Për drejtuesin politik të Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, mbyllja e turit të anëtarësimeve në Partinë Socialiste i paraprin një superfushate pozitive, siç theksoi ai, për një mandat të katërt të PS dhe do të shërbejë si frymëzim, për të çuar edhe më tej projektet e nisura për Tiranën e gjithë vendin. Nga Kamza, ai theksoi se Tirana ka arritur një rezultat të jashtëzakonshëm, duke kaluar mbi 100% anëtarësimet e reja, teksa shtoi se në të gjithë qarkun e Tiranës janë kryer mbi 5000 anëtarësime.
“Në total, në të gjithë qarkun e Tiranës kemi pasur mbi 5000 anëtarësime të reja. Ndoshta ka qenë fushata më produktive, më e dobishme, më fitimtare në sensin e fitoreve të zemrave e mendjeve të njerëzve. Nuk bëhet fjalë për të fituar territor, por për të fituar zemrat e njerëzve. Unë besoj se me këtë shtesë, ne si qark jemi gati në të 43 njësitë, që të përgatitemi për një fushatë pozitive dhe për një derë të hapur që duhet të rrijë e hapur edhe pas kësaj fushate”, tha ai.
Veliaj e mbylli fjalën e tij duke vënë në dukje faktin se rritja e kapitalit njerëzor në PS dhe vlerësimi i njerëzve të duhur është çelësi që do të garantojë progresin e qytetit dhe vendit.
“Të hapemi, të shtohemi, të përqafojmë ndoshta edhe dikë që s’ka menduar si ne, por siç është vend demokratik, secili ka lirinë të mendojë ndryshe, secili ka lirinë edhe të ndryshojë mendim. Kush ndryshon mendim dhe do të bashkohet me trenin e fitores, e ka gjithmonë derën, mendjen dhe zemrën tonë të hapur”, përfundoi Veliaj.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co