“M’shkrueni…”- Letërkëmbimet e At Gjergj Fishtës me bashkatdhetarët dhe përpjekjet e tij diplomatike për njohjen e Shqipërisë nga SHBA! Pse u zhdukën letrat e shkrimtarit

mshkrueni leterkembimet e at gjergj fishtes me bashkatdhetaret dhe perpjekjet e tij diplomatike per njohjen e shqiperise nga shba pse u zhduken letrat e shkrimtar





































NGA PJETËR JAKU/ Me leximin e letrave të Fishtës, megjithëse nuk janë ruajtur as gjysma, mund të krijosh një mendim të plotë, se kush ishte At’ Gjergj Fishta dhe madhështia e tij. Së pari, dhe së vetmi si njeri, pastaj mund të renditen krejt kollaj cilësitë e tjera, njerëzore, atdhetare, humane, letrare, fetare dhe politike. Ai kurrë nuk e ndau atdheun nga feja, nuk i përcaktoi besimet si primare, por i respektoi si të drejta të pamohueshme të njeriut, të cilat duhen respektuar në çdo kohë e nga secili. Mbi gjithçka ai vuni anën shpirtërore, njerëzore dhe humane. Një personalitet i tillë, shumëdimensional, del krejt qartë nga ato pak letra të tij që janë ruajtur, pasi në vitin 1946, komunistët e shkatërruan Kuvendin Françeskan, por as dhe vetë Fishta nuk u kujdes për to në gjallje të tij. “S’duhen asgja, – pati thanë Fishta, – veç me ndez zarmin”.

gjergj fishta

LETRAT JANË AI Ç’KA JE!

Të gjitha letrat që kanë mujt me u rujt, kanë një fill dashnie nga fillimi deri në fund. Dashni për shokun e mikun, dashni për njeriun, dashni për atdheun, dashni për punën, dashni për një jetë ma të mirë. Fryma humane, edhe për ushtarët e huej, që vuajn e vdesin nëpër llogore, si mish për top, dashni për cilindo bir nane qi vritet kot, dashni e respekt për punën e të tjerëve. Edhe kur jep ndonjë këshillë, është krejt miqësor, krejt i kujdesshëm mos me vra kanë me fjalë, me u rujt prej fjalës së keqe. Kjo, sidomos shihet te letra që i shkrun At Shtjefën Gjeçovit me një këshillë të butë, që ta ketë kujdes përmbledhjen e Kanunit e radhitjen, edhe për gabimet drejtshkrimore, tuj i premtu që ka me gjet shumë biblioteka në Evropë, që kanë me u interesue për të. Ai u lutet bashkvllazënve të tij në fe, që t’i shkruajnë sa ma shumë, me një ironi të ambël: “M’shkrueni dhe rrena… veç mjafton të jenë të mdhaja, se kaloj do ditë me to”.

Ati i shkruen mikut të ngushtë At’ Pal Dodës për gjithçka, edhe për nevojat eminente, në rastet kur ishte jashtë, veçanërisht në Itali. Meqenëse Ati e pinte duhanin: “Jam t’u gri do duhan t’keq, si lakna për akshihane. Nuk man zarm hiç e duhet me nez tash e parë, por nuk dua me m’nis duhan me postë, se nuk më ka hije mue me mu gjet gja kontrabandë. Një kile raki të mirë, do e kisha pasë qef… më ka marrë malli për pak raki Gjuhadoli, et…”. Jo vetëm At’ Palit por për këto e raste të tjera i shkruente dhe Provincialit. At Fishtës nuk i pëlqenin gradat. Për të, gradat e vetme ishin sjellja njerëzore e dashnija hyjnore e gjithkujt. Boll, mos me ba gja me të keq!

Ajo çka vihet re, në të tana letrat që u niste miqve, ishte fillimi e mbarimi i tyne me shumë mall, thua se i kishte pjesëtarë të familjes së tij. Nuk ka letër që në fillim të saj, (përjashto letërkëmbimet me personalitete fetare e shtetërore), “Pali em fort i dashtun, krejt i yti Fishta” etj..

