“Me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet”- Ekzekutimi i 16 deputetëve të opozitës, si u refuzuan lutjet për faljen e jetës. Shkresa e datës 9 tetor ‘47

me cdo kusht dhe me ashpersi te sulmohet dhe te vritet ekzekutimi i 16 deputeteve te opozites si u refuzuan lutjet per faljen e jetes shkresa e dates 9 tetor 47





































Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi dje 77- vjetorin e ekzekutimit të grupit të deputetëve. Brenda radhëve të deputetëve shqiptarë ekzistonin grupe antikomuniste. Qëndresa e tyre për të ndalur revanshin komunist u kushtoi jetën 16 deputetëve, që kishin mundur të hynin në parlament.

deputetet e opozites ne gjyq 1947

Gjyqi i “Grupit të deputetëve” filloi dhe u mbyll si një proces gjyqësor tërësisht i montuar, mbështetur në dëshmi që u ishin marrë të pandehurve nëpërmjet një dhune fizike dhe psikike të pashembullt gjatë hetuesisë. Gjykata Ushtarake nën urdhrat e drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të atij procesi dhe dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët i akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me “Grupin e deputetëve”.

Goditja brenda radhëve të parlamentit ndaj të ashtuquajturit nga hetuesit si “grup klandestin i deputetëve” ishte e pamëshirshme ndaj grupit të parë të gjykuar të deputetëve të njohur si grupi i Shefqet Bejës me 16 të dënuar kapital, (nga 16 të ekzekutuarit në 10 tetor 1947, tre deputetë u dënuan me varje, Shefqet Beja në Tiranë, Sulo Klosi në Rubik dhe Riza Alizoti në Kuçovë) dhe 13 të tjerët me pushkatim, ndërsa 21 bashkëlidhur me këtë proces ishte edhe Kolë Kuqali që vdiq në hetuesi më 30 maj 1947 nga torturat, zyrtarisht u shpall i vetëvarur, vdekur në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Me anë të këtij procesi, i cili nga dëshmitarët e kohës u cilësua si fund e krye farsë, Enver Hoxha synoi të nënshtronte dhe asgjësonte opozitën e vërtetë demokratike, duke i dhënë fund shprehjes së mendimit të lirë.

Propaganda e shfrenuar i paraqiti ata në popull, si armiq që kishin bashkëpunuar me kriminelët dhe agjenturat e huaja. Me këto gjyqe të bujshme, diktatura komuniste synoi të shuante përgjithmonë çdo shpresë apo tentativë për demokraci e pluralizëm te shqiptarët. Ideja për eliminimin e kundërshtarëve politikë, nuk filloi pas mbarimit të luftës, por që gjatë saj. Për këtë bëjnë fjalë dhe dokumentet e nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, të shkruara nga Enver Hoxha. Në një prej këtyre dokumenteve, të shkruar nga dora e Enverit në datën 19 gusht 1944 dhe që mban numrin “46” jepen këto porosi: “Zain e Fundos ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. T’i kërkohet të japi shpjegime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar dhe me ç’direktiva? Cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të englezëve? Të japi shpjegime për aktivitetin e tij të mëparshëm dhe për tradhtinë e tij. Deponimet e Zait na i dërgoni këndej me një njeri të sigurtë. Zain e vrisni atje”. Poshtë këtij dorëshkrimi ndodhet emri “Enver”. Vetëm dy ditë më pas, urdhri i Enver Hoxhës për eliminimin e kundërshtarëve politikë do të vazhdonte me letrën me numër “45”, në të cilën thuhet: “Lirisë, shumë konspirative. Mos kërkoni më prej Ganiut të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet. Në qoftë se Ganiu ashtë dorëzuar, më lajmëroni sa më parë. Duhet të veproni shpejt, se mund të vijnë në ndihmë kosovarë. Enver”. Kuptohet qartë që në ato ditë lufte, urdhrat për ekzekutimet pa gjyq jepeshin dhe nga ketë kreu i Partisë Komuniste, Enver Hoxha. Por ndërhyrja e drejtpërdrejtë e tij do të vazhdonte edhe më pas, madje dhe kur bëhej fjalë për një grup deputetësh, të cilët nga opozitarë u cilësuan si “armiq”.

