LeBron Xhejms bëhet gati që të marrë pjesë për herë të katërt në karrierën e tij në Lojërat Olimpike. Objektivi do të jetë padyshim fitorja e një tjetër medalje të artë, pas atyre të viteve 2008 dhe 2012 që siguroi me fanellën e SHBA.
Por këtë radhë, pjesëmarrja e tij do të shoqërohet me një nderim shumë të madh. Pas votimit të atletëve amerikanë pjesëmarrës të të gjithë sporteve, është vendosur që do të jetë pikërisht ylli dhe rekordmeni i NBA ai i cili do të mbajë flamurin në ceremoninë e hapjes. Edhe pse basketbolli është një prej sporteve që i ka sjellë vazhdimisht lavdinë SHBA-ve në këtë aktivitet, kjo është hera e parë kur një pjesëtar i ekipit të basketbollit të meshkujve do të jetë mbajtës i flamurit në ceremoninë e hapjes.
Xhejms kësisoj do të jetë ai i cili do të jetë pjesë e udhëtimit me varkë në Senë në ceremoninë e veçantë që është organizuar këtë vit, ku delegacionet nuk do të parakalojnë në mënyrën tradicionale në stadium.
Ekipi i SHBA edhe në këtë edicion është favoriti absolut, sidomos për faktin se përkrah Xhejms është ndërtuar një skuadër me yje si Këri, Durant, Devis apo Embid, të cilët do të synojnë medaljen e artë për të lënë pas krahëve dështimin e Botërorit të një viti më parë ku ekipi amerikan doli i turpëruar me vendin e katërt.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co