
Ministrja e Jashtëm i Australisë ka deklaruar se vendi i saj mund të njohë shtetësinë palestineze, për të rritur vrullin drejt paqes. Megjithatë Hamasi nuk mund të ketë asnjë rol në qeverisjen e tij, tha Penny Wong.
Si opozita e Australisë ashtu edhe Federata Sioniste e Australisë thonë se një veprim i tillë do të ishte i parakohshëm. Canberra ka thënë prej kohësh se njohja e një kombi palestinez mund të vijë vetëm si pjesë e një zgjidhjeje me dy shtete të ndërmjetësuar me Izraelin.
Por komentet e zonjës Wong i bëjnë jehonë një fjalimi të Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron në fillim të këtij viti, në të cilin ai la të kuptohej se edhe Britania e Madhe mund të njihte shtetin palestinez pa mbështetjen e Izraelit.
Qeveria australiane muajt e fundit ka shprehur gjithnjë e më shumë shqetësime për luftën kundër Hamasit në Gaza – përfshirë pasi një punonjës ndihmash australian u vra së bashku me gjashtë të tjerë gjatë një sulmi ajror izraelit. Në një fjalim të martën mbrëma, zonja Wong tha se një zgjidhje me dy shtete – ku izraelitët dhe palestinezët jetonin krah për krah në vende të veçanta – ishte “shpresa e vetme për të thyer ciklin e pafund të dhunës”.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co