Mançester Siti fiton me përmbysje në Kupën FA, Guardiola: Të gjithë më urojnë shkarkimin

mancester siti fiton me permbysje ne kupen fa guardiola te gjithe me urojne shkarkimin
mancester siti fiton me permbysje ne kupen fa guardiola te gjithe me urojne shkarkimin

Goli për të cilin do të flasin për shumë vite në Londrën Lindore dhe që do të zërë vendin e tij në historinë e pasur të Lejton Orientit nuk është fituesi i shënuar nga Kevin de Bryjne.



Dhe nuk u shënua as nga ndonjë lojtar i Orientit. Është autogoli i Stefan Ortegës në pjesën e parë, pasi një goditje e mrekullueshme nga 50-metra e Xhemi Donlejt, e cila u përplas në traversë, goditi portierin e Mançester Sitit teksa ai po kthehej në portë i panikosur dhe përfundoi në rrjetë. Ky ishte goli që ndezi një tjetër fundjavë të Kupës FA dhe që i dërgoi në festë në ballkonet e banesave me pamje nga “Brisbane Road”, që këto ditë do të marrë emrin “Stadiumi i Grupit Gaughan”.

Ai gjithashtu frymëzoi Riçi Uellensin dhe ekipin e tij të Ligës së Parë që të besonin se mund të ishin në rrugën e duhur për të bërë një mrekulli ndaj ekipit kampion të Anglisë, që është kthyer tashmë në një objektiv më i lehtë për t’u sulmuar. Orienti kryesoi në pjesën e parë dhe po barazonte deri në minutën e 79-të, kohë në të cilën Guardiola ishte detyruar të thërriste De Bryjnen dhe Fill Fodenin nga stoli dhe kishte në fushë pak a shumë ekipin e tij të parë. Një debutim për t’u harruar për Niko Gonzalezin, mesfushorin që erdhi nga Porto për të zëvendësuar Rodrin. 23-vjeçari doli i dëmtuar në mesin e pjesës së parë, ndërsa iu rrëmbye edhe topi në mesfushë në aksionin e golit të parë të vendësve.

Goli i rivalëve entuziazmoi edhe vetë Guardiolën, i cili tha: “Çfarë goli! Kur pëson një gol të tillë, nuk të mbetet gjë tjetër veçse ta urosh atë djalë. Ai është një futbollist mëngjarash i pabesueshëm dhe shënoi një gol fantastik. Pozicioni ynë është pak i paqendrueshëm, prandaj këto rezultate më bëjnë kaq të lumtur dhe krenar”. Për Sitin erdhi edhe goli i parë i Khusanovit, qendërmbrojtësit të transferuar vetëm muajin e shkuar në “Etihad”, i cili u aktivizua në pjesën e dytë. “Kur të këndojnë ‘do shkarkohesh në mëngjes’, është kthyer në një rutinë në të gjitha stadiumet tani. Por unë jam shumë i sigurt se presidenti im nuk do të më shkarkojë tani. Ne e dimë sesa fort luajnë ekipet e ligave të ulëta në këtë kompeticion dhe mua më pëlqen të luaj kundër tyre. Është shumë argëtuese”, shtoi katalanasi, i cili sot do të mësojë edhe emrin e kundërshtarit të 1/8-ave në rrugën drejt finales së tretë radhazi të Kupës FA.

ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

dsaadmin

Learn More →