Ja një shembull i fillimit të njërës prej letrave që mban datën 31 dhjetor 1910: “Të falem nderës për letrën e mrekullueshme të 29 marsit, qi e kam lexu me andje të papërshkrueshme, sepse përnjimend ishte e bukur. Çmendem prej knaqsije, tue mendue, ose ma saktë, tue konstatue se ti je i aftë për me mendue në mënyrë aq fisnike dhe me u shpreh me kaq thjeshtësi, në të cillën gjindet i gjithë arti i bukurisë letrare”. Tuj shëtit në tanë ato letra, që nuk janë as gjysma e letrave të Fishtës, asht një lloj sikur me përshku një bjeshkë me shumë livadhe të mbushuna dëng me krejt llojet e luleve që ka toka. E, si mos me mësue prej këtyne letrave, se sa i madh mendërisht, se sa i disiplinum me rujt rendin e fjalës, me rujt bukurinë e të shprehunit, me rujt argumentin e shkruar me shumë durim, saqë të bajnë me mendue dhe më përjetue çdo njanën si një poezi të amël, si një fëshfërimë përkëdhelëse, si një mësim pa tekst, si një vëmendje e detyrume. E, jo më kot At Gjergji vjen në përfundimin shekspirian në shumë prej tragjedive të tij, të cilin e adhuronte:

“Trim i vërtetë asht aj qi din me vujt me durim gjithshka qi gjuha ma e keqe mundet me thanë kundra tij”. Dikun tjetër At’Gjergji i shkruen At’Palit: “Sa keq më vjen qi nuk kam kam kohën e duhun për me t’shkrue nji letër të giatë! Përnjimend kishe me pasë me shfrye zemrën teme, sepse ndihem shumë i neveritun prej intrigave, trillimeve, tradhtive, poshtërsisë, dorshtrëngesës, ligësis dhe veseve të tjera, prej të cillave asht infektue Shqypnija dhe, posaçe Shkodra. Por, mandej, a kishe me mujtë unë me t’shkrue gjithçka qi tash m’kalon nëpër krye lidhun me disa njerëz të zgjedhun? Jo, sigure se kishe me të shkandullue. Të ligj! Të poshterm! Insekte! Gërbulë e njerëzimit!” fq. 122

Lexuesi krejt mirë e kupton dufin që kishte Ati për administratën, për njeriun e shtetit. E ishte viti 1914. Tuj kenë ai që ishte dhe ai që njihej, jo vetëm në fushën e letrave, por edhe në shumë disiplina të tjera, At Gjergji, dikun në faqen 97 të librit me letra shprehet: “Larg prej meje, ves i mallkuem i krenisë”. Këtë e shpreh në rastin kur po e njoftonte At Palin për një punë të re që kishte ba e po mendonte me vu në skenë. Siç shihet nga teksti, mendon se e ka teprue shpjegimin. E ma e bukura për këtë, Atit i duket sikur po andrronte tuj fluturu me nji ballon, të cillës i kputet peni e bien kulihum në humnerë. Të përjetumin e ngjarjeve dhe të njerëzve i ka në shkallën ma të naltë. Të gjitha këto i ndanë me mikun e tij dhe me miq të tjerë, sikur t’ishte tuj tregu nji anormalitet, diçka të jashtëzakonshme. I tillë asht rasti i vizitës së Preng Pashës në Shkodër. Princi i Mirditës ban një vizitë më 25 shtator 1908 në Shkodër dhe veçanërisht ndalet te jezuitët. Mbasi përshkrun edhe fizikisht, ndalet te madhështia e tij dhe hijeshia e tij. E, për Fishtën nuk kishte hijeshi pa fjalën dmth., pa mendjen! E, bash për këtë rast Fishta përmend Llambën e Diogjenit, nga që duhej me përhap dritë kado që shkojshin figura të tilla. Tuj lexu këto rreshta, më shkon mendja, te përmendja që i ban Fishta, te Lahuta e Malcisë, Preng Bib Dodes. Një përshkrim poetik i mbulum me dashni të eperme!

