Udhëheqësi francez i ekstremit të djathtë, Jordan Bardella, ka thënë se partia e tij është gati të qeverisë, ndërsa ai zbuloi zotimet për të kufizuar emigracionin dhe heqjen e të drejtave të kombësisë për fëmijët e lindur dhe rritur në Francë nga prindër të huaj.
“Me tre fjalë: ne jemi gati”, ka deklaruar të hënën presidenti 28-vjeçar i “Tubimit Kombëtar” teksa premtoi “të rivendoste besimin në Francë dhe madhështinë e saj”.
Në një platformë të gjerë politikash, Bardella ka thënë se do të ulë taksat e energjisë për t’i ndihmuar njerëzit të përballojnë jetesën, të ndalojë telefonat celularë në të gjitha shkollat, dhe të parandalojë që shtetasit e dyfishtë të marrin disa punë strategjike në sektorin e sigurisë ose të mbrojtjes, të cilat do të rezervohen për qytetarë francezë, raporton The Guardian.
Humori ishte në nivel të lartë teksa Bardella mblodhi zyrtarë të lartë partiakë dhe gazetarë në një ambient me mure mermeri rozë dhe korniza ari në lagjen e 8-të të Parisit.
Shumë nga zyrtarët e kishin kaluar fundjavën duke shqyrtuar njësitë elektorale në të gjithë Francën pasi presidenti i qendrës, Emmanuel Macron, thirri zgjedhje të parakohshme, kur partia e tij u mposht nga “Tubimi Kombëtar” në zgjedhjet evropiane që u mbajtën nga 6-9 qershori.
Disa figura të larta të partisë së Marine Le Pen thanë se në qytete dhe fshatra ata po shihnin mbështetje për të djathtën ekstreme, që i tejkalonte edhe pritjet e tyre, dhe sinjalizonte një refuzim të qartë për presidentin aktual, Emmanuel Macron.
“Ne jemi alternativa e vetme. Ne jemi të besueshëm, përgjegjës dhe respektojmë institucionet franceze,” ka deklaruar Bardella teksa kërkonte të bindte votuesit se partia e tij, dikur e sulmuar nga kundërshtarët e saj politikë si e paprovuar dhe e paaftë për ekonominë, tani ishte e vetmja të cilës i besohej buxheti.
“Shtatë vjet të gjata të Makronizmit e kanë dobësuar vendin”, shtoi ai, duke fajësuar qeverinë aktuale për borxhin publik të Francës.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co