvicrën “U17”, 5 ndeshje me Zvicrën “U18”, 15 ndeshje me Zvicrën “U19”, 2 ndeshje me Zvicrën “U20”, 12 ndeshje me Zvicrën “U21”.
Naser ALIJI: 1 ndeshje me Zvicrën “U15”, 16 ndeshje me Zvicrën “U16”, 3 ndeshje me Zvicrën “18”, 6 ndeshje me Zvicrën “U20”, 2 ndeshje me Zvicrën “U21”.
Jasir ASANI: 4 ndeshje me Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut.
Nedim BAJRAMI: 5 ndeshje me Zvicrën “U15”, 7 ndeshje me Zvicrën “U16”, 13 ndeshje me Zvicrën “U17”, 4 ndeshje me Zvicrën “U18”, 9 ndeshje me Zvicrën “U19”, 11 ndeshje me Zvicrën “U21”.
Ivan BALLIU: 3 ndeshje me Spanjën “U16”, 3 ndeshje me Spanjën “U17”.
Medon BERISHA: 2 ndeshje me Kosovën “U21”.
Mirlind DAKU: 11 ndeshje me Kosovën “U21”, 5 ndeshje me Kombëtaren e Kosovës.
Berat GJIMSHITI: 3 ndeshje me Zvicrën “U18’, 9 ndeshje me Zvicrën “U19”, 5 ndeshje me Zvicrën “U21”.
Arbër HOXHA: 1 ndeshje me Kosovën “U21”, 3 ndeshje me Kombëtaren e Kosovës.
Ardian ISMAILI: 21 ndeshje me Kosovën “U21”, 1 ndeshje me Kombëtaren e Kosovës.
Taulant SEFERI: 9 ndeshje me Maqedoninë “U15”, 3 ndeshje me Maqedoninë “U17”, 5 ndeshje me Maqedoninë “U18”, 10 ndeshje me Maqedoninë “U19”, 2 ndeshje me Maqedoninë “U21”, 2 ndeshje me Kombëtaren e Maqedonisë.
Ylber RAMADANI: 1 ndeshje me Kosovën “U19”.
Duke shpresuar që të mos kemi pasaktësira, na del se nga 26 lojtarë të Kombëtares, plot 13 prej tyre, para se të mbërrinin te Shqipëria, kanë veshur fanellat e skuadrave Kombëtare të ndryshme të vendeve të huaja. “Shkëlqen” Zvicra me 5 prej tyre, mandej po me 5 Kosova, 1 Maqedonia e Veriut dhe 1 Spanja. Çka do të thotë se 13 lojtarë të Kombëtares së Shqipërisë nuk i përkasin futbollit shqiptar, por atij të huaj. Natyrisht pa harruar se ata janë të racës shqiptare dhe kanë vendosur të luajnë për Shqipërinë “nënë”. Këtë vendim ata e kanë marrë mbasi futbollistë të mirë i kanë lindur e formuar shtete të tjera, madje deri Kombëtaret e tyre.
Po ndërkohë asgjë nuk mbaron këtu. Kjo ngaqë edhe 11 lojtarë të tjerë, nuk i ka lindur e formuar futbolli shqiptar, por gjithashtu shtetet e tjera, ndonëse ata nuk kanë mbërritur deri te fanellat e Kombëtareve të shteteve të tjera. Me i ra shkurt, prej të 26-tëve vetëm dy i lojtarë i ka lindur futbolli i Shqipërisë: Ernest Muçin dhe Elseid Hysajn kur ishte 15-vjeçar. Kjo do të thotë se nga 26 lojtarët e Shqipërisë, “harta” e tyre është kjo:
13 lojtarë kanë ardhur prej Kombëtareve të shteteve të tjerë dhe 11 të tjerë gjithashtu kanë ardhur prej futbollit të shteteve të tjerë, por pa arritur të veshin fanellat e Kombëtareve të këtyre shteteve.
Ky është shembulli i Shqipërisë në “EURO 2024”.
Ndërkaq, i futem historisë botërore të futbollit dhe përfundoj duke thënë se deri më sot kjo nuk kishte ndodhur me asnjë skuadër Kombëtare. Pra, deri sot nuk kishte ndodhur që një skuadër Kombëtare e një shteti nga të 26 lojtarët e saj, vetëm 2 t’i kishte lindur toka e saj e futbollit. E po aq, në asnjë shtet të botës nuk kishte ndodhur që 13 lojtarë të një Kombëtareje të një shteti të jenë marrë nga Kombëtaret e një shteti tjetër.
