Në Francë zhvillohen më 30 qershor dhe më 7 korrik zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Sipas sondazheve parashikohet, që e djathta ekstreme Rassemblement National (RN) mund të fitojë shumicën e mandateve në Asamblenë Kombëtare.
Cilin kryeministër do të emërojë presidenti Macron pas zgjedhjeve?
Kushtetuta e Republikës së V miratuar më 1958 nuk njeh kufizime kushtetuese për presidentin në përzgjedhjen dhe emërimin e kryeministrit. Megjithatë ai duhet të marrë parasysh raportet e shumicës në parlament. Nëse kryeministrit i mungon mbështetja parlamentare, atëherë Asambleja Kombëtare nuk i jep atij votëbesimin. Në këtë rast qeveria duhet të japë dorëheqjen duke ia parashtruar kërkesën presidentit.
Në rast se Rassemblement National fiton shumicën e mandateve në Asamblenë Kombëtare, presidenti Emmanuel Macron duhet t’i ofrojë kryetarit të kësaj partie, Jordan Bardella, postin e kryeministrit. Alternativë tjetër nuk ka, thotë eksperti për FrancënHans Stark nga Universiteti i Parisit, Sorbonne. “Macron është dobësuar. Ai nuk ka asnjë hapësirë veprimi.”
28-vjeçari Bardella nga ana e tij ka vënë si kusht një shumicë absolute të mandateve në parlament për marrjen e përgjegjësisë në qeverisje. Në rast se nuk arrin shumicën absolute ai nuk mund të verë në jetë prgramin e tij. Me emërimin e Bardella-s kryeministër Franca do të hynte për herë të katërt në “kohabitacion” në historinë e saj.
Si funksionon “bashkëjetasa”?
Kur presidenti dhe kryeministri vijnë nga kampe të ndryshme politike, pushteti ekzekutiv në Francë është i ndarë. Presidenti dhe kryeministri duhet të bashkëpunojnë në të ashtuquajturin “bashkëjetesë” apo “kohabitacion” në të mirë të vendit. “Kohabitacioni” i parë në Francë është krijuar më 1986 – pas një zhvendosjeje të furishme të forcave – nën presidentin socialist François Mitterrand. Me humbjen e zgjedhjeve parlamentare më 1986 Mitterrand emëroi golistin Jacques Chirac dhe më 1993 Edouard Balladur kryeministër.
Nga 1997 deri më 2002 kryeministri socialist Lionel Jospin qeverisi nën presidencën e konservatorit Chirac. Ndarja e pushtetit mes dy kampeve të ndryshme politike shkakton më shumë fërkime dhe ngecje të proceseve. Vendimet janë të vështira dhe të ngadalta. Se sa me sukses qeveriset në koabitacion, kjo varet se sa mirë mund të bashkëpunojnë kryeministri dhe presidenti: Në kushtetutën e Republikës së V të vitit 1958, që vlen deri më sot, nuk parashikohet në mënyrë eksplicite një “kohabitacion”.
Sa hapësirë vendimarrjeje ka qeveria në “kohabitacion”?
Në një “kohabitacion” funksionet e presidentit i kalojnë përkohësisht kryeministrit. Jo Macron, por kryeministri i ri do të përcaktonte linjat kryesore të politikës. Pikërisht në politikën e brendëshme qeveria në “kohabitacion” ka hapësirë të gjerë veprimi. Në politikën e jashtme dhe të sigurisë kompetencat ndahen me presidentin, i cili është përgjegjës për marrëdhëniet ndërkombëtare.
Se si e përfytyron ndarjen e pushtetit RN, këtë e shpjegoi pak para zgjedhjeve Marine Le Pen: “Komandant suprem i forcave të armatosura është për presidentin (e republikës) nje titull nderi, sepse frenat i ka në dorë kryeministri”. Edhe çështjet e brendshme dhe ekonomike mund të shkaktojnë luftra pushteti mes presidentit dhe kryeministrit, sikurse kanë dëshmuar edhe “kohabitacionet” e mëparshme nën Mitterrand. Më 14 korrik 1986, dita e festës kombëtare të Francës, presidenti Mitterrand e nxori bllof kryeministrin në publik, duke deklaruar se nuk do t’i nënshkruajë dekretet e Chirac-ut për riprivatizimin e 65 bankave të shtetëzuara, sigurimeve dhe ndërmarrjeve industriale. Pa nënshkrimin e presidentit dekretet qeveritare nuk mund të hyjnë në fuqi. Ky refuzim mund t’i vonojë nismat qeveritare, por nuk mund t’i ndalojë ato.
