Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj njoftoi vendimin e kësaj gjykate lidhur me mandatin e deputetes socialiste, Olta Xhaçka. Zaçaj u shpreh se Kuvendi nuk ka zbatuar vendimin e GJK në lidhje me mandatin e ish-ministres, kur votoi për të mos dërguar raportin në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuesja ka shfuqizuar vendimin e Kuvendit të marrë në prill të këtij viti. Zaçaj tha se mandati i Xhaçkës duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese dhe se Kuvendi nuk duhet të vendosë në diskutim vendimet e GJK.
Zaçaj theksoi gjithashtu se Kuvendi duhet të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese pa vonesa raportin për mandatin e Olta Xhaçkës.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk u zbatua nga Kuvendi. Vendosëm pranimin pjesërisht të kërkesës. Gjykata sot konstatoi se vendimi i saj numër 1 nuk është ekzekutuar nga Kuvendi. Gjykata vlerësoi se përmes vendimit në 11.04.2024, Kuvendi i Shqipërisë ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të saj.
Gjykata theksoi se vendimet e saj kanë efektet dhe forcën e ligjit, asnjë organ nuk i vendos në diskutim dhe aq më tepër të mos pranojë t’i zbatojë. Vendimi ka efekt detyrues si me pjesën urdhëruese ashtu edhe me pjesën arsyetuese. Gjykata theksoi se vendimi është i detyrueshëm për zbatim. Kjo do të thotë që Kuvendi dhe deputetët e tij duhet të votojnë në përputhje me vendimin e gjykatës.
Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës për zgjidhjen e këtij konflikti mes palëve. Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin pa vonesa të këtij vendimi. Kuvendi mbart detyrimin për ekzekutimin e vendimit. Kuvendi të dërgojë pa vonesë mocionin për mandatin e Olta Xhaçkës“, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
“Kur thua pa vonesë do të duhet që Kuvendi të veprojë. Jemi në vendimmarrje të dytë për të njëjtën çështje, i mbetet politikës të vendosë nëse do ta zbatojë konformort asaj që kemi vendosur në vendimin e sapomorëm, që ta sjellë çështjen me përparësi, ashtu siç ne e kemi shqyrtuar me përparësi por nuk kemi vendosur afate”.
Këtë javë, PS iu drejtua me një shkresë Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar rihapjen e çështjes së mandatit të Xhaçkës dhe marrjen e një opinioni Këshillimor nga Komisioni i Venecias.
“Të dyja çështjet, kërkesa për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor, qoftë edhe kërkesa për marrjen e një mendimi Amicus curiae, u rrëzuan nga gjykata”.
Vijon…
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co