AKUZAT

“Grupi i deputetëve” u morën si të pandehur nga regjimi komunist dhe u vunë në bankën e të akuzuarve në fillimin e shtatorit të vitit 1947. Në atë gjyq, i cili u zhvillua në kinemanë “17 Nëntori” të kryeqytetit nga data katër shtator e vitit 1947 e deri në datën 27 shtator, kur u dha edhe pretenca, u gjykuan si të pandehur 24 persona. Pjesa më e madhe e tyre ishin intelektualë, të cilët ishin diplomuar në universitetet e Perëndimit dhe disa prej tyre, si Shefqet Beja, Enver Sazani dhe Sheh Ibrahim Karbunara, ishin deputetë të Parlamentit shqiptar të propozuar si kandidatë të Frontit Demokratik. Ka qenë pikërisht koha, kur ky grup kishte marrë iniciativën për të penguar miratimin e projektkushtetutës së parë komuniste. Iniciativa e tyre për të ndalur revanshin komunist do t’u kushtonte jetën jo vetëm deputetëve që kishin mundur të hynin në parlament, por edhe shumë bashkëpunëtorëve, duke arritur numrin e 40 vetave. Më 2 dhjetor të vitit 1945, nga shteti komunist shqiptar i asaj kohe u organizuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese.

Pjesa dërrmuese e deputetëve të zgjedhur ishin anëtarë të Partisë Komuniste Shqiptare dhe funksionarë të lartë të partisë-shtet. Të gjithë deputetët, pa përjashtim, ishin të lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare, që drejtohej nga Partia Komuniste Shqiptare gjatë periudhës 1942-1944. Duke konstatuar se, Partia Komuniste Shqiptare po vendoste në Shqipëri një shtet diktatorial, disa prej deputetëve të shkolluar në Francë, Vjenë, Romë, etj., si: Gjergj Kokoshi, Enver Sazani dhe Selaudin Toto, filluan të shprehnin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë së Tiranës, të drejtuar nga Enver Hoxha. Bisedat po amplifikoheshin midis deputetëve me pikëpamje liberale, por pa dyshim që Sigurimi i Shtetit ishte në dijeni të bisedave “reaksionare” që zhvilloheshin midis të pakënaqurve. Ishte korriku i 1946- ës kur u mblodhën sërish krerët e organizatës së deputetëve në një takim të planifikuar për realizimin e platformës së tyre politike. Aty u ngarkuan Riza Dani, Faik Shehu dhe Jup Kazazi me detyra konkrete organizuese për të përgatitur ndërhyrjen e aleatëve. Në këtë nismë u vendos që të jepej një vrull i përgjithshëm për të krijuar turbullira në vend. Gjithsesi, më pas ata do të deklaronin për mosbesimin që kishin pasur në iniciativat e veta. Kështu, njëri prej tyre, Tefik Deliallisi, gjatë procesit të tij gjyqësor para trupit gjykues do të deklaronte: “Ne dyshonim që me forcat tona të mund t’i futeshim kryengritjes, por vetëm kishim besim në ndihmën e anglo-amerikanëve. Fillimi i kryengritjes ishte vetëm sa për të gjetur pretekst për të ndërhyrë me armë, në mënyrë që të paraqisnim në botën e jashtme se në Shqipëri gjendja është e turbullt…”.

ARRESTIMET DHE VENDIMI

‘Grupi i deputetëve’ doli hapur si grup i organizuar në mbrojtje të parimeve të demokracisë perëndimore dhe mori përsipër të bënte opozitën në Parlamentin e parë të Shqipërisë komuniste. Aftësitë intelektuale dhe organizuese, shumë shpejt ranë ndesh me përpjekjet e diktaturës, e cila kishte filluar të instalohej pak nga pak. Opozita u bë pre e përndjekjes deri në arrestimin e tyre. Qëndresa e tyre për të ndalur revanshin komunist u kushtoi jetën 16 deputetëve, që kishin mundur të hynin në parlament. Gjyqi i “Grupit të deputetëve” filloi dhe u mbyll si një proces gjyqësor tërësisht i montuar, mbështetur në dëshmi që u ishin marrë të pandehurve nëpërmjet një dhune fizike dhe psikike të pashembullt gjatë hetuesisë.

