Policia njoftoi sot kapjen e një 32-vjeçari të shpallur në kërkim, i cili dyshohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, 1 vit më parë, kanosën një 34-vjeçar, që ai t’iu jepte 200 000 euro.
Në njoftimin zyrtar të Policisë thuhet se në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, bazuar në inteligjencën informative, ndaloi shtetasin në kërkim E. D., 32 vjeç, banues në Belsh.
Por familjarë të 32-vjeçarit, Ervis Dervishi, për Balkanweb pretendojnë se ai është vetëdorëzuar në Polici.
[embedded content]
“Djali ynë është dorëzuar në polici, nuk ka pasur asnjë operacion për kapjen e tij”, pretendojnë familjarët. Madje për të mbështetur versionin e tyre, ata publikojnë edhe dokumentin e firmosur nga oficeri i policisë gjyqësore, sipas të cilit 32-vjeçari është vetëdorëzuar në organet ligjzbatuese.
Dhe për më shumë, po familjarët e tij, kanë edhe videon ku shfaqet i riu që shkon në komisariat dhe vetëdorëzohet.
Sipas njoftimit zyrtar nga policia, ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit’.
Shtetasi E. D., më datë 12.08.2023, në bashkëpunim me vëllanë e tij (i arrestuar më parë, në kuadër të operacionit “Pressure”), dyshohet se kanë kanosur një shtetas 34 vjeç, që ai t’iu jepte shumën 200 000 euro, që dyshohet se rrjedh nga veprimtari të përbashkëta kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co