Sa herë që bëhet një analizë e një ndeshje, aq më shumë në përballje të mëdha si ajo mes Realit të Madridit dhe Atletikos do të gjenden elementët pozitivë dhe ata negativë.
Kështu ka ndodhur dhe këtë herë. Ndërsa Brahim Diaz, Asensio e Valverde kanë qenë në anën pozitive të peshores së Realit, surprizë ka qenë krahu i tjetër i saj. Atje janë dy lojtarë (tre në fakt së bashku me Kamavingën) që në fakt duhet të merrnin mbi supe skuadrën, Vinicius Zhunior dhe mbi të gjitha Kilië Mbape. Ndërsa braziliani ka bërë diçka, është përpjekur, Mbape ka qenë një “fantazmë” në fushë.
Ançeloti e ka lidhur me shqetësimin që ka pasur në dhëmballë që nga operimi fundjavën e kaluar. Por forma e dobët e francezit shkon përtej derbit kundër Atletikos. Mbape sikur e ka fikur motorin pikërisht atëherë kur ai i duhet më shumë skuadrës. Dhe kjo ka ngritur alarmin në Madrid. Aq sa misioni i menjëhershëm i stafit të Realit nuk është tjetër veçse të rikuperojë Kilië Mbapenë e vërtetë për pjesën e mbetur të sezonit.
Tri golat e shënuar kundër Mançester Sitit vetëm pak javë më parë e ngritën francezin në zenitin e tij si një lojtar i Realit. Por pikërisht që nga ajo ndeshje, ai sikur është zhdukur nga skena e madhe, duke nisur me disa shqetësime të vogla fizike e për të mbërritur deri te dhëmballa e famshme që e detyroi të humbiste 2-3 seanca stërvitore dhe të ulë rendimentin e tij.
DENTISTI – Nisur dhe nga deklaratat e trajnerit Ançeloti, mediat spanjolle nuk kanë ngurruar të kontaktojnë as specialistë dentarë për të mësuar më shumë rreth rolit që mund të ketë pasur te Mbape në uljen e rendimentit të tij. Huan Manuel Romano, një dentist, shpjegoi në “La Tribu de Radio MARCA” se çfarë mund të thotë nxjerrja e një dhëmbi, siç ndodhi me Mbapenë javën e kaluar.
“Gjithçka varet nga mënyra se si trajtohet dhëmbi. Nëse dhëmbi nuk preket kur nxirret, koha e rikuperimit duhet të jetë maksimumi tre ose katër ditë, ose maksimumi një javë. Nëse gjithçka ka shkuar mirë duhej të ishte rikuperuar shpejt. Mbape me siguri duhet të ketë një ekip pas tij që mund ta trajtojë këtë, kështu që unë mendoj se duhet të ketë diçka më shumë se thjesht një dhembje dhëmbi që ka shkaktuar rënien e formës së tij”.
MODRIÇ – Edhe Ançeloti e di më mirë se kushdo se ajo e Mbape nuk është thjesht një çështje dhëmballe. Ai dhe kapiteni Modriç kanë biseduar me sulmuesin. Kryesore tani është që Mbape të rifitojë sa më shpejt formën e tij optimale, sepse kundër Betisit dhe Atletikos së Madridit,ai ishte një kopje e shëmtuar e francezit.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL