Aleko Berberi i quajtur në atë kohë “macja e zezë”, është një ndër portierët më të famshëm të Flamurtarit “të artë”. “Gardiani” i portës vlonjate për 10 vite sakrifikonte çdo ditë, teksa nga Narta udhëtonte në drejtim të Vlorës, 7 deri në 8 kilometra deri në destinacion, që ishte stadiumi “Flamurtari”.
Kishte raste që rrugën e bënte edhe dy herë në ditë dhe mjet të vetëm kishte biçikletën, por kur i shpoheshin gomat shkonte në këmbë. E ndërsa shokët e tij ishin të freskët, pasi jetonin në Vlorë, Aleko kur lodhej shtrihej në dyshemenë e stadiumit dhe si krevat përdorte dyshekun e kërcimit. Për të intervistuar Berberin udhëtuam drejt Nartës, ku e takojmë pranë kishës në qendër të fshatit. Si fillim heziton, për shkak se sikundër thotë ka vite është shkëputur fizikisht nga stadiumi, por jo me zemër pasi Flamurtarin e ndjek nga televizori dhe më pas nuk na kthen dot, por me mirësjellje dhe shumë përzemërsi vendos të flasë ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
Aq shumë e do skuadrën kuqezi, sa që në Nartë, Aleko i ka vendosur emrin “Flamurtari”, një lokali të vogël që e ka në pronësinë e tij. Na tregon disa ngjarje interesante, edhe atë kur tifozët prenë portat pas humbjes me Tiranën. Thotë se për situatën aktuale të Flamurtarit i dhemb shpirti. Ish-portieri i Flamurtarit aktualisht është një peshkatar i famshëm në Nartë, sidomos për peshkimin e ngjalave.
Berberi, e keni ndjekur Flamurtarin këtë sezon?
Flamurtarin e ndjek, pasi kam ushqyer familjen duke punuar për atë klub. Kam dhënë maksimumin tim.
Në fakt as këtë vit nuk u ngjit në Superiore. Të vjen keq?
Më digjet xhani! Nuk e di dhe nuk e kuptoj se përse Flamurtari të jetë në këtë gjendje. Kisha dëshirë që të shikoja atë Flamurtarin “e artë” të brezit tim. Flamurtarin e Kreshnik Çipit, Rrapo Tahos, Vasil Rucit, Alfred Ziajit, Alfred Ferkos, Latif Gjondedës, Edmond Liçajt, Pano Xhahos. Doja të shihja Flamurtarin e të gjithë ajkës së Vlorës.
Sipas jush, përse ky Flamurtar nuk u ngjit këtë sezon në Superiore?
Këtë gjë unë nuk e di pse. Nuk mund të flas me kompetencë, pasi nuk jam afër klubit dhe skuadrës, por Flamurtari edhe mund të ngjitej në Superiore. Prapë kam frikë për të ardhmen, se do menaxhim, do para, do lojtarë. Nuk e di se si e kishin gjendjen dhe se si ishte situata e lojtarëve, por kënaqësia ime është që ta shikoj Flamurtarin aty ku ishte.
Na tregoni pak sa vite keni luajtur te Flamurtari?
Te Flamurtari kam qëndruar deri në vitin 1985. Kam qenë një 10-vjeçar i mirë me plot emocione dhe sakrifica.
Çfarë kujtoni nga ai Flamurtar, ku keni luajtur për një dekadë?
Ishin vitet më “të arta” të miat, por edhe të shokëve të mi. Kam kaluar rininë në mes të Vlorës duke udhëtuar mbi 30 kilometra në ditë. Shkoja në Vlorë dy herë në ditë me biçikletë, në shi, në furtunë, në erë. Por prapë ishte kënaqësi.
Pra, nga Narta ju shkoni në Vlorë çdo ditë?
Po, nga Narta shkoja direkt në Skelë, aty ku është stadiumi sot.
Thatë se udhëtonit me biçikletë. Ky ishte mjeti juaj i vetëm i transportit?
Po, patjetër ishte vetëm biçikleta. Ai ishte mjeti im i vetëm. Nuk kisha mundësi tjetër. Herë ishte mirë dhe herë me gomë të shpuar. Isha i detyruar të ikja edhe në këmbë ndonjëherë, madje edhe në shi. Shi në rrugë, shi në fushë, shi në dush. Shyqyr që jam gjallë sot me aq vuajtje sa kam hequr nga dashuria që kisha për Flamurtarin. Edhe rosë të kisha qenë do të kisha pësuar ndonjë gjë.
Ky ishte itinerari juaj i përditshëm?
Jo një herë, por dy herë në ditë. E keqja më e madhe ishte kur unë stërvitjen e kisha në orën 13:30. Shtrihesha në një dyshekë të kërcimit së larti në stadium. Shokët vinim me gjumin dhe me rehatinë e tyre. Ndërsa unë…Edhe në kthim pastaj, jo era, jo furtuna, jo shiu… Kështu që shyqyr Zotit që jam gjallë.
Çfarë mund të na tregoni ndonjë ngjarje apo ndodhi nga karriera juaj te Flamurtari?
Ndeshja që unë duhet ta kisha kupën në dorë ishte ndeshja me Tiranën, që na mundin 0-1 dhe që u prerë shtyllat e stadiumit.
Kush i preu shtyllat?
I prenë tifozët, pasi nuk u kënaqën. Donin që të fitonim. Kishin të drejtë në fakt.
Ju zhgënjeu ajo ndeshje?
Patjetër që po. Më ka mbetur peng dhe e kujtoj dhe sot. Nuk arritëm atë që dëshironim.
Shkoni në stadium, e keni ndjekur Flamurtarin?
Kam vite pa e ndjekur skuadrën në stadium. Por e shikoj gjithmonë në çdo ndeshje në televizor, me shokët e mi. Shokët i kam si vëllezër, i kam xhan, i dua të gjithë. Ata të brezit tim.
Momentalisht ju me çfarë merreni?
Unë jam një pensionist dhe një peshkatar i blinduar. (qesh)
Dimë që keni “fiksim” peshkimin e ngjalave?
(qesh) Patjetër që po. Narta mbahet për ngjalat e famshme. I peshkoj ato. Kaloj kohën dhe më pas i gatuaj në shtëpinë time e mblidhemi me shokët. Kjo është kënaqësia e kësaj moshe.
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co