Policia e Tiranës ka arrestuar 8 persona, për vepra të ndryshme penale. Dy prej këtyre personave janë arrestuar për dhunë, njëri akuzohet se goditi me grushte vartësen e tij dhe një tjetër bashkëshorten.
NJOFTIMI I POLICISE
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin M. A., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi për shkak të detyrës, dyshohet se ka goditur me grusht vartësen e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasit:
– E. S., banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe e ka kanosur atë;
– J. C., 25 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin Z. Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”. Mbrëmjen e djeshme, 40-vjeçari, për motive të dobëta, është konfliktuar me shtetasin A. H., 18 vjeç. Si pasojë shtetasi A. H., është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 ekzekutuan vendimin penal për shtetasin në kërkim R. K., 56 vjeç, banues në Kamëz, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 3 muaj burgim, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë ekzekutuan vendimin penal për shtetasin në kërkim D. A., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhje e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”. Specialistët e Seksionit të Menaxhimit të Trafikut Urban dhe Interurban Krujë arrestuan shtetasin H. M., 62 vjeç, banues në Luz, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, në gjendje të dehur.
Specialistët e Komisariatit të Policisë Rrugore Tiranë arrestuan shtetasin E. M., 20 vjeç, banues në Kamëz, pasi u kap duke drejtuar nën efektin e alkoolit dhe pa leje drejtimi, mjetin tip “Audi”. Materialet i kaluan Prokurorisë.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co