E tashmja dhe e shkuara miksohen në një intervistë të Marko Materacit. Biseda nis me një mendim për Simone Inzagin, i cili është i lidhur me shumë thashetheme për transferimin e tij në Premier Ligë.
“Unë jam tifoz i Interit dhe shpresoj që Inzagi të qëndrojë për një kohë të gjatë sepse puna e tij nuk ka përfunduar këtu. Është një profil ideal për Anglinë. Arteta është një nga më të mirët, por për mua Arenali është klubi ideal është një nga klubet e duhura për të. Ndoshta edhe Junajtid dhe Siti. Askush nuk e di çfarë do të bëjë Guardiola. Shpresoj që Simone të qëndrojë në Itali. Unë jam miku i tij dhe kemi luajtur disa herë kundër. Nuk mund ta vendos unë të ardhmen e tij”.
A mund ta fitojë Interi Champions-in në këtë sezon?
Interi ka mundësi të mëdha për ta fituar ndeshjen sepse shënon shumë gola dhe nuk pëson. Janë shumë të fortë. Shpresoj që ta fitojnë sepse dy vite më parë humbën finalen e Stambollit. Vitin e kaluar ishim të pafatë në Madrid dhe ndoshta meritonim ta fitonim duke bërë më mirë në ndeshjen e parë. Nëse nuk e fiton Interi them Mançester Siti. Për momentin kanë shumë probleme dhe dëmtime, por mund të gjejnë formën në të ardhmen.
Cila është skuadra favorite në Serinë A?
Shpresoj që ta fitojë Interi, por është një pyetje e vështirë. Napoli nuk është i lehtë. Për mua e fiton Interi ose Napoli. Konte është një trajner i zoti, shumë i fortë. Të dyja skuadrat mund të fitojnë.
Buonxhorno është një peng për Interin?
Të dielën isha në “San Siro” për të parë ndeshjen Inter Napoli dhe ai bëri një paraqitje të jashtëzakonshme. Fitoi duelet me Turamin dhe tregoi që është i fortë dhe i shpejtë. Napoli e ka paguar 40 milionë, ndërsa tani vlen 60 milionë. Nëse Konte qëndron aty edhe ai do të qëndrojë. Por në anën tjetër Açerbi nuk bëri keq. Mund të jetë 50-60-70 vjeç, por të dielën ishte njeriu i ndeshjes. Lukaku nuk preku top. Për mua mosha vlen, por jo kaq shumë. Nëse është në formë mund të luajë edhe për 2-3 vite. Për momentin Açerbi është një nga më të mirët në Itali.
Me Ibrahimoviçin keni pasur një rivalitet të madh…
Nuk kam raport me të. Por nuk është problem as për mua as për atë. Kemi idetë tona. Ajo që ndodh në fushë qëndron në fushë. Ai mendon që është lojtari më i mirë në botë dhe ky nuk është opinioni im. Për mua është një lojtar i madh. Ka fituar shumë trofe, por jo më të rëndësishmit sepse ka humbur Champions-in, Botërorin dhe Europianin. Por ndoshta ka fituar 20 kampionate. Është një lojtar i madh, një kampion. Nuk është as Mesi as Ronaldo, por Ibrahimoviç. Në të ardhmen, të gjithë do ta njohin mendoj…
Ju keni luajtur me shumë lojtarë. Cili ishte më i miri?
Nuk është një pyetje e lehtë për t’ju përgjigjur. Kam qenë me fat sepse kam luajtur me më të mirët: Eto, Milito, Toti, Baxho. Por zgjedh Stankoviçin sepse ka qenë shoku im i dhomës. E dua si vëllanë tim.
Po rivali më i vështirë?
Ronaldo Fenomeni.
Cili ka qenë idhulli yt i fëmijërisë?
Marko Van Basten ka qenë idhulli im. E di që ishte lojtar i Milanit, por për mua ishte më i miri.
Na fol pak për përqafimin me Zhoze Murinjon në vitin 2010…
Pas Champions-it të fituar në Madrid në vitin 2010 e përqafova sepse do të largohej. Jam i bindur që nëse do të qëndronte, ne do të fitonim të tjerë trofe në vitin 2011. Por ai vendosi të largohej. Dy javë para finales me Bajernin i shkova në zyrë dhe iu luta të qëndronte. Por nuk më pa kurrë në sy.
Po goditjen e Zidanit në Botërorin e vitit 2006 e mban mend?
Nuk më pëlqen që ta kujtoj përjashtimin e tij. Më pëlqen të kujtoj 2 golat e shënuar nga unë. Ndoshta Zidan do ta shënonte penalltinë, por Trezege ishte një nga më të mirët. Thjesht nuk pati fat.
Tripleta apo Botërori i vitit 2006, kush të ka bërë më të lumtur?
Kam një pyetje për ju: Doni më shumë mamanë apo babanë. Viti 2006 ishte fantastik, sepse kam luajtur në finale. Por viti 2010 ishte shansi i fundit për mua që të fitoja diçka të rëndësishme pas 10 vitesh me Interin.
PANORAMASPORT.AL