Nga datat 2 deri më 8 Tetor, do të organizohet në vendin tonë Java Kulturore Gjermane, pjesë e Javëve Kulturore Ndërkombëtare, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Muzika klasike dhe street rave party, kinematografia dhe teknikat e hershme të fotografimit, praktikat e qëndrueshme dhe startup-et inovative, si dhe ekspozitat artistike, do të mbushin këtë javë me shumë emocion, gjithëpërfshirje dhe inovacion!
Aktivitetet nisin më datë 2 Tetor, ora 10:00, në Galerinë e Artit Tiranë, me ekspozitën “City X- Unë, Tiranë”, një projekt artistik modern dhe inovativ. Veprat artistike që do të eskpozohen janë realizuar në bashkëpunim me qytetarë të ndryshëm të Tiranës, të cilët kanë sjellë vizionin e tyre për zhvillimin e qytetit.
Për të apasionuarit pas fotografsë, nga datat 2 deri 6 Tetor, në Qendrën Rinore Arka do të zhvillohen ditët e “Teknikave të Hershme të Fotografimit”. Pjesë e workshop-eve do të jenë Jonas Ruhs dhe Maximilian Zeitler, dy ekspertë të fotografisë analoge nga Berlini.
Ndërsa në Lezhë, në biblotekën publike “Gjergj Fishta” më 4 tetor, do të mbahet një forum që ofron një platformë për dialog të hapur, mendim kritik dhe zgjidhje të përbashkëta të problemeve midis të rinjve, ekspertëve dhe përfaqësuesve të qeverisë lokale.
Gjatë kësaj jave, nuk do të mungojnë as shfaqjet e filmave. “Jonja”, “Franky Five Star” apo “Elaha”, ju ftojnë që ti shijoni në datat 2, 5 dhe 7 Tetor.
Më 6 tetor, nga ora 17:00 në 00:00, në rrugën “Pjetër Bogdani” në Tiranë, për të gjithë të rinjtë dhe jo vetëm do të organizohet “Street Rave with Hannes Bieger”. DJ dhe producenti me famë botërore Hannes Bieger do të ngjitet në skenë për të performuar një përzierje unike të Deep House dhe Techno music, duke përcjellë për të apasionuarit e muzikës elektronike energji dhe kreativitet.
Kurse për të pasionuarit pas muzikës klasike, më 7 Tetor, ora 19:30, në sallën e koncerteve UART në Tiranë, do të mbahet koncerti “Mothers, lovers, revolutionists” nga pianistja Sina Kloke dhe mezzo soprano Marta Wryk. Dy artistet na ftojnë në një mbrëmje të veçantë, që vë në qendër krijimtarinë e grave në historinë e muzikës.
Ndërsa më 8 Tetor, në kuadër të Javës Kulturore Gjermane, janë rezervuar dy aktivitete. Në orën 19:00 në Galeria Kalo në Tiranë, do të çelet ekspozita “Tipping Point”. Kurse në ora 20:00, në Sallën koncertuale UART në Tiranë do të organizohet koncerti “Beethoven and Schubert in dialogue”. Do të jenë kryevepra të muzikës së dhomës në madhështinë e tyre orkestrale që do të gjallërojnë këtë mbrëmje. Bashkohuni për një javë dinamike, ku çdo moment do të jetë një mundësi për t’u angazhuar dhe për të festuar diversitetin kulturor dhe qasjen gjithmonë dhe më të qëndrueshme për të ardhmen.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co