“Përshtypja qi kam pasë atë ditë (ditën e meshës) ka kenë, ndoshta, ma e forta dhe ma e ambla, qi unë të kemë pasë në jetën time. Më dukeshe se po andrrojsha”, – thotë At Fishta” fq 91

Edhe për shëndetin e tij, edhe për moshën shtrëngohet me i kallxu Palit, ashtu si për lojna. Si fjala vjen; A e din ti At Pal se shoku jot, sot ban 45 vjeç e vjetët po shkojnë pak ma shpejt se përpara. Për shnetin i shkruan në letrën e 2 korrikut 1909, fq.95 “… sod kanë fillu me u shfaq tek unë simptomat e para të nji dhimje zemre”. Me sa lexohet në letrat e maparshme, ana humane e Fishtës na del në shumë raste. Në një rast kur kishte shku me u shtru në një spital të Milanos, arrinë me ia dhanë krejt paret që kishte për shërimin nji studenteje nga Shkodra, se nuk i kishte për bursë e dojshin me përjashtu, tuj e shty spitalin për ma vonë. Por edhe në shumë raste të tjera, ku i mungonin deri paret e duhanit dhe nevojave të tjera jetësore, si të ngrënit dhe veshja. Interesi për shkollimin e të rinjve shqiptarë ishte një tipar tjetër i humanizmit të tij. Sa ishte parlamentar, takimet me Mbretin dhe ministrat e tij ishin, vetëm për me kërkue fonde për shkollat e për tekstet. Këtë e bënte edhe kur takohej në Itali e ndonjë vend tjetër, me personalitete, që kishin mundësi me ndihmua. Buxheti i shtetit nuk jepte asnjë qindarkë për shkollat fetare, ndërkohë që shkollat laike ishin pak dhe pothuajse të papërfillshme. Kjo e helmonte ma shumë zemrën e tij dhe brishtësinë e krijuesit. Nuk i vinte aspak turp, as nuk e merrte për ulje me kërku për të tjerët, sidomos kur kishin të bajshin me zhvillimin e vendit të tij. Dhe, ma e ransishmja, letrat e Fishtës nuk janë asnjëherë njësoj!

Ma të shumta, letrat Fishta i ka shkëmbye me At Palin, Ambrozin dhe me Provincialin, veç atyne që ka me gjuhëtarë e personalitete letrare, politike e fetare të tjerë. Një nga fillimet matë mira të një letre me At Palin, që ia ka shkrue nga Parisi, dikun në prill të 1919-tës. Konkretisht:

“E din ti qi në gjithë ket det me njerz, ende nuk e hasi nji Pal me nji zemër besnike dhe të njerzishme, me mendje të kjartë dhe gjithmonë i saktë, me fjalë të ambla… të ambla, po, por jo edhe të lmueme, sepse e shqypton aq keq, sa shpesh më idhnon. Si përfundim, nji Pal qi më don si ti dhe, qi meriton të duhet, njashtu si ti e meriton”. Vlerësime të tilla për miqtë ka shumë, veç Palit. Nji rast i tillë asht vlerësimi që kishte Fishta për Abat Doçin. Edhe pse nuk kemi letërshkëmbim me të, ai në letrat me Palin e përmend shumë dhe me një venerim të pashoq. Në një rast Pali dhe disa gjuhëtarë të tjerë mendojnë me ia ndryshu emnin Shoqnisë “Bashkimi”. Fishta u thotë:

