
Milani ka dështuar të shënojë vetëm dy herë në 30 ndeshjet e tyre të fundit në Serie A jashtë fushe e të dyja herët kundër Juventusit (e mëparshme para sot ishte 27 Prill 2024).
Ndërkohë, mes ndeshjes së fazës së parë dhe asaj të kthimit në këtë Serie A, për të parë një gol në përballjen mes Milanit dhe Juves u deshën 32 goditje. Meritë e portierëve që janë konfirmuar cilësorë. Njëri syresh është Majk Menja i cili ka dhënë edhe një intervistë në lidhje me momentin e tij dhe të ekipit që pas suksesit në Superkupë duket se në kampionat ka vështirësitë e zakonshme.
Çfarë ndodhi me Juventusin, një rival të cilin e mundët dy javë më parë?
Krahasimi i ndeshjes së fundit me atë të Superkupës nuk qëndron. Këtë herë rivalët ishin më të saktë dhe shënuan. Pastaj ne nuk është se patëm më shanse për të shënuar dhe ndeshja mori tjetër rrjedhë.
Të shtunën a ishte një mundësi e humbur për të kapur Juven në renditje?
Për mua kampionati nuk përfundon derisa të ketë ende ndeshje për të luajtur. Nuk duhet të dorëzohemi, duhet të përpiqemi të kuptojmë pse këtë herë nuk shkoi mirë. Jemi Milani e nuk mund të dorëzohemi derisa të përfundojë kampionati.
Qasja e skuadrës në pjesët e para ka qenë problem në këtë sezon, ndërsa me Juven diçka u bllokua në pjesën e dytë. Si e shpjegoni?
Ata fituan më shumë duele. Mund të kishim shënuar edhe ne, por ata e bënë të parët dhe patën më shumë besim për ta mbyllur ndeshjen. Sigurisht që u zemërova ashtu si shokët e mi, fundja kur nuk fiton nuk mund të jesh i lumtur. Më vjen keq edhe për tifozët sepse meritonin një gëzim.
Keni pasur më probleme fizike?
Ndjeva një gjë të vogël në kofshë në fund të pjesës së parë, nuk ishte serioze. Doja të kthehesha në fushë dhe të mos i lija shokët e skuadrës. E përfundova mirë ndeshjen fizikisht dhe nuk kam asnjë problem siç e dëshmojnë edhe stërvitjet e dy ditëve të fundit.
A është Girona një shans për t’u rikthyer te fitorja?
Nuk duhet të dorëzohemi. Në futboll ndodhin momente të këqija. Pas barazimeve dhe humbjeve nuk mund të ulim kokën dhe të dorëzohemi, por duhet të punojmë. Tani kemi një ndeshje të rëndësishme në Champions, dhe pas Juves filluam të mendojmë menjëherë për të.
REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL