
Fitorja kundër Fiorentinës e çoi Interin në -1 pikë nga Napoli dhe solli optimizmin e duhur në prag të duelit vendimtar kundër Juventusit. Për ekipin zikaltër do të ndodhë diçka e çuditshme këtë javë sepse do të ketë kohë për ta përgatitur ndeshjen për shkak se nuk luajti në “Play Off”-in e Champions-it.
Diçka që nuk ndodhte prej 2 muajsh. Gjatë këtyre ditëve skuadra duhet që të rikuperojë disa futbollistë, mbi të gjitha 2 sulmuesit Markus Turam dhe Marko Arnautoviç. Të dy u larguan të dëmtuar nga fusha e lojës. Për sulmuesin francez bëhet fjalë për një goditje që ka marrë në kaviljen e majtë, ndërsa austriaku akuzoi për probleme në aduktorë.
Megjithatë ai ka besim që do t’ia dalë. “Ndjeva lodhje në muskuj dhe po më kapte ngërçi. Por për Juventusin duhet të rikuperohem patjetër”, ka thënë Arnautoviç pas ndeshjes. Inzagi në fakt shpreson që t’i rikuperojë të dy.
Për momentin në sulm është vetëm Lautaro Martinez, i cili shtrëngoi dhëmbët për 90 minuta, por shfaqi edhe shenja lodhjeje. Taremi nuk është në kondicionin e duhur fizik, ndërsa Korrea sapo është rikthyer në listën e të grumbulluarve. Ndërkohë që Interi do të përpiqet të rikuperojë edhe Federiko Dimarkon, prej ditësh me temperaturë. I sigurt është rikthimi i Denzel Dumfris, i cili ka kaluar skualifikimin.
PANORAMASPORT.AL