“ … unë bana një betejë, me Emzot Abatin, për me pagëzue shoqnin me emrin qi ti deshirojshe, por nuk ishte e mujtun me e bindë atë dhe ishin të pranishëm Mjeda e Serreqi. Ti e din se unë për Abatin kam nji nderim të thellë dhe nji vlerësim të shkëlqyeshëm, sepse cilësitë e tij të rralla çmohen prej të gjithë shqyptarve…”. Fishta nuk tregon zili për punët e mira të askujt, veç ndonjëherë në të rrallë për majat që nuk kapen. E, ajo asht ma shumë një ironi ndaj vetes, si fjala bie për poemën “Gjermania” të Herman Heses. Ai i kupton krejt lojnat politike të dyfishta dhe në dam të tij e, prapë se prapë ruen qetësinë dhe ma e keqja, kur mundohen me deformue personalitetin e tij të shumanshëm, duke parë se si lejohen që letrat e tij me ra përherë në dorë të turqve, të cilët mundohen me përzanë, jo veç prej Shkodre, po krejt prej Shqypnie. Durimi i tij ka qenë i pashembullt, kur edhe mund të mos e privonte veten ashtu! Ndaj, Fishta ndjehet përherë i paknaqun ndaj disa “patriotëve” mendjemëdhenj e pa gja në kungull, siç shprehet shpesh, ku mendojnë se Shqypnija mundet me u formue vetëm me forca tona. Në mos tjetër, kjo asht një çmenduni! Letrat e mija, thotë,- pak ma poshtë, nuk ishin me ua besue gjelltarve turq dhe sakristanve. E, për ma keq, Fishta e konsideronte këtë veprim, si me përgojue e shkatërrue veten falas. Largimin e tij prej Shqynie e kishin kërkue qysh më 14 korrik të vitit 1914, vetëm për shkrimin “Nji komedi e pandershme e shekullit XX” nga komandantët e huej, me raportet e shqiptarëve, që drejtonin atëherë në Shkodër. Fq. 207

Kjo nuk ishte as ma shumë, as ma pak, se qëllimi i tyne final, me pengue Fishtën në angazhimin e tij atdhetar kundër ndarjes e copëtimit të Shqynisë, nga bishat evropiane, për interesat e sallavizmave në Ballkan. Koloneli Phillipps i kishte thënë konkretisht “kanë me u marrë kundra teje të gjitha masat e duhuna për me t’largue prej Shqynie”. E, krejt i qetë, Fishta u përgjigjet se, nuk kishin nevojë me marrë asnjë masë, ma shumë se një urdhën! Fishtën nuk mund ta hidhte askush nga vendi i tij, si një palë shkarpa. Ai e kishte krijue personalitetin e tij dhe njohjen ndërkombëtare, sidomos fetare e krijuese çmos kush tjetër. Kjo dukej nga vlerësimet që i ishin ba që në moshë të re nga disa vende dhe Akademi të njohura e, kush ishin ata që e kërkonin këtë akt? Bash superioret e tij. Në letrën që i dërgonte Atit Komisar General të Provinces i kërkonte shpjegime të hollësishme, tuj i vu në dukje se jeta e tij private nuk ka mujtë me i dhanë rast askuj për me kërku dëbimin e tij prej Atdheut. Kur Shqypnia komuniste mbante Fishte si filoitalian, ja si shprehet vet Fishta: “Unë kam luftue kundër politikës së Qeverisë italiane, qi me mjete të ligjshme dhe përkatëse për dinjitetin e statusit t’em kam kërkue me mbajt larg rinin katolike shqyptare prej shkollave italiane liberale e jofetare, dhe kam luftue me bindje, qi për gjuhë mësimdhanje, në të gjitha shkollat fillore të Shqypnisë duhet me u përdor gjuha shqype”. Fq.212

Të gjitha këto e të tjera, për të cilat ne nuk kemi dijeni, a nuk janë një pengesë në udhën krijuese të një poeti me përmasat e Gjergj Fishtës dhe a nuk asht qëndrimi i tij prej një njeriu dhe kleriku atdhetar e patriot çmos kush, në veprimtarinë atdhetare, proshqiptare dhe krijuese, i nderum nga disa Akademi të njohura në botë?! Cili asht qëndrimi i tij, përballë sulmeve e strapacimeve që në gjallje të tij? Krejt njërëzor dhe me ma shumë se duhet durim!