Gjykata Ushtarake nën urdhrat e drejtpërdrejt të Enver Hoxhës urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të atij procesi dhe dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët i akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me “Grupin e deputetëve”. Në fillim të vitit 1947, pa iu hequr mandati i deputetit, u arrestuan: Riza Dani, deputet i Shkodrës; Shefqet Beja, deputet i Durrësit; Enver Sazani, deputet i Durrësit; Selaudin Toto, deputet i Gjirokastrës; Irfan Majuni, deputet i Dibrës; Faik Shehu, deputet i Dibrës; Kosta Boshnjaku, deputet i Tiranës dhe Gjergj Kokoshi, deputet i Shkodrës, i pari ministër i Arsimit pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyqi u zhvillua në kinema “17 Nëntori” (Nacional) në Tiranë, me po atë dekor të brendshëm dhe të jashtëm, me po ato parulla të hedhura nga turma e irrituar, sikurse edhe në Gjyqin Special të zhvilluar në kinema “Kosova”. Shefqet Beja pati guximin të zhvishej në sallën e gjyqit për t’i treguar trupit gjykues dhe të pranishmëve në sallë plagët e shkaktuara nga hekuri i skuqur në gjoks dhe në shpinë.

Një pjesë e mirë e të pandehurve, nën efektin e torturave, pranuan se kishin krijuar një “Grup opozitar”, për të vendosur në Shqipëri një regjim kapitalist. Vendimi u dha në fund të muajit shtator të vitit 1947 dhe ishte i paapelueshëm. Më së fundmi, pas shumë akuzash dhe kundërakuzash, Gjykata e Lartë nxori vendimin nr. 187, datë 27. 9. 1947: “…Për veprën e tradhtisë së lartë për rrëzimin e shtetit demokratik shqiptar…” dënohen: Me vdekje me pushkatim: Selaudin Toto, Irfan Majuni, Enver Sazani, Sheh Ibrahim Karbunara, Hysen Shehu, Agothokli Xhitoni, Abdyl Kokoshi, Selim Kokalari, Beqir Çela, Mehmet Prishtina, Paolo Sogioti, Tefik Delialliasi, Pertef Karagjozi, Shefqet Beja, Sulo Klosi. Në fund, numri i të ekzekutuarve arriti deri në 40 persona, pasi më mbrapa në këtë akuzë u përfshinë dhe ata që u konsideruan “bashkëpunëtorë të deputetëve”.

DËNIMET

U quajtën “Grupi klandestin i deputetëve” me qëllim që t’i bënin të besueshme akuzat ndaj tyre. Kështu, grupi i parë i deputetëve, të quajtur si grupi i Shefqet Bejës, morën dënimin kapital 16 deputetë dhe intelektualë. Më 10 tetor 1947, nga 16 të akuzuarit, tre u dënuan me varje, Shefqet Beja në Tiranë, Sulo Klosi në Rubik dhe Riza Alizoti në Kuçovë, 13 të tjerë me pushkatim, ndërsa Kolë Kuqali vdiq në hetuesi më 30 maj 1947 nga torturat, por zyrtarisht e shpallën të vetëvarur në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Regjimet totalitare mendojnë se duke zhdukur njerëzit, do të zhdukin edhe gjurmët e krimit të tyre, por harrojnë se, edhe një fjalë e hedhur në këtë botë nuk mbetet pa gjurmë dhe pasoja. Gjykata Ushtarake nën urdhrat e drejtpërdrejta të Enver Hoxhës urdhëroi ekzekutimin e 16 të pandehurve të atij procesi dhe dha dënime të rënda për dhjetëra të tjerë nga rrethe të ndryshme, të cilët i akuzuan për lidhje dhe bashkëpunim me “Grupin e deputetëve”.

