Esmeralda Novruzaj ishte krenaria e Shqipërisë në Kampionatin Europian U-23 që u zhvillua disa ditë më parë në Sofje. Ndonëse merrte pjesë për herë të parë në një kompeticion të tillë, boksierja e talentuar kuqezi jo vetëm që la gjurmë, por arriti të ngjitej në podium.
22-vjeçarja fitoi medalje bronzi në Europian, duke treguar një boksim fantastik. Novruzaj spikati në duelin çerekfinal, duke mposhtur kundërshtaren armene, një rivale shumë të fortë, dy herë medaliste europiane. Boksierja shqiptare u ndal më pas në gjysmëfinale, duke humbur me pikë ndaj kundërshtares ruse që garonte për Serbinë.
Megjithatë vendi i tretë dhe medalja e bronzit mbeten një rezultat i madh për boksieren dhe Shqipërinë, teksa Esmeralda Norvuzaj ishte e vetmja nga ekipi kuqezi që u kthye me medalje nga ky aktivitet i rëndësishëm ndërkombëtar për boksin e moshave.
Teksa falënderon trajnerët e saj, duke nisur nga Baftjar Abazaj, me të cilit hodhi hapat e parë në ring, për të vijuar me Sead Bushatin, Eduard Dalipin dhe Gëzim Zenelin, boksierja Esmeralda Novruzaj premton të tjera medalje edhe më të rëndësishme: “Kjo medalje nuk është vetëm e imja, ajo i përket çdo shqiptari që besoi tek unë dhe atyre që dyshuan tek unë, duke më shtyrë të provoja veten. Jam e vendosur të shkruaj emrin e Shqipërisë në librat e historisë së boksit. Ky është vetëm një hap në rrugëtimin tim, premtoj se herën tjetër do të luftoj edhe më fort për ta bërë Shqipërinë krenare dhe për të arritur medaljen e artë”, shprehet boksierja nga Vlora për suksesin e arritur në Kampionatin Europian U-23.
PANORAMASPORT.AL