Ma në fund, në lidhje me këtë temë, duhet me qenë të bindur se Fishta e diti dhe parandjeu edhe fundin e tij fizik që në muajt e parë të vitit të fundit të jetës, kur shkruante se e kishte ndjerë dhimbjen e krahut dhe synit të djathtë që në janar të 1940-tës, kur në fund të dhjetorit ndërroi jetë! Këshilla e fundit që i jep, mikut të tij mirë, At Palit, asht sa njërëzore aq dhe domethanëse, për rrethanat që ishin atëherë në Shqipëri dhe që fatkeqësisht janë edhe sot: “Kështu pra, i dashtuni em studio, lexo, bisedo, dil vrapo, aq sa për me vra kohën, por mos harro se duhet me meritue Parrizin!” Që don me thanë, se asht e kot me ba punë të tjera, që sjellin dobi, në një vend që nuk ta kërkon mundimin tand! Anë tjetër shumë njerëzore asht edhe sa At Fishta ishte i përkushtue me ndihmu këdo, mjaftonte ta shihte e ta njihte gjendjen e tij. Kjo shihet edhe te letra që kishte marr nga Dr. M. Lambertz, i cili gati-gati i kërkonte me u punësue në Shqipëri, për kushtet e këqija që kishte në Vjenë. Ai i tregonte aftësitë e tij si linguist e filolog, tuj vu në dukje se njihte shumë mirë latinisht, greqisht, gjermanisht, frëngjisht dhe italisht ku jepte mësim në një gjimnaz të Vjenës. Mesa dihet, jo veç nga letrat për të cilat po flasim, Fishta qe interesu shumë që t’i gjente një mundësi punësimi, pasi një linguist si ai i duhej Shqypnisë për të shkru në revistat e huaja gjuhësore për gjuhën tonë. Randësia e Gjergj Fishtës, ma s’parit si njeri, merret me mend edhe prej letrave që i janë dërgue Atij me superlativat ma të nalta si: “ I Përndritshmi”, “Fort i nderti”, “Shumë të ndershmit”, “At i dashtun”, “Vjershëtorit të madh Arbëror”, nga Eqerem Çabej, “Fort i ndritshëm” , nga Norbert Jokli, “Fort të çmueshmit, shumë i ndershëm dhe i shkëlqyeshëm poet”, nga Edhem Haxhiademi, “I ndershëm Zot” nga Faik Konica, “I përndershmi At”, nga John Adams nga Chicago, “Zotni i dashtun”, nga Lambertz e shumë e shumë personalitete të tjerë nga Evropa dhe Amerika.

FISHTA PËR ATDHEUN DHE KULTURËN

Në disa prej letrave të Fishtës ndeshemi me qëndresën e pashoqe atdhetare për ruajtjen dhe mbrojtjen e kufijve shqiptarë nga kërkesa e vazhdueshme, sidomos nga ana e serbo-mlazezëve për marrjen e Shkodrës dhe rrethinave të saj, e sidomos kundër planit famëkeq të paktit Musolini-Pashiq, në shkurt të vitit 1924. Si një personalitet i sferës ma të naltë, jo vetëm shqiptare, Fishtës i takoi të ishte në disa delegacione shqiptare në takime ballkanike dhe evropiane, ku në letrat e tij, i përshkruan mjaft mirë e me detaje debatet dhe qendrimet shqiptare, edhe pse kishin një përkrahje shumë të vogël dhe aspak nga fqinjët. “Lidhja e Kombeve, – shprehet ai, – nuk asht gja tjetër veçse një komedi”. Këtë e vëren në Konferencën e Paqes të Parisit në vitin 1919, ku vë në dukje cilësitë e Luigj Gurakuqit, përsa i takon mbrojtjes së tezave tona, ndërsa “ne dhe turqit, – thotë Fishta – kemi ndejt si viça prej mosdijes së frëngjishtes”. Kemi vënë re se, në disa raste, Fishta e ka përmendur Gurakuqin për njeri fort të zotin, me nivel të naltë përgatitje politike dhe atdhedashurie.

Jo vetëm në takimet ndërkombëtare të Parisit por edhe të Londrës, kundra tezave përçarëse të greko-serbo-malazezve, si armiqtë tanë të përhershëm në ndarjen e Shqipërisë. Veç këtyre, vizita e Fishtës në Amerikë ka qenë e një rëndësie shumë të rëndësishme për njohjen nga Amerika të Shqipërisë. Fishta vuri kambën në Amerikë, për të parën herë me 8 mars të vitit 1922. I nisur nga Liverpuli, pas 12 ditësh lundrimi me vapor mbërrin në portin e Nju Jorkut. Me keqardhje vuni re se, “Vatra e njohur” nuk kishte arrit me ba ndonjë gja për njohjen e Shqipërisë nga Shteti Amerikan. Me të mbërrit, Fishta kërkoi dhe realizoj disa takime me senatorë e kongresmenë, nëpërmjet personaliteteve të nalta të Kishës Katolike në Shtetet e Bashkuara. Takimet qenë shumë premtuese dhe frytdhanëse. Veç takimeve, ai shprehet se kudo shkoi dhe me cilindo u takua gjeti një mirëkuptim të pashoq dhe një dashuri të madhe për popullin shqiptar, çka do të thoshte, se Amerika e njihte Shqipërinë, ende pa e njohur me vendime qeveritare. Përshkrimet e udhëtimit janë të parandësishme përballë nevojës që kishim për të na njohur Amerika, pasi çakejt evropianë, s’pushonin së lehuri për copëtimin e vendit tonë. Por, edhe udhëtimi asht interesant, mënyra se si i ka përshkrue momentet ma delikate, kur thyheshin gotat e pjatat nga lëkundjet e dallgëve të mëdha, kurse administrata e vaporit i kishte siguruar një dhomë-zyrë për të pas mundësit e punës krijuese dhe projektet për të cilat po udhëtonte.

Aty gjejmë të shkruar edhe me detaje të lëvizjes më 16 milje në orë, kushtet e jetesës brenda tij. Si një hotel luksoz,-thoshte Fishta, si një pallat i madh lëvizës mbi ujërat oqeanike. Në letrën që Fishta i dërgon Ambroz Marlaskes, më 27 qersho1924 bie në sy interesimi që Fishta ka për besimtarët e tij, ashtu siç na ka ra në shumë raste, për shqiptarët e çdo besimi, sidomos në qytetin dhe krahinat e Shkodrës e të Malësisë, ku ka jetue e shërbye: “Në krahinat katolike zyrtarët po i çojnë turq. Në Koplik nënprefekti turk, Bajzë, krahinari turk, në Selcë e Reç turk, nënprefekti në Lezhë turk, po thojnë se dhe në Mirditë duen me çue turk”! Arrestimi i Dom Noc Nikës, se ka realizue Lëvizjen Mërditore, një sajesë e turpshme, ka qenë ma flagranti i Qeverisë turke, autorit të Historisë së parë të Shqipërisë, njeriut qi mundësoi me shtyp të parat tekste në gjuhën shqype, kishte ngjyra të theksume patriotike dhe atdhetare, që nuk tentoi kurrë të ishte shkelës i ligjeve të asnji kohe. Të sajosh kundër një personaliteti si ai, do të thotë se kemi pas të bajmë me drejtues e qeveri antishqiptare.

Në Konferencën Ballkanike të filluar më 20 tetor 1931, e mbajtur në hotelin luksoz “Dalmabahçe” dhe “Ylldiz”, Fishta na rrëfen me detaje debatin mes Mehmet Konicës të delegacionit shqiptar dhe Topaloviç të serbo-malazezëve, aq sa gati u ndërprenë punimet. Por, veç punimeve dhe debateve të konferencës, Fishta nuk lenë pa përmend e përshkrue, objektin ku mbahej ky takim, si një nga objektet ma të rralla që kishte pa në jetën e tij. Ai shihet se nuk kishte ndikime vendesh e racash, ka veç ndikime mendësish të mira dhe jo të mira, për njerëzit e, veçanërisht për qeveritarët. Heqja dhe vënia e flamujve nëpër kisha dhe objekte të tjera fetare ka qenë disa herë disponim i plotë i Fishtës, edhe pse me pasoja për shërbimin e tij. Qysh në vitin 1907, kur Fishta ishte vetëm 36 vjeç, shënohet atdhetaria e tij, prej nji formimi të shkëlqyeshëm atdhetar dhe dashurie të pamasë për racën e tij vitale, kur them të tij, nankupto, krejt shqiptarëve. Në dy raste, në faqen 86 të librit thekson krejt kështu: “Asht e pamujtun, qi na të mujmë me pasë nji atdhe simbas idealeve tona”. A më thoni se kur patëm nji atdhe të andrrave të Fishtës, para e mas këtij konstatimi gjenial? Psenë e mos të pasunit na e spjegon po vetë Fishta. “Burrat mikroskopikë të Shqynisë, tue u copëtue me njani-tjetrin, që inadet personale me i ba çeshtje kombëtare”. Ky pra asht konstatimi ma i vërtetë, që asnjani dhe asnjëherë (mbas Skënderbeut) drejtuesit tanë nuk kanë punu për atdheun, ma shumë se veten e tyne. Kjo asht një mangësi që nuk e kanë kombet e tjera. Gjejeni një grek a serb që mrrin në maja të tilla e shitet si shqiptarët? T’u japësh tanë botën ata nuk e shesin atdheun! Dhe, ma në fund me të drejtë, po në vitin 1907, me 15 tetor, Fishta shprehet: “Po e ndjej tanë idhnimin e humnerës, në të cilën ndodhemi”.