Goditja brenda radhëve të parlamentit ndaj të ashtuquajturit nga hetuesit si “grup klandestin i deputetëve” ishte e pamëshirshme ndaj grupit të parë të gjykuar të deputetëve të njohur si grupi i Shefqet Bejës me 16 të dënuar kapital, (nga 16 të ekzekutuarit në 10 tetor 1947, tre deputetë u dënuan me varje, Shefqet Beja në Tiranë, Sulo Klosi në Rubik dhe Riza Alizoti në Kuçovë) dhe 13 të tjerët me pushkatim, ndërsa 21 bashkëlidhur me këtë proces ishte edhe Kolë Kuqali që vdiq në hetuesi më 30 maj 1947 nga torturat, zyrtarisht u shpall i vetëvarur e vdekur në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Me anë të këtij procesi, i cili nga dëshmitarët e kohës u cilësua si fund e krye farsë, Enver Hoxha synoi të nënshtronte dhe asgjësonte opozitën e vërtetë demokratike, duke i dhënë fund shprehjes së mendimit të lirë.

Propaganda e shfrenuar i paraqiti ata në popull, si armiq që kishin bashkëpunuar me kriminelët dhe agjenturat e huaja. Me këto gjyqe të bujshme, diktatura komuniste synoi të shuante përgjithmonë çdo shpresë apo tentativë për demokraci e pluralizëm te shqiptarët. Më 10 tetor 1947, në orën 3 pasmesnate, i ngarkuari me cilësinë e prokurorit mori në dorëzim të dënuarit me vdekje, deputetët: 1. Shefqet Beja (me varje në litar), 2. Riza Alizoti (me varje në litar), 3. Sulo Klosi (me varje në litar), 4. Selaudin Toto (me varje në litar), 5. Sheh Ibrahim Karbunara, 6. Paolo Saggioti, 7. Agathokli Xhitoni, 8. Mehmet Prishtina, 9. Abdul Kokoshi, 10. Beqir Çela, 11. Salim Kokalari (me varje në litar), 12. Tefik Deliallisi, 13. Irfan Majuni (me varje në litar), 14. Pertef Karagjozi, 15. Enver Sazani (me varje në litar),16. Hysen Shehu. Me heqje lirie të përjetshme u dënuan: 17. Foto Bala, 18. Ramazan Tabaku, 19. Rram Marku, 20. Gjovalin Vlashi, Me nga 20 vjet heqje lirie u dënuan: 21. Shefki Minarolli, 22. Rustem Sharra, 23. Xhevat Xhafa. Me 15 vjet heqje lirie u dënua Sulo Konjari. Cilësohet ndër masakrat e vërteta pas një gjyqi të shpejtë, që kishte për qëllim të zhdukte elitën politike dhe kundërshtarët e mundshëm të regjimit. Procesi i njohur si “Gjyqi i Deputetëve” u zhvillua më 27 shtator 1947 në sallën e kinemasë “17 Nëntori”

EKZEKUTIMI NË MALIN ME GROPA

Plot një muaj të lidhur që nuk mund të lëviznin kanë ndenjur të gjithë deputetët e dënuar me vdekje në qelitë e Burgut të Sigurisë së Lartë Nr. 313 në kryeqytet, në pritje të zbatimit të vendimit të ekzekutimit të tyre. Brenda atij muaji ata u munduan të bëjnë dhe përpjekjet e fundit për të shpëtuar jetën. Kështu, secili dërgoi në organet më të larta të shtetit dhe kryesisht në Kryesinë e Asamblesë Kushtetuese, anëtarë të së cilës deri pak kohë më parë se të dënoheshin kishin qenë edhe ata vetë, kërkesat për falje të tyre. Deri në momentet e fundit nuk i kishin humbur shpresat për falje nga ish-kolegët e tyre parlamentarë. Megjithatë, ajo nuk u realizua kurrë. Ka qenë një shkresë e nisur në Drejtorinë e Burgut, ku ata ishin të izoluar, e firmosur nga Sekretari i Presidiumit, Sami Baholli, e cila u bënte të ditur refuzimin e lutjeve të tyre për t’u dhënë mundësinë për të jetuar. Konkretisht, ajo shkresë ka mbajtur datën 9 tetor 1947 dhe ka qenë regjistruar në numrin 180 të regjistrit të Parlamentit të atij viti. Pas kësaj, do të vinin orët e para të mesnatës së 10 tetorit, kur skuadra e pushkatimit do t’i merrte për t’i çuar në zonën e Malit me Gropa, ku do të ekzekutoheshin që të gjithë./Gazeta Panorama

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al

dsaadmin

Learn More →