Sa mirë mund të bashkëpunojnë Macron dhe Bardella?
Presidenti Macron i refuzon disa pjesë të programit të RN-së. RN do të përpiqet, analizon Hans Stark, që “ta verë në pozitë të vështirë Macron-in derisa ai të detyrohet të japë dorëheqjen”. Një bllokadë totale e punës së qeverisë së RN-së nuk është e mundshme. Pra Macron dhe Bardella do të detyroheshin të gjenin zgjidhje me njeri-tjetrin. Nëse presidenti synon ta refuzojë qeverinë e tij të re, Macronit do t’i duhej ta argumentonte këtë. Eshtë e mundur, që presidenti t’i drejtohet më shpesh këshillit kushtetues, për të verifikuar kushtetueshmërinë e nismave ligjore përpara se ato të shpallen. Disa projekte të qeverisë së RN mund të dështonin në pragun kushtetues.
Çfarë ndodh në rast të një shumice relative të RN-së?
Eksperti i Francës Stark mendon, se Bardella do t’i përmbahet deklarimit të tij duke hequr dorë nga marrja e qeverisë prej RN-së, nëse partia nuk del forca më e madhe duke i munguar shumica absolute. Nëse asnjë tjetër kamp politik nuk do të jetë në gjendje të krijojë shumicën, atëherë republika do të bllokohej. Presidenti në një rast të tillë nuk mund të udhëzojë sërish shpërndarjen e parlamentit. Kushtetuta për këtë parashikon një periudhë pritjeje prej një viti.
Që në fillim të qershorit në parlamentin e shpërndarë nga Macron, partitë e kampit presidencial kishin një shumicë relative. Qeveria si rrjedhojë për ligjet e rëndësishme disa herë i është referuar nenit 49.3 të kushtetutës. Ky nen i mundëson qeverisë, që të miratojë një ligj pa aprovimin e Asamblesë Kombëtare. Kjo realizohet vetëm nëse brenda 24 orëve nuk paraqitet dhe nuk kalon një mocion votëbesimi. Ky nen kushtetues në Francë është megjithatë mjaft i diskutueshëm. Nuk ka gjasë, që një qeveri e re kohabitacioni që nga fillimi i legjislaturës të dëshirojë të qeverisë me ndihmëmn e nenit 49.3.
Çfarë rrugëdaljesh mund të ketë nga një Asamble Kombëtare e bllokuar?
Partitë deri tani janë të rezervuara me propozime, se si mund të reagojë Asambleja Kombëtare pa mazhorancë të qartë. Eshtë e njohur, që në një rast të tillë Marine Le Pen konsideron se ka ardhur koha për zgjedhje të parakohshme presidenciale. Por Macron nuk mund të detyrohet të japë dorëheqjen. Në Francë nuk ka një skenar të qartë për një “republikë të bllokuar”. Shumë do të varej nga dinamika politike pas zgjedhjeve. Parimisht i mundshëm mund të jetë edhe krijimi i një qeverie ekspertësh. Një model historik për këtë deri më sot nuk ekziston në Republikën e V.
A mundet presidneti ta zgjidhjë “repulibkën e bllokuar”?
Presidenti Emmanuel Macron mund të aktivizojë nenin 16 të kushtetutës franceze. Ky nen i jep presidentit në situata krize kompetenca të jashtëzakonshme, për të garantuar vazhdimësinë e shtetit. Presidenti mund të dekretojë ligje pa miratimin e parlamentit dhe mund të nxjerrë dekrete. Eksperti i Francës Hans Stark sidoqoftë nuk beson, që neni 16 është një opcion real për Macron-in. “Unë nuk besoj, që ai për tre vjet radhazi deri në zgjedhjet e ardhëshme presidenciale do të mund të rezistojë në këtë formë. Në thelb një gjë e tillë do të nënkuptonte, se vendi ndodhet vazhdimisht në modus krize.”./ DW
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co