Lufta e Izraelit kundër Hamasit vazhdon/ Kreu i Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas viziton Turqinë

lufta e izraelit kunder hamasit vazhdon kreu i autoritetit palestinez mahmud abbas viziton turqine





































Udhëheqësi i Autoritetit Palestinez Mahmud Abbas fillon sot një vizitë dyditore në Turqi. Analistët thonë se për Ankaranë vizita është një mundësi për të rikthyer ndikimin e saj rajonal pas izolimit në rritje dhe vrasjes së udhëheqësit kryesor të Hamasit, Ismail Haniyeh.

Hamas

Ndërsa lufta e Izraelit kundër Hamasit ende po vazhdon, udhëheqësi i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas sot fillon një vizitë dyditore në Turqi, gjatë së cilës ai do të mbajë një fjalim në Parlamentin turk. Por analistët thonë se vizita ka të ngjarë të jetë më shumë një përpjekje për të kënaqur bazën e brendshme politike të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan sesa për të luajtur një rol domethënës në zgjidhjen e konfliktit.

“Vizita ka të bëjë më shumë me përcjelljen e një mesazhi tek baza e tyre e mbështetësve. Në arenën ndërkombëtare, nuk mendoj se ka më një audiencë, që vërtet e sheh Turqinë si pararojë ose Erdoganin si kampionin e të drejtave palestineze”, thotë Sezin Oney nga portali PolitikYol.

Presidenti turk Erdogan e ka kritikuar publikisht zotin Abbas, duke akuzuar udhëheqësin palestinez se fillimisht kishte refuzuar ftesën e tij për të vizituar Turqinë. Udhëheqësi turk pretendon të jetë një urë lidhëse midis Autoritetit Palestinez dhe Hamasit, por analistët thonë se pritja e fundit nga Kina e udhëheqësve të fraksioneve palestineze është një shenjë se zoti Erdogan është rrëzuar nga ai rol.

“Kjo është një çështje në të cilën Erdogani personalisht investoi shumë kohë dhe energji. Ai shpresonte të pajtonte fraksionet palestineze, por Kina ndërhyri në këtë çështje, duke tërhequr vëmendjen me veprimet e saj. Kina ka më shumë ndikim politik mbi dy palët”, thotë Selin Nasi, studiuese e çështjeve turke në Fakultetin Ekonomik të Londrës.

Të martën, Mahmud Abbas vizitoi Moskën, duke nënvizuar atë që analistët thonë se është rëndësia në rritje e vendeve të tjera në përpjekjet për të zgjidhur konfliktin. Por, Presidenti Erdogan mund të bëjë përpjekje të shfrytëzojë vizitën e zotit Abbas për të fituar sërish ndikimin e tij tek çështja palestineze, veçanërisht pas vrasjes së aleatit të tij të ngushtë, udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh, dhe zëvendësimit të tij me Yahya Sinwarin.

“Vetë Erdogani dhe drejtuesit e tjerë të Partisë AK kanë mbështetur Hamasin dhe udhëheqësin e tij Haniyeh deri në këtë pikë. Tani kemi udhëheqësin e ri Yahya Sinwar. Ata nuk mund ta takojnë atë, nuk mund të kontaktojnë me të, apo të kenë atë lloj marrëdhënie që kanë pasur me zotin Haniyeh. Kështu që në këtë pikë ata janë detyruar të kthehen tek Mahmud Abbasi”, thotë Sezin Oney nga portali PolitikYol.
Por analistët paralajmërojnë se zoti Abbas mund të ketë pak interes ta konsiderojë Turqinë si një vend që mund të luaj një rol më të madh në zgjidhjen e konfliktit. Disa analistë thonë se Ankaraja nuk mund të ofrojë shumë në këtë drejtim, sepse mbështetja e fortë e Erdoganit për Hamasin dhe retorika e tij e zjarrtë kundër Izraelit po e izolon gjithnjë e më shumë Turqinë nga vendet e tjera, që kërkojnë t’i japin fund luftimeve.

“Nuk është vetëm Izraeli që po bllokon pjesëmarrjen e Turqisë në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit, por edhe vendet e Gjirit dyshohet se nuk duan pjesëmarrjen e Turqisë në këtë proces”, thotë Selin Nasi, studiuese e çështjeve turke në Fakultetin Ekonomik të Londrës.

Analistët paralajmërojnë se çdo shpresë se vizita e zotit Abas mund të jetë një paralajmërim për një rol më të madh të Ankarasë në përfundimin e luftimeve në rajon ka të ngjarë të përfundojë në zhgënjim. Ata thonë se ka më shumë mundësi që konferenca për shtypin e zotit Erdogan me udhëheqësin palestinez Abbas të shfrytëzohet nga Presidentit turk për të kënaqur bazën e tij konservatore./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →