Një koalicion i së majtës franceze që u bë bashkë papritur për të mposhtur një të djathtë ekstreme në rritje, fitoi shumicën e vendeve në parlament, por jo shumicën, sipas parashikimeve të dala pas zgjedhjeve të së dielës, një rezultat që kërcënon të zhysë vendin në trazira politike dhe ekonomike.
Parashikimet e rendisin aleancën e qendrës të presidentit Emmanuel Macron në vendin e dytë dhe të djathtën ekstreme të tretën.
Pamundësia e sigurimit të një shumice qeverisëse nga cilido bllok politik mund të përballë Francën me pasiguri që mund të tronditë tregjet dhe ekonominë e saj, e dyta më e madhja në Bashkimin Evropian dhe të hedhë një hije paqëndrueshmërie politike në prag të Lojërave Olimpike të Parisit që pritet të hapen në më pak se tre javë.
Rezultatet përfundimtare nuk priten të dalin deri të dielën vonë në mbrëmje ose të hënën herët në mëngjes.
Sipas parashikimeve presidenti thellësisht jopopullor Emmanuel Macron ka humbur kontrollin e parlamentit. Bashkimi Kombëtar i zonjës Marine Le Pen e rriti shumë numrin e vendeve, por nuk i përmbushi shpresat e saj për të siguruar një shumicë absolute, që do t’i jepte Francës qeverinë e saj të parë të ekstremit të djathtë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Jordan Bardella, i përkëdheluri 28 vjeçar i zonjës Le Pen, i cili shpresonte të bëhej kryeministër, tha se rezultati i votimit “e hedh Francën në krahët e ekstremit të majtë”.
Udhëheqësi kryesor i koalicionit të majtë, Jean-Luc Mélenchon, i kërkoi presidentit Macron të ftojë koalicionin e Frontit të Ri Popullor për të formuar qeverinë. Aleanca, tha ai, “është gati të qeverisë”.
Nëse rezultatet zyrtare konfirmojnë parashikimet, atëherë pritet të zhysin vendin, një shtyllë e Bashkimit Evropian dhe ekonomia e dytë më e madhe në Evropë, në pasiguri e paqartësi intensive se kush mund të jetë partner me presidentin Emmanuel Macron në detyrën e kryeministrit. Rezultatet pritet të ndikojnë tek lufta në Ukrainë, diplomacia globale dhe qëndrueshmëria ekonomike e Evropës.
Kryeministri francez Gabriel Attal, tha se do të jap dorëheqje, por do të qëndrojë përkohësisht në detyrë gjatë Lojërave Olimpike, ose për aq kohë sa nevojitet, duke pasur parasysh se mund të ketë javë negociatash për të zgjedhur një kryeministër të ri.
Në një deklaratë nga zyra e tij, presidenti Macron tha nuk do të nxitohej për të ftuar një kryeministër të mundshëm për të formuar qeverinë. Ai tha se do presë rezultatet dhe Asambleja e re Kombëtare të marr formë, përpara se të sjell “vendimet e nevojshme”, duke respektuar “zgjedhjen sovrane të francezëve”.
Ndryshe nga vendet e tjera në Evropë që janë mësuar më shumë me qeveritë e koalicionit, Franca nuk ka traditë që ligjvënësit nga kampet rivale politike të bashkohen për të formuar një shumicë.
Presidenti Macron habiti vendin dhe shumë në qeverinë e tij, duke shpërndarë dhomën e ulët të parlamentit, Asamblenë Kombëtare, pas një rritje të së djathtës ekstreme në votimet për zgjedhjet evropiane. Ai argumentoi se nxjerrja e votuesve në qendrat e votimit do t’i siguronte Francës “qartësi”.
Ai mendonte se me fatin e Francës në duart e tyre, votuesit mund të largoheshin nga e djathta dhe e majta ekstreme dhe të riktheheshin tek partitë kryesore më pranë qendrës, ku zoti Macron gëzon më shumë mbështetje që i dha atij presidencën në 2017 dhe përsëri në 2022. Ai shpresoi se kjo do ta forconte presidencën e tij për tre vitet e mbetura në detyrë.
Por në vend që të dilnin në mbështetje të tij, miliona votues në të majtë dhe në të djathtë të peizazhit politik gjithnjë e më të polarizuar të Francës, shfrytëzuan vendimin e tij të befasishëm, si një mundësi për të shprehur zemërimin e tyre dhe ndoshta për ta mënjanuar zotin Macron, duke i dhënë atij një parlament që tani mund të jetë përgjithësisht i formuar nga ligjvënës jomiqësorë ndaj tij dhe në veçanti, ndaj politikave të tij pro-biznesit.
Që në raundin e parë të votimit të fundjavës së kaluar, votuesit mbështetën masivisht kandidatët nga Bashkimi Kombëtar i së djathtës ekstreme, në një numër edhe më të madh sesa gjatë votimeve për Parlamentin Evropian. Një koalicion i partive të majta u rendit i dyti dhe aleanca e tij qendrore u radhit e treta, madje me diferencë të madhe.
Polarizimi i mprehtë i politikës franceze – veçanërisht në këtë fushatë të zjarrtë dhe të shpejtë – sigurisht që do të komplikojë çdo përpjekje për ndërtimin e koalicionit. Racizmi dhe antisemitizmi njollosën fushatën elektorale, së bashku me fushatat e dezinformimit rus, ndërsa mbi 50 kandidatë raportuan se ishin sulmuar fizikisht – diçka shumë e pazakontë për Francën. Qeveria tha se dislokoi 30 mijë policë për votimet për balotazhin e së dielës – një tregues i rrezikut të lartë dhe shqetësimeve se një fitore e ekstremit të djathtë, apo pa një fitore të qartë nga një grupim politik, mund të shkaktojë protesta.
Shumica që mund të krijohet nga koalicione paszgjedhore rrezikon të jetë e brishtë, e ekspozuar ndaj mocioneve të mosbesimit që mund të shkaktojnë rënien e saj.
Paqëndrueshmëria e zgjatur mund të shtojë sugjerimet nga kundërshtarët e tij se zoti Macron duhet ta përfundojë më herët mandatin e tij të dytë dhe të fundit. Kushtetuta franceze e pengon atë ta shpërndajë parlamentin përsëri në 12 muajt e ardhshëm, duke e hequr këtë si një mundësi për t’i dhënë Francës një qartësi më të madhe./ Zëri i Amerikës
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co