Është arrestuar në Portugali shqiptari Arben Kaçorri, i cili është dënuar në Itali me gati 22 vite burg për vrasje dhe është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Sipas mediave portugeze, Arben Kaçorri është vënë në pranga bashkë me trafikantin e drogës, Ícaro Leddy Gouveia, i njohur me nofkën “Fantazma” në një ndërtesë luksoze në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit portugez.
Raportohet se Arben Kaçorri, 52 vjeç, një nga emrat kryesorë të mafies ballkanike, jetonte prej 11 vitesh në një pallat luksoz në Parque das Nações, në Lisbonë. I dënuar në Itali me gati 22 vite burg për vrasje.
Në të njëjtën ndërtesë, vetëm një kat më lart, jetonte portugezo-braziliani Ícaro Leddy Gouveia, 48 vjeç, anëtar i mafias marokene “Mocro’, por që vepron kryesisht në Holandë.
Të dy të arrestuarit mësohet se kanë drejtuar një rrjet kushtuar trafikut ndërkombëtar të drogës, i cili operonte në Portugali dhe Holandë. Dhe gjithçka thuhet se koordinohej nga ndërtesa ku ata jetonin.
Në një deklaratë, Policia Gjyqësore portugeze shpjegon ka zbërthyer organizatën kriminale gjatë një operacioni të quajtur “Labyrinth”, i cili u krye njëkohësisht në të dy vendet dhe bëri të mundur çmontimin e infrastrukturës së grupit të krimit të organizuar të akuzuar për trafik droge, pjesëmarrje në një organizatë kriminale, rrëmbim, pengmarrje dhe rrëmbim.
“Arben Kaçorri dhe Ícaro Leddy Gouveia mbeten edhe sot fqinjë, megjithëse kanë ndryshuar adresën dhe tashmë janë në burgun e sigurisë së lartë Monsanto, në Lisbonë, ku presin zhvillimin e hetimeve”, raporton media portugeze.
Sipas autoriteteve, të arrestuarve u sekuestruan sasi të mëdha parash, disa automjete të nivelit të lartë, mallra luksi, sisteme komunikimi dhe pajisje të ndryshme kompjuterike.
Në njoftim, policia thekson gjithashtu se kjo organizatë ka kryer disa krime të dhunshme që synonin të zotëronin drogë përmes përdorimit të forcës dhe përdorimit të armëve. Duke pasur parasysh potencialin e madh ekonomik të organizatës, anëtarët e saj kishin masa të forta sigurie dhe vetëmbrojtjeje, përkatësisht mjete të avancuara të transmetimit të informacionit, si në nivel individual, ashtu edhe të përdorura në përdorimin e kundërmasave policore.
Autoritetet besojnë se kjo artakëri midis mafies ballkanike dhe “Mocro Mafias”, një organizatë që është lidhur me vrasjen e gazetarit holandez Peter R. de Vries, në korrik 2021, dhe kërcënimet me vdekje ndaj shtëpisë mbretërore holandeze, Princeshës Catharina-Amalia, ka operuar kryesisht jashtë vendit. Trafiku ndërkombëtar i kokainës kishte si epiqendër portet e Roterdamit dhe Antwerpen, në Belgjikë.
Kush është Arben Kaçorri
Emri i Arben Kaçorrit ka qenë i panjohur në Lisbonë, ndryshe nga ai i Ícaros, i ekspozuar në media. I konsideruar si “shumë i rrezikshëm”, ai jetoi për 11 vite një jetë të matur dhe luksoze në kryeqytetin portugez.
Arben Kaçorri ka një prejardhjeje të gjatë të lidhur me organizata kriminale. Ai po ashtu është vëllai i Valentino Kaçorrit, i cilësuar gjithashtu si pjesëtar i mafies ballkanike. Ky i fundit është edhe kunati i Ervis Martinajt, i njohur si “Mbreti i lojërave të fatit”, i zhdukur që prej gushtit 2022.
Në maj të vitit 2009, Kaçorri u dënua në Itali me 21 vjet e tetë muaj burg për vrasjen e bashkatdhetarit të tij Fatmir Kala, në Firence, si dhe për armëmbajtje pa leje. Dënimi u bë i parevokueshëm në tetor 2010, pasi ankesa e tij e fundit u refuzua. Autoritetet italiane, megjithatë, nuk arritën kurrë ta lokalizonin Kaçorrin në mënyrë që ai të vuante dënimin.
Shqiptari ka përfituar edhe falje prej tre vitesh, por duhet të vuajë 18 vjet e tetë muaj burg për atë krim. Së shpejti Italia duhet të kërkojë ekstradimin e të dënuarit në shtetin portugez.
Pas këtij dënimi, 15 pasuri të Kaçorrit iu konfiskuan me vendim të një gjykate shqiptare. Trafikanti i drogës humbi ndërtesa tregtare, apartamente, toka dhe garazhe, të gjitha të vendosura në Tiranë dhe në qytete të tjera.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co