
Me humbjen 3-1 në kohën shtesë kundër PSV-së, Juventusi i dha lamtumirën Europës. Trajneri Mota nuk e kritikon veten, por ka disa aspekte të diskutueshme të menaxhimit të tij të ndeshjes në Holandë. Asnjë autokritikë, përkundrazi.
Pas humbjes 3-1 në kohën shtesë në Eindhoven ndaj PSV-së dhe eliminimit si pasojë nga “play-off” Tiago Mota nuk merr asnjë përgjegjësi. “Nuk hodhëm poshtë asgjë, do t’i bëja sërish të gjitha zgjedhjet”, tha trajneri i Juventusit. Megjithatë, disa nga zgjedhjet e tij dukeshin të dyshimta.
PLANI FILLESTAR- Kundër një ekipi si PSV-ja, me tri ndeshje pa fitore, në krizë në kampionat nga Juventusi pritej që të qëndronte gjatë gjithë kohës në sulm për të siguruar sa më parë kualifikimin. Në vend të kësaj, skuadra e Motës e kufizoi veten në menaxhimin e ndeshjes, duke i dhënë kurajë holandezëve, të cilët, të inkurajuar edhe nga tifozët, përfunduan duke “shtypur” bardhezinjtë.
ZGJEDHJET- Pas kaq shumë ndryshimesh, në ndeshjet e fundit Mota, pavarësisht se ka një bollëk veçanërisht në disa zona të fushës (në mesfushë dhe në krahët e sulmit), e ka kufizuar veten te pak lojtarë. Dhe Juventusi përfundoi duke paguar çmimin fizikisht në Holandë. Mjaft e çuditshme, shumë njerëz nuk e kuptuar kur Mota la Jildizin në stol për herë të dytë radhazi. E njëjta gjë vlen edhe për mosaktivizimin e Turamit, mesfushorit më të mirë së fundmi në skuadrën e Juves.
NDRYSHIMET- Ishte një moment kur Mbangula dhe Turam ishin gati për të hyrë në fushë. Më pas Juventusi shënoi golin e barazimit dhe Mota ndryshoi mendje, duke shtyrë zëvendësimet për 14 minuta dhe duke përfunduar sërish në disavantazh. Skuadra ishte e lodhur dhe duhej të ndërhyhej. Për më tepër, në atë moment disa zëvendësime erdhën si rezultat i gjendjes fizike dhe bardhezinjtë e gjetën veten duke luajtur një pjesë të lojës me një formacion eksperimental.
GJENDJA FIZIKE- Juventusi lufton për të mbajtur ritmin e ndeshjes për më shumë se 45-60 minuta. Në Eindhoven si në Napoli u “fshinë” në pjesën e dytë. Ndaj PSV-së në ndeshjen e parë pësuan një rënie të dukshme në minutat e fundit. Dhe pastaj është problemi i dëmtimeve. Veiga ishte një tjetër emër që i shtohet infermierisë. Megjithatë, nëse marrim parasysh se në më pak se tre javë portugezi ka luajtur tashmë më shumë se një të tretën e minutave që luajti në pjesën tjetër të sezonit me Çelsin (360 kundër 986), ndoshta mund të kuptojmë se menaxhimi më i mirë do të kishte qenë më i frytshëm.
PËRMBYSJET- Dhe së fundi, forca mendore. Në Serinë A, Juventusi ka humbur 17 pikë nga sfidat kur ka qenë në avantazh, dhe njësoj bëri edhe ndaj PSV-së nëse llogarisim 180 minutat bashkë. Pas 37 ndeshjeve të luajtura mund të thuhet se Juvja nuk është në gjendje të realizojë dëshirën e trajnerit të tyre që kërkon të sulmojnë gjatë gjithë kohës. Është faji i lojtarëve që nuk kanë karakteristikat e duhura apo i atij që nuk mund të hyjë në kokën e tyre?
PANORAMASPORT.AL