Ish-kreu i Partisë demokratike, Lulzim Basha, i është përgjigjur Ilir Metës për deklaratat e tij për 21 janarin, ku ish-presidenti bën përgjegjës Bashën për ngjarjen e ndodhur.
Në një reagim në rrjetet sociale, Basha shprehet se drejtësia ka shumë për të zbardhur 21 janarin, ndërsa shkruan më tej se “Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve.”
Sipas Bashës, mashtrimet ordinere dhe zig-zaget e përditshme nuk mund t’i fshehin faktet të cilat janë para syve të çdo shqiptari.
“I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast”, shkruan Basha, ndërsa krahas saj ka shpërndarë edhe një video kur Meta dhe Berisha përplaseshin në Parlament për 21 janarin.
Reagimi i plotë
Drejtësia ka shumë për të zbardhur për 21 janarin. Nga Ilir Meta, njeriu me bllok, te Edi Rama, organizatori i protestës me sebepin e bllokut, i cili më pas çuditërisht e bëri Ilir Metën pjesë të pushtetit dhe ata që i akuzonte si pjesë e grupit të zjarrit i emëroi kryetar të PS dhe të Bashkisë. E më pas e gjithë e vërteta deri në fund.
Mashtrimet ordinere dhe zig-zaget e përditshme nuk mund t’i fshehin faktet të cilat janë para syve të çdo shqiptari. I njëjti person që sot bën sikur mbron Sali Berishën, ka bërë akuza nga më monstruozet ndaj tij edhe në këtë rast.
Ilir Meta është simbol i pandëshkueshmërisë dhe i pazareve në kurriz të shqiptarëve dhe demokratëve. Pazaret, deliret dhe ankthet e tij kanë dëmtuar rëndë opozitën, ndërsa distancimi nga ai dhe të ngjashmit e tij janë kusht i pashmangshëm për fitoren e saj.
Deklarata e Metës
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar sot se Lulzim Basha, ish-ministri i Brendshëm i Qeverisë Berisha është personi përgjegjës për ngjarjet e 21 janarit, ku u vranë 4 protestues në bulevard.
Nga selia e PL, Ilir Meta është shprehur se Basha asokohe nuk ka marrë asnjë masë edhe pse ishte paralajmëruar se do të kishte gjakderdhje.
“Drejtësia me regji hap 21 Janarin dhe gjen ditën sot për të ndaluar diskreditimin e Dum Dumanit seancën e kaluar në Kuvend. SPAK kërkon të mbajë në presion liderin e PD dhe opozitën e vërtetë ndaj regjimit të narko-trafikantit Rama, sepse është e qartë që nëse ka përgjegjësi në 21 Janar, është e Lulzim Bashës, i cili është paralajmëruar për gjakderdhjen që pritej nga banditët e Ramës. E ka pasur të shkruar skenarin dhe nuk ka marrë asnjë masë për parandalimin e vrasjeve të shëmtuara që ndodhën në bulevard.”, tha ai.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co