
Shqipëria ka mbyllur me sukses organizimin e një tjetër aktiviteti të rëndësishëm ndërkombëtar në sportin e mundjes, teksa nga data 26 shkurt e deri më 2 mars në Tiranë u zhvillua turneu “Muhamet Malo”. Një aktivitet që vjen në nderim të një prej figurave të shquara të mundjes shqiptare, si ish-kampioni Muhamet Malo, me eventin që zhvilloi edicionin e tij të pestë.
Bëhet fjalë për një kompeticion të përmasave të mëdha, pjesë e kalendarit të Bashkimit Botëror të Mundjes, që ka sjellë në vendin tonë mbi 720 sportistë. Salla “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës u shndërrua në arenën e dueleve për pesë ditë me radhë.
Për sa u përket rezultateve, në stilin e lirë kampion u shpall Irani me 135 pikë, ndërsa podiumi u plotësua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 97 pikë në vend të dytë dhe Japonia e treta me 93 pikë. Shqipëria e mbylli në vendin e 12-të, në kuotën e 31 pikëve.
Në stilin greko-roman, kampione u shpall Gjeorgjia me 141 pikë. Medalja e argjendit shkoi për Turqinë me 137 pikë, ndërsa podiumi u plotësa nga Kirgistani me 125 pikë. Në stilin greko-roman Kombëtarja Kuqezi u klasifikua në vendin e 17-të me 12 pikë të grumbulluara.
Për i përket mundjes për femra, vendin e parë në renditjen e ekipore e zuri Japonia me 158 pikë, ndjekur nga Ukraina me 110 pikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 109 pikë. Medalja e vetme e Shqipërisë në këtë turne u fitua nga Chermen Valiev, i cili u shpall kampion në stilin e lirë për peshat 74 kg. Me mbylljen e turneun “Muhamet Malo”, Tirana do të presë një tjetër kompeticion prestigjioz ndërkombëtar, teksa nga datat 8 deri më 14 mars do të mbahet Kampionati Europian për moshat deri në 23 vjeç.
PANORAMASPORT.AL