Morali i fabulës është ky:
Kjo Kombëtare e Shqipërisë, me shembullin e saj i ka dërguar këtë mesazh futbollit të brendshëm kombëtar të Republikës së Shqipërisë. E, të duket sikur ky mesazhi në fjalë “njofton”:
“Asnjë lojtar i Republikës së Shqipërisë të mos ëndërrojë Kombëtaren, qoftë edhe më i talentuari. Kemi vendosur që Kombëtarja e Shqipërisë të përbëhet nga shqiptarë të cilët i lindin, i rrisin dhe i formojnë shtetet e tjera. Dhe jo klubet e shtetit të tyre, të kampionatit të tyre, të skuadrave të qyteteve të tyre”.
Megjithatë, ka një rast që na përngjason. Është rasti i Italisë të atyre që prej latinishtes u quajtën “oriundo”, që në shqipet don të thotë me lindë e me u rritë në një shtet të huaj prej prindërve që nuk i përkasin këtij shteti, pra as kombësisë së tij, por atdheut prejardhës. Italia bëri si të thuash namin me ta, sidomos në vitet ’30 e 50’ të shekullit të shkuar.
Emrat e tyre janë legjendarë: Guaita, Monti, Orsi, Altafini, Angellilo, Ghiggia, Schiaffino, Sivori, Sormani. Ishin italianë të cilët vinin nga Argjentina, Brazili e Uruguaj. Mandej, kah vitet ’60, Federata Italiane e Futbollit pranoi që ky vërshim po pengonte lindjen, formimin dhe rritjen e talenteve të futbollit të tokës italiane dhe e ndali këtë importim. Dhe mbas kësaj embargoje, siç dihet, tashmë vendasit e saj, Italia mbërriti deri te Kampione e Botës dhe e Europës. U bind se toka e saj e Apenineve nuk shteron kurrë nga talentet e saj të futbollit.
E këto janë shembuj të mëdhenj. E rëndësishme është se nuk kam kurajon që të mendoj se duke u mbështetur kaq shumë (në pak emra talentesh të mëdhenj edhe ia vlen) vetëm tek lojtarët shqiptarë të shteteve të tjera, të guxoj e të parashikoj pra, se Shqipëria mund të fitojë tituj botërorë a europianë. Doemos pa dashur të nënvleftësoj aspak dy arritjet e bukura të Kombëtares së Shqipërisë, e cila ka meritën se brenda tre edicioneve të fundit arriti dy herë kualifikimin në finalet e Kampionatit Europian. Vetëm se po guxoj të them se ia vlen që eksperimenti të ndalë këtu.
Jo thjesht që t’ia lejojmë Kombëtares së Kosovës që kryesisht ajo të mbështetet më fort te djemtë e saj që jetojnë jashtë, por mbi të gjitha, për të flakur tej, pengesën e madhe që po i bëhet talenteve të futbollit të Republikës së Shqipërisë për të ëndërruar fanellën e Kombëtares së tyre.
Kjo embargo, merret me mend se do të nxisë fuqizimin cilësor të Kampionateve të Shqipërisë, në rënien e dukshme të të cilit ka ndikuar fort edhe mënjanimi i talenteve të tij, të cilët dihet, kurrnjiherë nuk kanë munguar.
Këtu tema në fjalë lind plot të tjera: të tilla si themelimi i Ligës Kombëtare të Futbollit, shkëputja e saj prej tutelës së FSHF. Në mënyrë që kjo Ligë e pavarur të udhëheqë organizimin dhe zhvillimin e Kampionateve Kombëtare, rritjen e elementit tëri, forcimin e skuadrave të qyteteve, përmes strukturave të fuqishme, çka nuk ka asnjë pengesë për të filluar qysh këto dit pra, qysh në këtë stinë 2024-2025. Është atdhetaria përmes futbollit që e kërkon këtë ndryshim të shumëpritur.
Ndryshe do të mbetemi vetëm te kualifikime, edhe pse të bukura, si këto dy të fundit, me 1 apo 3 pikë të fituara dhe vetëm kaq. Çka natyrisht, nuk na bën që t’i injorojmë. Përkundrazi. Na bën që t’i vlerësojmë fort si një anë e medaljes, pra. Por ndërkaq, duke kërkuar që patjetër të shndërrisim sado pak anën tjetër të medaljes që ende është tejet e zbehtë. E cila ta do mendja se është edhe më e rëndësishmja. Sepse është kjo anë që përbën zhvillimin dhe fuqizimin e vërtetë kombëtar të futbollit qytetar të Republikës së Shqipërisë
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co