Duke nisur nga sot, për Administratën Publike do të ketë ndryshime të orarit të punës. Vendimi në fjalë u mor dje nga qeveria, në kuadër të masave për shkak të motit me temperatura ekstreme. BalkanWeb publikon sot VKM me të gjitha pikat që tregon edhe fashat e orareve që do të duhet të respektojnë punonjësit e administratës.
Kujtojmë se dje Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin reagoi pas lajmeve se nga dita e mërkurë do të shkurtohet orari i punës për punonjësit e administratës publike, për shkak të të nxehtit afrikan.
Në fakt, sipas sqarimit, nuk kemi të bëjmë me reduktim të orarit, por ndryshimi lidhet me një VKM për rregullat e reja të kohëzgjatjes në punë, duke përfshirë konceptin e orarit ditor fleksibël për çdo punonjës të administratës publike. Projektvendimi propozon që brenda kohëzgjatjes ditore të punës, të punësuarit të kenë mundësinë të zgjedhin oraret kur do të kryejnë orët e plota të ditës së punës, duke caktuar një fashë orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në punë.
Kështu, propozimi në fjalë parashikon që punonjësi i administratës mund të zgjedhë një orar pune fleksibël duke respektuar gjatë katër ditëve të javës kohëzgjatjen prej 8 orë e 30 minuta nga e hëna e deri të enjten, ndërsa të premten orari i punës zbret në 6 orë. Fasha e detyrueshme orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në vendet e tyre të punës, të jetë çdo ditë nga ora 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00.
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 568, DATË 06.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR KOHËZGJATJEN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT, ORËT SHTESË DHE KOMPENSIMIN E TYRE NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, INSTITUCIONET E PAVARURA DHE NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 40, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të neneve 76, 78, 79, 83, 85, 86, 87, 94, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Në vendimin nr. 568, datë 06.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit, orët shtesë dhe kompensimin e tyre në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”, bëhen shtesat dhe ndryshimet si vijon:
1. Në kreun II:
a) Pika 2, ndryshohet me përmbajtjen si vijon:
“2. Kohëzgjatja ditore e orëve të punës për të punësuarit në institucionet e administratës shtetërore:
a) Është çdo ditë 8 orë e 30 minuta, ndërsa ditën e premte është 6 orë.
b) Për këto institucione aplikohet orari ditor i punës fleksibël, me kushtin që të plotësohen orët e plota sipas përcaktimit në shkronjën “a”, të kësaj pike.
c) Orari i detyrueshëm kur të gjithë të punësuarit duhet të jenë në vendet e punës është çdo ditë 9:30 – 15:30, ndërsa ditën e premte 9:30 – 13:00.”.
b) Pas pikës 2, shtohet pika 2/1, me përmbajtjen si vijon:
“2/1 Orari ditor i punës për të punësuarit, në institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, përcaktohet në rregulloren e brendshme të institucionit.”
2. Në kreun III:
a) Në fund të pikës 2, shtohet fjalia me përmbajtjen si vijon:
“Titullari i institucionit/sekretari i përgjithshëm, kanë të drejtë ta delegojnë kompetencën e përcaktimit të kohës së kryerjes së pushimit vjetor të paguar tek drejtuesi i njësisë së burimeve njerëzore të institucionit.”
b) Në fund të pikës 15, shtohet fjalia me përmbajtjen si vijon:
“Titullari i institucionit/sekretari i përgjithshëm, kanë të drejtë ta delegojnë kompetencën e përcaktimit të kohëzgjatjes së pushimit pa të drejtë page tek drejtuesi i njësisë së burimeve njerëzore të institucionit.”
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Njoftim për mediat nga Ministria e Shtetit per Administraten Publike
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka propozuar një ndryshim në VKM nr. 568, datë 6.10.2021 “Për miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit, orët shtesë dhe kompensimin e tyre në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”, që prezanton për herë të parë në administratën publike konceptin e orarit ditor fleksibël.
Fleksibiliteti në orarin e punës ka qenë një kërkesë kryesore e shprehur nga punonjësit e administratës, me qëllim krijimin e një mjedisi pune më mbështetës për të gjithë.
Projektvendimi propozon që brenda kohëzgjatjes ditore të punës, të punësuarit të kenë mundësinë të zgjedhin oraret kur do të kryejnë orët e plota të ditës së punës, duke caktuar një fashë orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në punë.
Specifikisht, në kuadër të këtij projektvendimi propozohet në institucionet e administratës shtetërore:
• Kohëzgjatja ditore e orëve të punës të jetë 8 orë e 30 minuta nga e hëna deri të enjten dhe 6 orë ditën e premte.
• Orari ditor i punës të jetë fleksibël, me kushtin që të plotësohen orët e plota (pra 8.5 orë dhe 6 orë).
• Fasha e detyrueshme orare kur të gjithë nëpunësit duhet të jenë në vendet e tyre të punës, të jetë çdo ditë nga ora 9:30 deri në 15:30, ndërsa ditën e premte nga ora 9:30 deri në 13:00.
Kjo iniciativë vjen si përgjigje për të përmirësuar fleksibilitetin dhe efikasitetin në administratën publike, duke reflektuar nevojat e punonjësve për një orar më të përshtatshëm dhe një balancim më të mirë të jetës dhe punës. Ky ndryshim nuk është i lidhur me temperaturat e larta të ditëve të fundit, sikurse është publikuar në disa portale, por me injektimin në mënyrë të qëndrueshme të fleksibilitetit në punë.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co