Që në ato vite Padër Gjergji do të thoshte një të vërtetë, që ende sot asht realitet, pas ma shumë se 100 vjetësh: “Shqipëria nuk asht ankoru kurrë në port të mirë. Ata (shqyptarët) ndër shekuj kanë prit si zogjtë e korbit, se mos korbesha Europë po u bejn ndoj gja prej qiellet.

Krejt inadin këtu e kishte Fishta, te mosnjohja dhe mospërcaktimi i drejtë i mbështetjes në Evropë, me politikat e saj të jashtme drejtpeshuese e të matuna, tuj pa ma larg se shekulli, siç përcaktohen vendet e zhvillume, tuj e davaritë mjegullën dhe pasigurinë. Orinetimet e gabume kanë qenë me shumë pasoja negative për kombin tonë. Më vjen keq, që një nga letrat ma famoze të Fishtës nuk është përfshirë në këtë libër, “Gabove Hilë”. Si të tana letrat e këtij letërshkëmbimi, kjo asht ma aktualja edhe në ditët e sotme për ministrat tanë, që krejt pak i njohin shqetësimet e bazës. Sapo harrojnë me ecë në këmbë, sapo tu bajnë fresk shoferat personal, duan me gjujt veç për dreka e darka të mira e të heshtin për përfitimet korruptive nga paret e buxhetit.

Sa i takon kulturës, At Gjergji, sa kohë ishte në Parlament dhe Provincial i Shkodrës në punën fetare, i ka ngrit vazhdimisht problemet e funksionimit dhe normalitetet e shkollave shqiptare, duke e çua zanin e kërkesat për programe e tekste, për shkolla e kolegje, për studentët që studionin në vendet perëndimore, në universitetet më të njohura evropiane, deri tuj kërku takime me Mbretin si dhe komisionet parlamentare.

Sa i takon punës së tij krijuese, ai po projektonte se sa duhet të ishte vepra e tij poetike dhe publicistike, edhe pse, që në gjallje të tij, inatçartë më të mëdhenj të punës së tij ishin bashkëvllaznit e vet. Ky veprim e çudiste vazhdimisht At Gjergjin, se ç’të keqe kishin ata nga puna e tij? Pati sish që e kritikuan “Lahutën e Malcis” deri larg, sa të propozonin që mos të futej në tekstet shkollore e mos të binin të rinjtë në kontakt me të. Por, ata ishin më shumë se shumë në minorancë e zani i tyne nuk mund të shkonte ma larg se mjedisi ku flisnin. Në takimet me shkrimtar, At’ Fishta shprehej për punën e shkrimtarit: “Shkrimtari duhet me riprodhu shpirtin e vet në të shkruem. Kopjimi nuk asht art”.

Ndërsa mendimi për me botue punën e tij ishte kjo ndarje:

Gjithsej me botue 7 libra, 6 ka 300 faqe, ku përfshihej gjithçka e shkruar në vargje dhe, një libër në prozë, ku do të sistemohej krejt publicistika në 600 faqe. Më në fund pranohet se, për veprimtarinë epistolare të Gjergj Fishtës, janë ba krejt pak studime. Pothuajse krejt letrat janë në italisht, nga ku mendojmë se përkthyesi Dr. Vinçens Marku ka ba një punë mjaft të mirë.

/Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →